Verifikimi i pastërtisë së figurave publike akt demokratik

Opinione

Verifikimi i pastërtisë së figurave publike akt demokratik

Nga: Fehmi RAMADANI Më: 28 janar 2010 Në ora: 18:35

Specifikë e radhës që duhet të merret në konsideratë gjatë hartimit të këtij ligji duhet të jetë edhe verifikimi i figurave të një numri të pakicës serbe në Kosovë, e cila edhe pas gjithë kësaj tragjedie ende nuk ka përjetuar një pastrim të vetin(katarsis). Një pjesë e pjesëtarëve të kësaj pakice për një periudhë të gjatë kishte qenë pjesë e aparatit të dhunës ndaj shqiptarëve, disa prej tyre kishin marrë pjesë direkte në krime të rënda ndaj tyre. Në luftën e fundit 1997-1999 aparati serb i dhunës kishte vrarë me mijëra civilë shqiptar, ndërsa serbët lokal ishin bashkë zbatuesit e kësaj politike. Sot e kësaj dite, në emër të tyre nuk ka kërkuar falje askush për krimet e shkaktuara, ndërsa nuk ka ndonjë rast që ka filluar të merret gjyqësia kosovare për krimet e bëra. Bile, me një pjesë të tyre ende është duke manipuluar Beogradi për qëllime të tyre hegjemoniste. Beogradi është shkaktari kryesor i gjendjes së tyre, por padyshim se një pjesë të fajit e kanë edhe liderët e tyre, të cilët deri më tani nuk kanë marrë guxim qytetar dhe moral t’i kërkojnë falje shqiptarë për krimet e bëra dhe kështu të ndihmojnë procesin e pajtimit ndëretnik. Sot e kësaj dite të gjitha dosjet sekrete janë në Beograd. Pushteti i Kosovës së bashku me faktorin ndërkombëtar duhet të kërkojnë pa asnjë kusht që Beogradi t’i kthejë dosjet sekrete shtetërore.

Zbatimit i ligjit të lustrimit në Kosovë do të ndihmonte demokracinë e vendit dhe do të forconte kohezionin e brendshëm të shtetit. Verifikimi i pastërtisë së figurave të ndryshme politike dhe civile në Kosovë është një akt demokratik, human dhe mjaft domethënës për zhvillimin e gjithëmbarshme të këtij shteti. Kosova ka nevojë për një demokraci të shëndosh, e këtë demokraci e bëjnë vetëm kur nga detyrat publike dhe politike do të largohen njerëzit me një të kaluar të dëmshme. Kjo do të ishte sikur në trupin e njeriut të infektuar të jepet terapia shëruese në mënyrë që ky organizëm të mbrohet nga shkatërrimi i tij i plotë. Kjo duhet të ndodhë në Kosovë dhe kjo shoqëri duhet të lirohet nga njerëzit e inflamatuar, në mënyrë që të mos inflamatohet e tërë shoqëria. Ose, si është e mundur që sot, njerëzit me rroga të zakonshme në Kosovë të kenë disa shtëpi, makina luksoze, vila dhe benefite të tjera, kur dihet se spiunët nuk kanë punuar kurrë? Pastaj, ky ligj duhet përfshijë paragrafin ku t’i kërkohet falje të gjithë personave që kanë qenë akuzuar, proceduar, dënuar, burgosur, internuar dhe persekutuar gjatë periudhës komuniste 45 vjeçare, për dhunimin e të drejtave politike, civile, sociale, morale dhe ekonomike. Ligji për lustrim në Kosovë duhet t’i shpallte të gjithë ata persona, të pafajshëm, po ashtu si dhe të gjithë ata që ishin arratisur, kanë vdekur, apo janë ende gjallë.

Po ashtu, ligji duhet t’ia mundësonte krahas kompensimit moral që shkonte deri në dekorimin e tyre edhe të drejtën për kompensim financiar për vitet e burgut, të internimeve dhe të dhënies së privilegjeve shoqërore. Për të jetësuar një ligj të tillë duhet të formohet një Komision i veçantë me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtar, të cilët do të hartonin dhe do të procedonin në Parlamentin e Kosovës, i cili do të miratojë. Hapja e dosjeve ndaj njerëzve që ishin të përlyer në spiunim, tortura, burgosje dhe vrasje të ndryshme, padyshim se duhet të ndodhë, sepse kjo do t’i ndihmonte kësaj shoqërie që të përjetojnë një pastrim shpirtëror. Ky ligj duhet të miratohet sa më parë në Kosovë, sepse është kërkesë e kohës, është në të mirë të pajtimit ndëretnik, të stabilitetit të rajonit, por edhe të proceseve të reja integruese euroatlantike. Prandaj, sa do të jenë të vullnetshëm që përgjegjësit e pushtetit në Kosovë të miratojnë një ligj të tillë do të shihet në të ardhmen!

Parlamenti i Kosovës është organi më lartë i shtetit, i cili duhet të miratojë ligjin e lustrimit. Pa miratimin e këtij ligji në Kosovë nuk do të ketë demokraci të shëndoshë, pajtim ndëretnik dhe shoqëror, por nuk do të ketë edhe funksionalitet dhe kohezion të institucioneve shtetërore. / Fund

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat