Kur do të fillojë lustrimi në Kosovë?

Opinione

Kur do të fillojë lustrimi në Kosovë?

Nga: Fehmi RAMADANI Më: 26 janar 2010 Në ora: 16:32

Çka është lustrimi? A janë pjekur kushtet që në Kosovë të fillojë procesi i lustrimit pa e dëmtuar demokracinë fillestare të saj dhe raportet ndëretnike? Kur duhet filluar zbatimi i tij? Nga kush duhet të miratohet ky ligj? Cilat janë “kushtet specifike” të lustrimit në Kosovë? Cilat shtete deri më tani kanë aprovuar ligjin e lustrimit? Pse Kosova po ngec në nxjerrjen e një ligji të tillë, kur dihet kursi i saj drejt integrimit në strukturat euroatlantike? Në këto dhe disa pyetje tjera do të bëhet përpjekje të jepen përgjigje për këtë temë, e cila shumë radhë trajtohet nëpër mediumet kosovare.

Në Kosovë lustrimi është një term jo shumë i njohur politik. Ky nocion rrjedh nga fjala latine, lustrato, lustrare, që do të thotë pastrim, ndërsa grekët e vjetër e përdornin fjalën katharsis, pastrim i shpirtit. Në literaturë, lustrimi ka dy kuptime; historik dhe modern. Si term historik lidhet me ritet e romakëve dhe grekëve të lashtë nga pastrimi i mëkateve. Ndërsa, versioni modern, lidhet me kufizimin e përkohshëm të spiunëve dhe informatorëve të policisë sekrete në detyrat e shërbimit civil, në procesin e dekomunizimit të një vendi.

Pas periudhës së luftës së ftohët, analistët lustrimin filluan ta trajtojnë si zgjidhje e mesme në mes të ndjekjes penale dhe të ekzekutimit ndaj atyre që kishin shkelur të drejtat themelore të njeriut gjatë së periudhës komuniste. Në vitin 1991, pas shkatërrimit të komunizmit në Evropën Qendrore e Lindore, të parët që kishin filluan të zbatojnë ligjin e lustrimit ishin Çekët, me ç’rast ua kishin ndaluar të merren me veprimtari civile dhe politike të gjithë atyre që kishin shërbyer në periudhën komuniste prej vitit 1948 deri në vitin 1989. Ky proces kishte vazhduar të zbatohet edhe në Shqipëri nga viti 1991, Kroaci, Hungari, Bullgari, Serbi, etj, për të vazhduar nëpër shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Vitin e kaluar edhe Maqedonia kishte filluar të hartonte një ligj të tillë. Ndërsa, Kosova pas pavarësimit të saj, më 17 shkurt 2008 nuk ka bërë aspak përpjekje për të filluar të merret me një çështje të tillë kaq të rëndësishme për vendin, përkundër rekomandimeve të Këshillit të Evropës, i cili i obligon të gjitha vendet që dalin nga komunizmi të nxjerrin një ligj të tillë.

Duhet theksuar se, Këshilli i Evropës për këtë qëllim kishte aprovuar dy rezoluta: Rezolutën nr.1481 e miratuar në vitin 2006 dhe Rezolutën nr. 1096 e vitit 1996. KE-ja përmes këtyre rezolutave kërkon që gjatë hartimit të ligjit të lustrimit të respektohen parimet e një shteti ligjor, zbatimit të ligjeve të lustrimit, apo të masave administrative përkatëse. Sipas, këtyre rezolutave, disa nga orientimet themelore duet të jenë: a) Lustrimi duhet të drejtohet kundër rreziqeve, që kanosin respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe proceset demokratike, b) Hakmarrja nuk duhet të jetë objektiv i këtyre ligjeve dhe duhet të evitohet përdorimi i tyre për qëllime politike e sociale, c) Lustrimi nuk duhet të ketë për qëllim të sanksionojë prezumimin e fajtorëve, por të mbrojë demokracinë e re që lind, ç) Lustrimi nuk duhet të aplikohet për funksionet me zgjedhje, përveç rastit kur kandidati e kërkon këtë gjë vetë, d)Lustrimi nuk duhet të aplikohet në institucionet private apo gjysmë private, dh) Afati i aplikimit të lustrimit nuk duhet të jetë më shumë se 5 vjet dhe konsiderohet e preferueshme në atë kohë, që masat për lustrimin duhet të përfundonin deri më 31 dhjetor të vitit 1999, si një datë që konsiderohej e mjaftueshme për konsolidimin e të gjithë regjimeve të reja demokratike, e) Lustrimi i “bashkëpunëtorëve koshientë” lejohet vetëm në rast se aktiviteti i tyre në bashkëpunim me Shërbimin Sekret të regjimit komunist ka çuar në dhunimin e drejtave të njeriut, ka shkaktuar dëmtimin e një personi tjetër (burgim, persekutim), apo ka pasur pasoja shkatërrimtare, f) Lustrimi nuk duhet të aplikohet mbi personat që kanë pasur moshë më të vogël se 18 vjeç në momentin kur analizohet implikimi i tij, g) Në asnjë rast, nuk mund të aplikohet lustrimi mbi një person pa ju garantuar të gjithë procedurat e rregullta të një gjykimi të rregullt, përfshi edhe vënien në dispozicion të avokatit mbrojtës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat