Qëndresa antikomuniste

Opinione

Qëndresa antikomuniste

Nga: Uran Butka Më: 1 mars 2010 Në ora: 17:37

Humbjet njerëzore gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, sipas vlerësimeve zyrtare shqiptare dhe Administratës së Kombeve të Bashkuara për Ndihmën Humanitare e Rehabilitimin, arrinin në 28.000 deri në 30.000 të vrarë. Nga kjo shifër, vetëm afërsisht 1/3 e tyre janë vrarë në luftë kundër okupatorëve nazifashistë, pjesa tjetër është vrarë përgjatë luftës civile të provokuar nga PKSH dhe të nxitur nga jugosllavët

Përballja me komunizmin në Shqipëri filloi qysh në vitet '30-40 të shekullit të kaluar. Përhapësit e propagandistët e parë të platformës komuniste ishin intelektualë të majtë, që kishin rënë në kontakt me idetë komuniste në Europë, veçanërisht ata që kishin qenë në BS.

Kundërshtuesit më të mëdhenj të komunizmit si ideologji dhe sistem politik, ishin nacionalistët dhe mendimtarët e shquar shqiptarë, kryesisht ata që kishin studiuar në Perëndim dhe që e kishin njohur thelbin antinjerëzor dhe antidemokratik të komunizmit si teori marksiste-leniniste, por edhe si praktikë kriminale staliniste të shtetit të parë komunist në Rusinë Sovjetike.

Lëvizja komuniste në Shqipëri, si edhe në vendet e tjera, drejtohej dhe investohej nga Kominterni me qendër në Moskë. Ajo u organizua nga agjentët komunistë jugosllavë, Popoviç, Mugosha, Jovanoviç e të tjerë, të dërguar prej Titos, që ishte përfaqësuesi dhe ndërmjetësi i Kominternit për Shqipërinë, por edhe nga Koço Tashko, që kishte ardhur në Shqipëri me udhëzimet e Kominternit (1937) dhe drejtonte Grupin e Korçës, mandej Enver Hoxha e të tjerë. Kështu doli në skenë PKSH, 8 nëntor 1941, themeluar sipas orientimeve të Moskës dhe me ndihmesën e emisarëve të Beogradit, M.Popoviç e D. Mugosha, që asistuan edhe në mbledhjen themeluese.

Gjithsesi, tradita dhe ndërgjegjja nacionaliste ishte ende dominante në Shqipëri, ajo i kishte rrënjët te platforma kombëtare e Rilindjes, ndërsa komunizmi ishte i sipërfaqshëm dhe i paasimiluar, madje i paadaptueshëm në truallin shqiptar, ideologji bolshevike e importuar nga Rusia, ndaj trysnia dhe përcaktueshmëria nacionaliste ishin imponuese në atë kohë. Madje, nacionalistët e kishin nisur të parët luftën kundër italianëve. Ata udhëhoqën opozicionin dhe demonstratat në prag të agresionit fashist mbi Shqipërinë. Nga data 3-6 prill profesorët, studentët dhe qytetarët e Tiranës, me në krye Safet Butkën e Vasil Andonin, manifestuan fuqishëm kundër këtij agresioni, si edhe kundër qëndrimit nënshtrues e kapitullues të qeverisë. Më 7 prill 1939 e kundërshtuan me armë luftëtarët nacionalistë: Abaz Kupi me oficerë të Ushtrisë kombëtare në Durrës, ku Mujo Ulqinaku derdhi gjakun. Po ashtu, Hysni Lepenica e Skënder Muço, Nazif Babani me shokë luftuan në Vlorë e Sarandë etj. Në krye të rezistencës antiitaliane ishin nacionalistët. Mjafton të përmendim veprimin e çetave të Gani Kryeziut, Abaz Kupit, Muharrem Bajraktarit, Myslim Pezës, Safet Butkës, Hysni Lepenicës, Abaz Ermenjit, Ismail Petrelës, Mestan Ujanikut, Demir Staraveckës etj., që luftonin sipas traditës shqiptare të luftës për çlirim kombëtar.

Ndërkohë, nacionalistët me Mit'hat Frashërin në krye, kishin hedhur themelet e organizatës nacionaliste Balli Kombëtar në Tiranë, më 8 prill 1939, si një alternativë kundër pushtimit fashist të Shqipërisë, por edhe si një alternativë politike e sociale, të paraqitur në programin e saj "Nacionalizma shqiptare" të vitit 1939.

Komunistët të cilët, pas nënshkrimit të paktit të mossulmimit Ripentrop-Molotov, kishin adaptuar një qëndrim pasiv, u hodhën në luftë të organizuar kryesisht pas prishjes dhe sulmit të ushtrive gjermane kundër Bashkimit Sovjetik.

Udhëzimet e Kominternit ishin që Partia Komuniste të fshihej pas lëvizjes Nacionalçlirimtare antifashiste, që të gjente mbështetje popullore dhe më pas të merrte pushtetin me dhunë.

Si një fenomen shoqëror, lufta ideologjike dhe më pas lufta e armatosur midis tyre, nuk ndodhi rastësisht apo nuk nisi menjëherë. Ajo i ka fillesat qysh me pushtimin fashist të Shqipërisë, i cili u çeli udhë dy rrymave politike dhe luftarake të kundërta: Ballit Kombëtar dhe Lëvizjes Nacionalçlirimtare, të dyja lëvizje të përftuara si një reagim ndaj pushtimit të huaj, por me mendësi, platforma e vija politike të ndryshme: njëra e djathtë, tjetra e majtë, njëra kombëtare dhe tjetra internacionaliste, njëra demokratike dhe tjetra terroriste. Këto lëvizje thithën, ngërthyen dhe mobilizuan secila pjesë të konsiderueshme të popullsisë së fshatit e të qytetit, që u përfshinë në këtë luftë, kështu që u bë ndarja e madhe e shoqërisë në dy kampe të kundërt, armiqësorë.

Konfrontimi i brendshëm i armatosur për motive politike, ideologjike, pushtetore e kombëtare midis grupimeve kryesore politike e ushtarake shqiptare, rezistenca kundërkomuniste me armë dhe lufta e përgjakshme për shtypjen e saj, janë përbërësit kryesorë të luftës civile në Shqipëri.

Deri në Kuvendin e Mukjes, përgjithësisht zotëroi fryma e mirëkuptimit, shpesh edhe e bashkëpunimit, ndërmjet dy organizatave kryesore politiko-ushtarake: Ballit Kombëtar dhe Frontit. Në muajin shkurt 1943 u arrit një kompromis ndërmjet Frontit Nacionalçlirimtar dhe Ballit Kombëtar për formimin e një Komiteti Qendror të Koordinimit, që do të bashkërendonte veprimet e tyre luftarake kundër pushtuesve.

Me këtë vullnet të përbashkët u ngritën komisionet apo komitetet krahinore të koordinimit dhe u arritën një sërë marrëveshjesh lokale, si në Korçë (shkurt 1943), Tepelenë (Bënçë) shkurt 1943, Mallakastër (shkurt 1943), Kolonjë (mars 1943), Polis-Mokërr (prill 1943), Dangëlli (prill 1943), Vlorë (maj 1943), Mat (korrik 1943) etj. Por u bënë edhe veprime të përbashkëta luftarake, si në Gjorm të Vlorës, Pocestë të Korçës, Mallakastër, Gramsh, Libohovë, Shënmëri etj.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat