Pushteti që u fitua me fjalë!

Opinione

Pushteti që u fitua me fjalë!

Më: 10 nëntor 2009 Në ora: 15:57

Si edhe në shumë komuna të Kosovës, LDK-ja më 15 nëntor do t’i rikthehet edhe Gjakovës. Të gjitha sondazhet e vërtetojnë këtë që them. Por, si është e mundur që të ndodhë një gjë e tillë, kur AAK-ja ka ndërtuar një fabrikë për prodhimin e industrializuar të fushatës, jo vetëm me mbushullimin e materialeve shumë të kushtueshme propagandistike, por me gjithë korpusin e angazhuar të pelegrinëve aktivistë, që natë e ditë e bjerrin kohën nëpër oda e kafene, duke prodhuar konspiracione kundër LDK-së, ato të njëjtat që i përdornin edhe para dy vjetëve. Ata janë militantët e paepur të “çështjes” kundër LDK-së. Por a do të pijë ujë dy herë propaganda joparimore? Dikush thotë, po kjo është demokracia, edhe kur në emër të saj lejohet prodhimi i gënjeshtrës ndaj “kundërshtarit”, dhe kur gënjeshtra bëhet edhe publike.

Duke u ballafaquar me defensivën (edhe të sivjetme) propagandistike fushatore të LDK-së, po me atë defensivë që ishte shkak i humbjes së zgjedhjeve të LDK-së dy vjet më parë, AAK kujtojnë se edhe sivjet, me posterë dhe me shumësinë e fjalëve në debatet televizive, do ta përvetësojnë elektoratin. Por cilin elektorat? Elektoratin e tyre real, apo elektoratin shumëvjeçarë të LDK-së, që e mashtruan dy vjet më parë? Para dy vjetëve, me “shportën e madhe” të AAK-së në dorë, elektorati u nis aty ku gjeti dredhëza pak e hiç! Me shporta të mëdha “humanitare” (e jo politike) AAK-ja e shndërroi votuesin nga qytetari në krizë, në qytetar lypsar. Kjo, megjithatë nuk flet keq për elektoratin, sepse kriza në Kosovë, para dy vjetëve, lejonte përbuzjen e votuesve deri në atë masë, sa ai të mos kërkonte më shumë sesa pak bukë dhe pak rrymë elektrike. Dhe AAK-ja para dy vjetëve shfrytëzoi pjesën më të madhe të anëtarësisë së LDK-së, e cila sot u bind se e gënjyen, dhe po kthehet aty ku ajo megjithatë funksiononte në lëvizjen politike të Rugovës që gati 20 vjet. Tash, kur shporta e madhe e AAK-së mbeti pa dredhëza, AAK-ja ende kujtoë se me të njëjtin model propagande, pra me fjalë e jo me vepra, mund t’i mbajë edhe ndonjë vjet aktivistët shumëvjeçarë të LDK-së. Le të shpresojë!

Pra, për dy vjet pushtetit të koalicionit AAK në Gjakovë, tash i kanë mbetur vetëm fjalët e propagandës së tyre para dy vjetëve, kur e bindën votuesin se faji i krizës ishte Rugova dhe stafi i tij në tërë Kosovën. Nga vijnë ideologët e koalicionit të AAK-së, këtë nuk dua ta them që të duket prejudikuese. Por dua të flas fakte për modelin e propagandës së tyre. Shpirti ushqehet me fjalë, por jo edhe barku. Kriza nuk ndalet me fjalë, po me punë. “Parimi” i filozofisë politike komuniste ka qenë “të flasësh shumë, por të mos thuash asgjë”! Sepse nuk ke çka thua, mungojnë rezultatet konkrete. Këtë përshtypje fiton duke dëgjuar në debate televizive zotërinjtë e AAK -së, kur i lejojnë vetes të bëjnë ironi pa shije edhe me mbiemrin martesor (Kusari-Lila) në mënyrën më ofenduese për zonjën Mimoza, një sjellje që nuk mund të presësh nga njerëzit që pretendojnë të qëndrojnë në ballë të një qyteti me traditë të lashtë. Qëllimi për marrjen e pushtetit i arsyeton mjetet. Të gjitha mjetet.

Pra edhe gjatë debateve televizive rrëmbejnë “prioritete” nga kandidati i LDK-së, madje edhe kur spikeri nuk ua jep fjalën, ata vazhdojnë të flasin më kor, jo pse nuk e dinë çka është kultura e dialogut, por ata nuk duan të lejojnë asnjë shanse të vogël të vijë në shprehje “kundërshtari” i tyre, bëjnë shfaqje teatrore për ta “magjepsur” publikun. E marrin “vullnetarisht” fjalën, të pavetëdijshëm se ashtu e shprehin sensin e tyre të lindur autoritar, forcën e fjalës e kuptojnë si forcë fizike me të cilën mburren. Asnjë minutë nuk u pushonte goja t’i japin shans tjetrit. Po me këtë metodë dy vjet më parë fituan me një diferencë të vogël votash në Gjakovë.

Demokraci?! Po cila etikë të lejon t’i bëhesh avokat i vetvetes deri në atë shkallë sa të mos e pranosh së paku një lëshim të vogël që ke pasur, s’po them gabim, e të mos flasim për shkallën e korrupsionit. Jo, jo… korrupsionin tashmë e kanë adresuar para dy vjetëve. Këta janë të pagabueshëm, të ndershëm, sakrifikohen deri në fund për të mirën e popullit, sakrifikojnë edhe familjet e tyre për popull. Por populli vazhdon të jetojë në krizë, madje edhe pas rrënimit të qoshqeve. Propaganda e tyre i paraqet të pagabueshëm, të pazëvendësueshëm.

Prurja e “argumenteve” duke i ndërtuar me inflacionin e fjalëve, demanton veprën, sepse ajo nuk ekziston. Për shkak se vepra nuk flet, por shihet! Të bësh ironi në ndarje “regjionale” brenda një komune, kjo është e pashije, është një mbështetje klanore nepotiste, parti që kërkon mbështetje nga mëhalla, e jo mbështetje nga një politikë e caktuar konkrete programore, gjithëkombëtare, e platformizuar nga Presidenti Historik Rugova dhe nga pasardhësi i tij i dinjitetshëm - presidenti Sejdiu. Kjo fakturë propagandistike e AAK-së është model autoritar, trashëgimi komuniste. Ky lloj propagande, shumë fjalë e pak vepra, konstruktohet në kabinetet specialistike partiake, ku punojnë individë që marrin hua “zanatlinj” të propagandës së kondicionalizuar, që marrin argatë të specializuar për ta mistifikuar realitetin dhe për ta “deklasuar” kundërshtarin, jo me argumente, kurrë, por me fjalë! Por me fjalë nuk piqet buka! Fjalëve të tyre (premtimeve) u ka dalë boja! LDK-ja po rimëkëmbet, që do të thotë edhe Gjakova. Edhe Kosova!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat