“Kaq për sot”, historia e një takimi me diversione

Opinione

“Kaq për sot”, historia e një takimi me diversione

Nga: Lavdrim Lita Më: 14 shkurt 2010 Në ora: 14:16

Gjithçka e pritshme. Pritshmëria për këtë takim ka qenë i lartë, pasi pritej një rifillim i dialogut që mungon prej kohësh. Takimi midis palëve politike në tryezën e presidentit Topi pati si qëllim rivendosjen e kontakteve ballëpërballë të liderëve të PD dhe PS, dy prej partive më të mëdha në vend. “Kaq për sot” - kështu janë ndarë liderët e politikës shqiptare. Ndërsa për publikun këto bisedime sollën lajmin se do të vijohet akoma me bisedime në ditët në vazhdim, pasi ky takim ishte më shumë njohës sesa përmbyllës. Siç ishte e kuptueshme letra e të dy palëve nuk u zbuluan krejt, edhe asi nën mëngë i presidentit Topi mbeti mister.

Sa për kronikë duhet thënë se kjo tryezë ishte fryt i përpjekjeve të përfaqësive të huaja në Tiranë, veçanërisht asaj të SHBA-së. Këshillit të Evropës nga ana tjetër, iu desh të miratonte një rezolutë, ku janë dhënë rekomandime për zgjidhjen e “ngërçit” politik në vend. Ambasadorët e akredituar në Tiranë, u kanë bërë apel forcave politike të angazhohen për kapërcimin e “ngërçit” politik dhe të marrin parasysh të gjithë pasojat që sjell mos prania e opozitës në Parlament. Kuptohet vetiu se përpjekjet e tyre patën një reflektim në klasën politike, si nga ana e maxhorancës po ashtu edhe nga lodhja në rrugë e opozitës. Natyrisht me i qetë në këtë takim u pa të ishte kryeministri Berisha, i fortë në pozicionin që i japin vendimet e drejta të gjykatave. Një vendim gjykate sipas Kushtetutës nuk paragjykohet, vetëm pranohet. Kurse Edi Rama u pa të ishte në vështirësi, duke parë se presidenti Topi nuk përmendi në asnjë moment diversionin e memorandumit zyrtar të PS, që u soll me media pak minuta para se të fillonin negociatat. Ky takim i parë pati një rezultat, pasi qëllimi i pathënë kësaj tryeze për ndërkombëtarët ishte të sillte në binarët e politikës së vërtetë opozitën, duke e larguar nga pozicionet ekstra-parlamentare. Orvatjet e paprincipta të “politikës së re” nuk sollën shpërblimin e bojkotit në tryezë. Gjithashtu në këto negociata u pa profili i ulët i Edi Ramës, ngase sajesa e kutive të votimit as që u mor parasysh në tavolinën e presidentit Topi. Ndërsa edhe kryetari i PD, Sali Berisha e likuidoi problemin me frazën lakonike “Unë nuk kërkoj të trajtoj probleme që kanë të bëjnë me gjykatën”. Pra, kufiri i bisedimeve është i qartë për të gjithë, kemi bashkëbisedime të hapura për çdo gjë, përpos për gjëra që cenojnë ndarjen dhe integritetin pushteteve në demokratike. Afati ultimativ i ditës 7 marsi është një limit deri se kur mund të shkojnë bisedimet; por është e qartë se Edi Rama kërkon të arkivojë bojkotin përpara se LMN të vendosë hyrjen në parlament. Një hyrje e disa deputetëve të PS në parlament do të thoshte një pozicion i dobët në tryezën e bisedimeve në krahasim me solidifikimin e pozicioneve të maxhorancës.

Ndërkaq “qëndresa” didaskalike e Edi Ramës në konferencë për shtyp - pas tryezës - ishte një tjetër diversion për t’u thënë militantëve dhe deputetëve se nuk po bëj pazare, por po vendos themelet e fitores së ardhshme. Mjerisht kjo qëndresë është në kundërshtim të plotë me aspiratat e shqiptarëve për një cilësi të demokracisë në vend, ç’ka do të përshpejtonte afatin e hyrjes në BE. Gjithsesi data 22 shkurt mund të jetë një datë optimale për arritjen e një kompromisi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat