Askush mbi ligjin, retorikë apo mundësi të bëhet realitet!

Opinione

Askush mbi ligjin, retorikë apo mundësi të bëhet realitet!

Më: 3 dhjetor 2009 Në ora: 15:35

Më në fund, gjykatësi i EULEX-it, Françesko Florin ka caktuar masën e arrestit kundër Nazim Bllacës, i dyshuar për vrasje dhe përfshirje në krim të organizuar. Dyshimi është bazuar në deklarimin e tij publik ku pranon pjesëmarrjen e tij aktive në veprime inkriminuese. Mirëpo, për habi atij iu caktua masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji gjë që është në kundërshtim të plotë me natyrën e veprës për çka dyshohet i arrestuari Nazim Bllaca. Masa e arrestit shtëpiak zakonisht shqiptohet për raste më të lehta apo kur i arrestuari nuk bën pjesë në grup me rrezikshmëri të lartë. Rasti i Nazmi Bllacës është krejtësisht i kundërt, kemi të bëjmë për dyshim të kryerjes së krimeve shumë serioze të ngjashme me atë të Eskadroneve të Vdekjes në Amerikën latine ku sundonin juntat ushtarake. Andaj, është e pabesueshme dhe e pakuptueshme shqiptimi i masës së arrestit shtëpiak në këtë rast. Mund të jetë përcaktuese për marrjen e këtij vendimi pendimi i të arrestuarit dhe gatishmëria e tij për të bashkëpunuar me hetuesit e këtij rasti. KMDLNJ dyshon se këtij rasti do t’i shkohet deri në fund dhe se ka përpjekje serioze për të luftuar krimin e organizuar dhe zbardhjen e vrasjeve me motive politike, etnike dhe të tjera në periudhën pas përfundimit të luftës në Kosovë. KMDLNJ, gjithashtu dyshon në paanshmërinë e gjykatave sepse ky rast edhe në këtë fazë të saj, më shumë trajtohet si atraksion medial dhe qërim hesapesh midis subjekteve të caktuara politike se sa një rast që do të duhej të ishte çështje ekskluzive e gjykatave dhe organeve të drejtësisë. Me këtë rast janë duke manipuluar të gjithë, gjë që i dëmton hetimet dhe zbardhjen e krimeve. Ballafaqimi i dëshmitarëve kundër pohimeve të Nazim Bllacës, të cilët kanë një të kaluar kriminale për çka edhe janë dënuar, në masë të madhe e kompromitojnë luftën kundër krimit të organizuar në përgjithësi dhe këtij rasti në veçanti. Përpjekje që ky rast të ndërlidhet me zgjedhje lokale, imazhin e Kosovës apo me fillimin e punës së GJND-së në Hagë është krejtësisht e pabazë dhe kundër logjikës së shëndoshë. Ndërsa, përpjekjet që të kompromitohet lufta e UÇK-së duke e ndërlidhur me këtë rast dhe raste të ngjashme duhet të hidhen poshtë sepse këto krime kanë ndodhur pas përfundimit të luftës dhe natyra e tyre është krejtësisht kriminale. Askush nuk mund ta përdor luftën si mbulesë për aktivitete kriminale.

Zbardhja e vrasjeve, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar pikërisht krijojnë kushte për zgjedhje të lira, e përmirësojnë imazhin e Kosovës dhe krijojnë kushte për procese integruese në mekanizmat ndërkombëtarë.

Prandaj, KMDLNJ insiston që të hetohet ky rast dhe rastet tjera seriozisht, pa ndikime të politikës në mënyrë që të krijohen kushtet që të gjithë ata që janë përgjegjës të përballen me ligjin, pavarësisht postit politik që e kanë apo statusit shoqëror! KMDLNJ i fton të gjithë politikanët që kanë prova të cilat do të ndihmonin në zbardhje e krimeve që ato t’i dërgojnë tek organet e hetuesisë e jo ta keqpërdorin për promovime personale apo qëllime politike! Në këtë mënyrë po prejudikohet fajësia, para se të kenë përfunduar hetimet!

Slogani i shumëpërsëritur, edhe nga vendorët e sidomos nga ndërkombëtarët se “ askush nuk mund të jetë mbi ligjin” tash duhet të zbatohet në praktikë! Nëse vërtetë duam ta luftojmë krimin!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat