Tryeza - Berisha jep zgjidhje, Rama vajton zgjedhjet

Opinione

Tryeza - Berisha jep zgjidhje, Rama vajton zgjedhjet

Nga: Gazeta 55 Më: 14 shkurt 2010 Në ora: 16:36

Mbyllet pa asnjë rezultat të prekshëm takimi i parë ndërmjet mazhorancës dhe opozitës në zyrën e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, në Presidencë, takim ky, i filluar në orët e para të paradites së djeshme, përfaqësuesit e dy forcave më të mëdha politike në vend, nga njëra anë kryetari i mazhorancës dhe njëherazi kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga kreu i grupit parlamentar të PD dhe nga ana tjetër lideri i opozitës Edi Rama, i shoqëruar nga kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS, Gramoz Ruçi, diskutuan për plot 3 orë, në prani edhe të kreut të shtetit, lidhur me rekomandimet e rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Mësohet se takimi prej më shumë se tre orësh u ka shërbyer palëve politike për ngritjen e çështjeve zgjedhore ndërsa është konfirmuar nga shefi i mazhorancës dhe i qeverisë, Sali Berisha zotimi përballë ligjit, për të miratuar çdo kompromis që lidhet me zgjedhjet, ndërsa ka nënvizuar me vendosmëri se çështjet e gjykatave nuk do të diskutohen.

“Jemi të gatshëm për të gjitha kompromiset e nevojshme për çështjet zgjedhore. Ne nuk mund të trajtojmë çështje që i ka vendosur gjykata. Ne ramë dakord që Presidenti të vijojë rolin e tij në normalizimin e situatës politike”, u shpreh kryeministri Berisha. Berisha gjithashtu bëri të ditur se i kërkoi kreut të PS të listojë çdo kërkesë të mëtejshme, porse duke paralajmëruar se kërkesa për hapjen e kutive bie ndesh me ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Sipas kryeministrit, përmes një qëndrimi të tillë, PS po dhunon sistemin gjyqësor në vend. “Unë i kërkova zotit Rama ta listojë gjithë problematikën. Natyrisht unë nuk mund të trajtoj dhe nuk kërkoj të trajtohet problemi që kam me gjykatën sikundër problemet që Rama i ka me Gjykatën e Apelit, kjo është ajo që mund të them, çdo problem që ka me mazhorancën jam i hapur ta trajtoj, por problemet me gjykatat, jo”, deklaroi kreu i mazhorancës, Sali Berisha. Tryeza e Presidentit Topi përfundoi pas tre orësh negociata ndërmjet Berishës dhe Ramës.

Mësohet gjithashtu se Presidenti, ka kërkuar nga të dy përfaqësuesit e forcave politike, zgjidhje të ngërçit brenda kuadrit të lejuar ligjor. Për këtë, kreu i shtetit ka pranuar edhe rolin e tij si negociator, rol që ia atribuon edhe rezoluta e Këshillit të Evropës. Takimi i parë i presidentit Bamir Topi me delegacionet e dy partive kryesore politike në vend, Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, ashtu siç ishte pritur, ka konfirmuar qëndrimin radikal të Edi Ramës, i cili ka mbetur tek kërkesat antikushtetuese të hapjes së kutive, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Apelit. Qëndrimi duket se ka vendosur në pozitë edhe presidentin e republikës, i cili tashmë ka detyrimin që të identifikojë mënyra të tjera për kapërcimin e ngërçit politik, i cili duket se do të dëmtojë edhe ecurinë e reformave në vend.

Në përfundim të takimit, kryeministri Sali Berisha ka qenë i pari që është deklaruar për mediat, duke konfirmuar qëndrimin e mazhorancës se ajo është e hapur për të gjithë kompromiset që mbështeten në dy dokumente kryesore; në rezolutën e Këshillit të Evropës si dhe në raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 28 qershorit. Ende s’është e qartë se si do të vijohet dialogu, por me sa duket, afrimi i skadencës së 4 marsit për deputetët socialistë do të sjellë eksportimin e debatit brenda grupit parlamentar socialist, i cili po ndjen se është sakrifica kryesore e qëndrimit jopolitik të kryetarit të PS-së, Edi Rama.

Në deklaratën e parë zyrtare të Edi Ramës, u duk se ai kishte dalë nga tryeza në një ngushticë kohe, meqenëse u përkujdes të theksonte se oferta e tij për dialog s’mund të priste shumë gjatë. “E sqarova Berishën se ne nuk kemi punë me vendimin e gjykatave dhe nuk bëjmë përpjekje për të përmbysur rezultatin, por duam realizimin e autopsisë së zgjedhjeve të vdekura, me qëllim që zgjedhjet e ardhshme të mos jenë të tilla”, u shpreh Rama, në konferencën për shtyp. Ai theksoi se opozita nuk tërhiqet nga kërkesa për transparencë të zgjedhjeve dhe se lënia e kutive jashtë objektit të hetimit parlamentar, do të ishin shkelje e parimit për të nxjerrë në dritë të vërtetën e 28 qershorit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat