Po Bekimin e Bardhylin kush i vrau?

Opinione

Po Bekimin e Bardhylin kush i vrau?

Më: 2 dhjetor 2009 Në ora: 22:09

Më shumë se dhjetëra herë, në gazetën kombëtare “Bota sot” është shtruar kjo pyetje. Kjo pyetje është shtruar edhe për të gjitha vrasjet e tjera të pasluftës në Kosovë, për Komandant Drinin, për Xhemajl Mustafën, për Enver Malokun, për Shaban Manajn, për Ismet Rracin, për Haki Ymerin, për Ukë Bytyçin, për Smajl Hajdarajn, për Tahir Zemajn, për Sabahate Tolajn e për të gjithë të tjerët e vrarë pas luftës në Kosovë. Por, asnjëherë dhe askush nuk ka dhënë përgjigje. Të gjithë kanë heshtur! Nuk kanë dhënë përgjigje as hetuesit e policët vendorë e as ata ndërkombëtarë. Kanë heshtur edhe vrasësit.

Familjarët pyesin: Kush na i vrau më të dashurit tanë?

Tash e sa vjet pas të gjitha vrasjeve politike në Kosovë, del një dëshmitar, një doras dhe thotë se unë kam vrarë “..këtë e atë, kam shantazhuar dhe kërcënuar disa të tjerë… kam marrë pjesë në 17 veprime kriminale!’. Por ky dëshmitar dhe ky doras (ish-agjenti i SHIK-ut, Nazim Ballaca) nuk flet vetëm për veprimet e tij, por edhe të të tjerëve. Pra ai përmend edhe emra të tjerë. Dhe më pas në shumicën e mediave e të opinionit publik ndodh “tërmeti”. Të apostrofuarit e agjentit të SHIK-ut Nazim Bllaca reagojnë, kundërshtojnë, deklarojnë se gjithë jetën e tyre ia kanë kushtuar çështjes kombëtare, se nuk e njohin Nazim Bllacën, se nuk kanë dhënë urdhra të tillë, se nuk kanë lidhje me SHIK-un, se nuk dinë a ka ekzistuar SHIK-u etj.etj!!! Në ndërkohë asnjë prej këtyre mediumeve të shkruara e televizive nuk kanë vizituar familjet e të vrarëve të pasluftës në Kosovë dhe nuk i kanë pyetur ata se kush i vrau më të dashurit e tyre. Kjo kategori e mediave që nxjerr në plan të parë dhe në faqe të parë të dyshuarit për veprimtari kriminale, asnjëherë nuk kanë tentuar që të marrin edhe opinionin e familjarëve të vrarë të pas luftës në Kosovë. Këto media asnjëherë nuk kanë shtruar pyetjen: kush i vrau ata?

E tash kur del një agjent i SHIK-ut dhe thotë se me urdhra nga lart kam vrarë këtë e atë, të gjithë të apostrofuarit na dalin patriotë! Të gjithë i kanë “duart e pastra”! Askush nuk ka dorë në të gjitha vrasjet e pasluftës në Kosovë? Po kush i ekzekutoi të gjithë këta burra të Kosovës, të cilët kishin përafërsisht një ideal, një qëllim dhe bindje të njëjtë politike?

Përgjigjet gjithmonë kanë munguar? Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ka mbledhur fakte dhe më pas i ka mbyllur dosjet. Ose i ka dërguar të gjitha këto dosje në “dhomë e sekreteve” në Polici të Kosovës, të cilat më pas janë “vjedhur” këto dëshmi bashkë me qindra kilogramë drogë e dhjetëra e qindra mijëra Euro e valuta të tjera. Si gjithmonë edhe për këtë “vjedhje” të shekullit në Policinë e Kosovës, askush nuk është arrestuar, nuk është burgosur e as nuk dënuar!

Kur gazeta kombëtare tash e dhjetë vjet shtron pyetjen se kush i ka kryer të gjitha këto vrasje të pas luftës në Kosovë, ishin disa gazetarucë dhe politikanë që thoshin se kjo gazetë po fut “përçarje, po ndjell vëllavrasje në Kosovë?! Pra sipas sojit të tillë të kalemxhinjve e të “llapaxhinjve” qenka “përçarje e vëllavrasje” nëse shtrohet pyetja se kush I ka kryer të gjitha këto vrasje të pasluftës në Kosovë?! Sipas kësaj logjike, atëherë shtrohet pyetja a kanë qenë vëllezër tanë të gjithë të vrarët e pasluftës në Kosovë? A kanë qenë vëllezër shqiptarë Xhema, Enveri, Uka, Tahiri, Shabani, Smajli, Hakiu…? A kanë qenë vëllezër tanë shqiptarë dhe kolegë tanë gazetarët Bekim Kastrati e Bardhyl Ajeti? Dhe çka tash, të heshtet për vrasjet e tyre? A është “vëllavrasje” pyetja që shtrohet për arrestimin e kriminelëve, apo qenka vëllavrasje veprimi i kriminelëve që vranë këta vëllezër tanë shqiptarë?

A ka ekzistuar SHIK-u në Kosovë?

Unë i kuptoj dyshimet e deklarimeve të ish-agjentit të SHIK-ut, Nazmi Bllacës, për veprimtarinë e tij kriminale në kuadër të SHIK-ut. Fundja ai deri dje ka qenë pjesë e kësaj strukture, prandaj i takon atij “brumi”. Por nuk i kuptoj kundërshtimet jo vetëm individuale të të apostrofuarve se nuk e njohin Nazim Bllacën, në ndërkohë që ai ofron dëshmi të incizimeve të bisedave me ta, se nuk kanë qenë pjesëtarë të SHIK-ut e deri dje janë krenuar me SHIK-un, se nuk ka ekzistuar SHIK-u në Kosovë, në ndërkohë që shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli, ka dalë në televizionin publik më 15 qershor dhe ka deklaruar përfundimin e veprimtarisë së SHIK-ut!

Unë gjithashtu kam rezerva në deklarimet e Bllacës se të gjitha krimet në Kosovë i ka kryer SHIK-u. Dhe këtë rezervë e kam jo për të mbrojtur SHIK-un, por për faktin se në emër të SHIK-ut, apo edhe në emër të UÇK-së janë kryer edhe shumë aktivitete kriminale pas përfundimit të luftës, në ndërkohë që një pjesë e atyre që kanë bërë këto akte kriminale nuk kanë qenë as pjesëtarë të SHIK-ut e as të UÇK-së.

Sidoqoftë, Nazim Bllaca është i pari që foli. Tash do të duhej të flasin edhe të tjerët. Dhe në fund fjalën e fundit le ta thotë drejtësia!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat