Me sytë nga qielli e Beogradi

Opinione

Me sytë nga qielli e Beogradi

Nga: Enver Bytyçi Më: 19 janar 2010 Në ora: 13:50

Dick Marty ka vendosur të shkojë në Prishtinë. Në gusht të vitit të kaluar kishte udhëtuar për në Beograd dhe së bashku me prokurorin serb të “krimeve të luftës”, Vladimir Vukçeviç, kishte “provuar” se “UÇK ka kryer krime kundër serbëve në kohën e luftës” dhe se “kishte bërë tregti me organet e brendshme të tyre”. Këtë përrallë e besojnë të gjithë ata që kanë qenë dhe janë kundër pavarësisë dhe lirisë së Kosovës. Ndaj e beson edhe Dicku edhe Vladimiri. Nuk bëjnë përjashtim as zëra të tjerë në Europë, përfshirë Karla del Ponto.

Në Beograd Dick Marty “kishte zbuluar” se viktimat serbe nuk ishin sa thotë del Ponte, por nja 550 gjithsej, sa përmend dhe gazeta zvicerane NZZ. Ishte takuar me anëtarët e familjeve të “këtyre viktimave” dhe kishte dënuar ashpër “terrorizmin e shqiptarëve”. Vuçkeviç i kishte thënë zotit Marty se “kishte në dorë të gjitha provat, të cilat fajësojnë shqiptarët për krime kundër serbëve”. Karla del Ponto ndërsa në fillim ishte dukur si “prokurorja e hekurt” kundër kriminelëve serbë, më pas ishte rikthyer te akuzat e llojit Marty kundër shqiptarëve. Është interesant të vesh re transformimin e një njeriu si të ish-prokurores së Tribunalit të Hagës nga një “luftëtare për drejtësi”, në një shpifarake në shërbim të krimit dhe terrorit.

Ndërsa Rasti Marty së paku nuk bën pjesë në listën e ish- “luftëtarëve për drejtësi e liri”. Dick Marty e soji i tij kanë mbrojtur dhe mbrojnë gjithnjë “lirinë” e modelit ruso-serb, pra dhunën, terrorin, egërsinë e shtetit e të strukturave që prodhon ai kundër popujve jo serbë e jo sllavë. Të gjithë ata që janë kundër dhunës sllavo-serbe, pra amerikanët, anglezët, austriakët e vetë zviceranët, janë për zviceranin Dick Marty “armiqtë e lirisë”. Në këtë pjesë ai ka kategorizuar gjithashtu shqiptarët për disa arsye:

Arsyeja e parë dhe kryesore që ka formuluar juristi dhe këshilltari I Këshillit të Europës është se shqiptarët nuk i përkasin racës sllave. Si të tillë ata automatikisht i klasifikon si “terroristë”, madje si përdhunues edhe të kufomave serbe. Duke qenë se shqiptarët nuk janë serbo-sllavë, ata nuk flasin as gjuhën e serbo-sllavëve. E për Dick Marty gjuhët jo sllave janë “gjuhë urrejtjeje, antinjerëzore, të pakuptueshme dhe të urryeshme”. Së dyti, I ngarkuari për të hetuar të ashtuquajturat “krime të shqiptarëve kundër serbëve” këto ditë, kur do ta vizitojë Kosovën, ka vendosur të shoqërohet me një eskortë zvicerane policësh. Sipas tij, “një vend “terroristësh”, si Kosova, është i pasigurt e për pasojë rreziqet janë shumë të mëdha”. Ai mund të shkojë në Beograd pa asnjë polic shoqërues. Mund të pritet madje edhe me lule. Mundet të pranojë prej beogradasve dhurata e peshqeshe të shumta të të gjitha kategorive, mund të qeshë e të gëzohet kur shkel në aeroportin e kryeqytetit serb. Por nuk mund të ndjehet mirë kur zbret në Sllatinë. Ndaj në Kosovë i duhet eskorta. Për ta “ruajtur” prej “terroristëve shqiptarë”.

Në të vërtetë zoti Marty nuk kishte marrë eskortë policësh e bodigardësh as kur kishte shkuar para disa muajsh në Shqipëri. Jo se ndjehej ngrohtë në atë vend “të mallkuar”, por edhe të çuditshëm. Në atë vend që për herë të parë në historinë e kësaj bote “kishte transplantuar organet e brendshme nga një njeri i masakruar te një njeri I sëmurë, duke përdorur gërshërët e dhenve e duke e mbartur atë me barela plehrash. Ai kishte shkuar në Mat dhe ishte drejtuar për në fshatin Gurbardhë, ku ai mendonte të gjente shiringat, “dorezat e llastikut” e kondomet e del Pontes, por nuk e kishin lënë fshatarët të futej aty. Jo për gjë, por në atë shtëpi dhe në atë fshat askujt nuk i pjell truri fantazi shtrigash e shiringash, lastiqesh e kondomesh.

Tani, duke qenë se në Gurbardhë nuk e lanë të hyjë, ka vendosur të hyjë me forcë në Kosovë, aty ku pretendon siç ia ka thënë prokurori serb, se “ndodhet” shtëpia e verdhë. Në Kosovë nuk do të hyjë më me fjalë e me besë, por me dhunë e polici. Nëse zotit Marty do t’i kishin thënë në Beograd se shtëpia nuk është e verdhë, por është blu, me siguri do të ishte sëmurë nga qafa, duke kërkuar me sytë nga qielli. Tash i duhet të gjejë dëshmitarë të rremë, të paguar nga Beogradi që të gjejë gjurmët e “shtëpisë së verdhë”. Ndaj i duhet policia zvicerane.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat