Të gjitha gënjeshtrat serbe për Kosovën

Opinione

Të gjitha gënjeshtrat serbe për Kosovën

Nga: Qemal Sakajeva Më: 1 dhjetor 2009 Në ora: 15:39

Beogradi i lexon në mënyrë mburrëse të dy datat e njëpasnjëshme: më 30 shtator, për Serbinë, u vendos heqja e vizave Shengen, ndërsa më 1 dhjetor fillon gjyqi kundër Kosovës, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, në Hagë, kërkuar nga Serbia, dhe që pritet të përfundojë më 11 dhjetor 2009. Presidenti Boris Tadiç, në një intervistë për një media serbe u shpreh i përmbajtur, duke thënë që, “beson se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do ta ketë parasyshë faktin e rrezikut për marrëdhëniet juridike ndërkombëtare”. Por, ministri i jashtëm Vuk Jeremiç, në një intervistë për “Europa e Lirë”, para nisjes për në Hagë, bëri mburravecin e dhëndërit riosh në politikë:

Jeremiç tha që, ky është “procesi më i madh në histori”.

Kjo është një gënjeshtër historike e hatashme, e shqiptuar prej tij, sepse procesi më i madh historik i kryer është dhe do të mbetet pavarësimi i Kosovës nga shteti barbar kolonizator serb. Është thënë qartë që, çfarëdo vendimi që të marrë Gjyqi i Hagës, nuk e tjetërson dot pavarësimin pasi, më shumë se mundja e Serbisë si shtet i luftuar, është përfundimi i kolonializmit në Europë dhe shpallja e njohja gjerësisht e shtetit më të ri të botës, që i ktheu paqën Ballkanit.

Jeremiç tha që, ky gjyq është “njëra nga betejat më të rëndësishme juridike dhe diplomatike në luftë për Kosovën”.

Edhe kjo është një gënjeshtër nga më të rëndësishmet, sepse beteja për Kosovën është kryer, ka zgjatur 78 ditë, më një luftë të NATO-s, e filluar më 24 mars 1999 dhe e fituar më 10 qershor të po atij viti. Po të qe se, ajo nuk do të ishte zhvilluar si luftë humane, Aleanca e Atlantikut të Veriut, e drejtuar nga SHBA, do ta kishte përfunduar atë vetëm në 3 ditë. Betejat, ushtarake, diplomatike, politike përfshirë edhe atë juridike, u fituan në mënyrë madhështore, që i siguruan Kosovës çlirimin. Asnjë lloj gjyqi, përveç atyre në Serbi, nuk mund të çbëjë çlirimin historik të popullit fqinj të masakruar.

Jeremiç tha që, “Kjo luftë do të jetë e gjatë dhe e vështirë, por në anën tonë janë e drejta ndërkombëtare dhe drejtësia”.

Kurse kjo është një gënjeshtër shumë e gjatë serbe, sepse lufta për liri dhe pavarësi ka përfunduar. Ajo që mbetet të jetë vërtetë e zgjatur, është lufta e brendshme, midis pakicës që do të përpiqet të sillet politikisht si europiane dhe shumicës që përfaqëson nacionalizmin agresiv. Në anën e Serbisë nuk qendrojnë as e drejta ndërkombëtare dhe as drejtësia. Kosovën shtet e njeh bota më demokratike, që është dhe roja e së drejtës ndërkombëtare. Kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian nuk janë kolonialistë - ato nuk mund të pajtohen me mendësinë pushtuese të një Serbie që kërkon t’i bashkohet perëndimit demokratik. Aparteidi është mundur me kohë, edhe në vendsimbolin e tij - Afrika e Jugut, ndërsa Serbia nuk mund të detyrojë drejtësinë, që t’i japë asaj të drejtën për aparteid kundër një populli tjetër në shekullin 21. Kurrë drejtësia e vërtetë nuk mund të japë drejtësi, përfshirë edhe Gjyqin e Hagës, për shtypjen e Kosovës, ndaj të cilës Serbia ushtroi terrorizëm shtetëror nga më të shfrenuarit.

Serbisë iu hoqën vizat, që qytetarët e saj të qarkullojnë të lirë në zonën Shengen, m’u në ditët që shqyrtohet kërkesa e saj për gjyq kundër Kosovës. Ky mbimbulim serb aspak rastësor, i shpërblimit të dyfishtë në të njëjtën kohë, heqja e vizave dhe gjyqi kundër pavarësisë, le të mendojmë të jetë diplomaci europiane për zbutjen e nacionalizmit serb, duke e marrë me të mirë. Për paradoks, atëherë kur Bashkimi Europian tregohet zemër gjerë me Beogradin, nëpër Serbinë që shumë çka lëviz lirisht, nuk qarkullon lirisht vetëm europianizmi perëndimor. Ja një nga faktet:

Europa i përsërit Serbisë: Prano realitetin e Kosovës së pavarur!

Serbia ia kthen Europës prerë: Kurrë nuk do ta njoh!

Europia i thotë Beogradit: Mos i keqpërdor serbët e Kosovës!

Beogradi as e çan kryet për Brukselin: Zgjedhjet e mia i zhvilloj edhe në Kosovë, ato që organizon Kosova, ia bojkotoj.

Serbia i kërkoi Europës: Na hiqni vizat!

Europa iu përgjigj lëshuese: Po, menjëherë!

Por, që të dy, edhe Bashkimi Europian i fuqishëm, edhe Serbia e vogël, blejnë kohë. Brukseli beson që, me pushtet të butë, diplomaci agresive dhe shpërblime të parakohshme, të mposhtë nacionalizmin serb.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat