Në Mitrovicë, Fyle i bien fyellit, shqiptarët as kavallit!

Opinione

Në Mitrovicë, Fyle i bien fyellit, shqiptarët as kavallit!

Nga: Behxhet Sh.SHALA Më: 11 maj 2010 Në ora: 18:10

Në Kosovë definitivisht nuk mund të flitet se ka media të lira në kuptimin e konceptit idealist për media të lira. Sikur që nuk ka në asnjë vend të botës. Bëhen matje të vazhdueshme nëpër shumë vende të botës e pastaj publikohen raporte të veçanta për lirinë e mediave. Rangimi në ato lista e një shteti të caktuar nëse respekton lirinë e mediave është në të shumtën e rasteve i motivuar politikisht dhe përdoret për trysni ndaj shtetit të caktuar apo qeverive që nuk llogariten të jenë fort demokratike! Me një fjalë vetëm preteksti është demokratik ndërsa përmbajtja është politike dhe jo gjithnjë parimore! Pastaj fillojnë presionet mbi qeveritë, caktimi i detyrave të shtëpisë, arsyetimi i qeverive në mbrojtje të interesave, sulmet e opozitës dhe krekosja e mediave, sidomos atyre që nuk çojnë ndonjë peshë në tregun medial, kryesisht nga pozita e denoncimit permanent e që nuk shohin asnjë pikë dritë në terrin informativ, sipas tyre!

Nëse kanë nevojë për ta disiplinuar qeverinë, atëherë i ndërsejnë mediat e “lira” duke i armatosur me informata të besueshme nga një burim i rëndësishëm ndërkombëtar e që këtyre mediave u siguron ekskluzivitetin për plasimin e asaj informate! Nëse ndërkombëtarët janë në valë të njëjta me qeverinë atëherë disa medie që llogariten si më të zhurmshme mbahen nën kontroll duke u ndarë projekte të ndryshme, trajnime, etj.etj.! Është krejt e natyrshme që çdo qeveri, qoftë demokratike apo jodemokratike për qëllim ka paqen me medie dhe armpushimin duan ta zgjasin sa më shumë!

Në Republikën e Kosovës gjeografia mediale nuk dallon shumë prej vendeve të rajonit. Në to ka demokraci për aq sa qeveritë dhe qeverisjet janë demokratike! Që do të thotë se ka deficit demokratik! Mediat e “pavarura” nga ndikimet politike, por të varura nga donacionet ndërkombëtare mbijetojnë duke e censuruar veten e tyre dhe duke qenë në pozita krejtësisht konformiste! Ato i vardisen pushtetit për t’u bërë pjesë e tij! Shumë gazetarë me nam por pa nishan, janë alter ego e një politikani injorant duke kryer punë të pista për ta! Në jo pak raste ata janë vrasës me porosi duke orkestruar linçime publike të personaliteteve të caktuara, qoftë edhe duke u marr me familjet e tyre dhe duke përdorë shpifjet që janë kundër çdo kodeksi moral! Ata përfundojnë si këshilltarë, deputetë, ministra dhe bëhen bartës të posteve të tjera me rëndësi! Nga krijues të opinionit shndërrohen në dhunues të opinionit! Zakonisht punojnë te ndërkombëtarët ku, në cilësinë e denoncuesit janë në marrëdhënie pune ndërsa te institucionet punojnë për shkaqe “patriotike”!

Po sa janë ndërkombëtarët vërtet transparent dhe ithtarë të fjalës së lirë?! Vlerësojeni vet të nderuar lexues me rastin vizitës së Shtefan Fyle, Universitetit të Mitrovicës së Veriut! Zotni Fyle, Komisionar për Zgjerim i BE-së na siguroi se nuk po mbahen bisedime të fshehta midis Serbisë dhe Kosovës në kohën kur vet e mbajti një takim të fshehtë me studentët serbë të këtij Universiteti që financohet nga Serbia dhe është pjesë e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë! Ai iu drejtua studentëve serbë në gjuhën serbe në ndërkohë që nuk e kam dëgjuar ta ketë përdorur një fjalë të vetme në gjuhën shqipe në Prishtinë! Ai ishte krejtësisht jotransparent dhe kundër fjalës së lirë, lirisë së mediave, si vlera fundamentale të demokracisë duke i përzënë gazetarët nga ky takim dhe duke u pamundësuar atyre që me pyetjet e tyre dhe raportet pas atij takimi ta informojnë opinionin. Shtefan Fyle i pengoi gazetarët ta kryejnë punën e tyre duke ua shkelur të drejtat e tyre! Madje gazetarët duhet të ndahen të kënaqur që ndaj tyre nuk u përdor edhe forca fizike! Ky ishte veprim skandaloz i z. Fyle dhe pikërisht këtu ranë në provim disa media të “pavarura” të Kosovës që e heshtën këtë skandal apo nuk i kushtuan rëndësi! Madje, atij iu nda një mirënjohje nga ky Universitet që administrohet nga Serbia dhe është pjesë e sistemit arsimor të Serbisë! Edhe ky shembull ma forcoi bindjen se ndërkombëtarët kritikat për çdo dështim i adresojnë te institucionet vendore ndërkaq në mënyrë joparimore i vardisen Serbisë në Kosovë përmes strukturave paralele, të cilat i konsiderojnë si struktura legale!

Prandaj, z. Fyle, duke luajtur në frulle (dyfyellëshi) në Mitrovicën e Veriut, e bënte muzikën e strukturave paralele të Serbisë ndërsa neve na e la kavallin në duar, pa të drejt t’i ndërrojmë gishtërinjtë! Me një fjalë, me këtë veprim dhe me bisedimet e imponuara “ teknike” dhe të “barabarta” vetëm se po na bëjnë me dije se nuk jemi as bira e fundit e kavallit!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat