Ligji duhet të godasë

Opinione

Ligji duhet të godasë

Nga: Eden Babani, Bruksel Më: 13 maj 2010 Në ora: 15:47

Si njëri prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Kurt Kolës gjatë viteve ’93-’94, si njëri prej ithtarëve të tij të atëhershëm, do të ma donte zemra ta shihja Kurtin sërish në krahun që i takon, t’ia shtrëngoja dorën ashtu si dikur, pasi të kishte reflektuar për ato çka, dashur a padashur, i bëri vetvetes dhe Shoqatës së dikurshme të ish-të Dënuarve dhe ish-të Përndjekurve Politikë.

Tashti, në ditën e dymbëdhjetë të grevës së urisë, kur jeta e grevistëve ka filluar të vihet në pikëpyetje, gjithkush që ndjek me vëmendje ecurinë e saj, i djathtë ose i majtë, ish-i përkëdhelur i regjimit komunist ose ish-i përndjekur prej tij, do të dëshironte përfundimin e një absurdi të tejzgjatur. Jeta e çdo shqiptari është dhjetëra, qindra, mijëra, një pafundësi herësh më e vyer se karriera politike e Edi Ramës ose e Gramoz Ruçit, e Spartak Ngjelës ose e Nard Ndokës, e Skënder Gjinushit ose e Paskal Milos, ose e gjithë emrave të tjerë që hipin e zbresin nga foltorja në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Mbroçkullat e Sabit Brokës, ish-ministrit komunist të shëndetësisë, për “betimin e Hipokratit” dhe për përkushtimin e tij ndaj jetës së grevistëve, janë flluska sapuni që nuk përmirësojnë asgjë, përveçse shtojnë dyshimet mbi ecurinë e grevës së mbyllur hermetikisht brenda çadrave.

Nëse thirrjet e Kryeministrit Berisha për të bërë transparencën e zgjedhjeve me mënyra të ligjshme, me lëshime të dyanshme dhe me kompromise politike nuk i shkojnë përshtat një grushti njerëzish të sëmurë për pushtet, atëherë s’na mbetet tjetër veç të urojmë që shteti demokratik t’i japë fund kësaj gjendjeje makthi që po përhapet dita-ditës prej fushimit të ngritur përpara Kryeministrisë, anekënd vendit. Strategjia diabolike e përshkallëzimit të tensionit po bëhet fakt i kryer përmes të ashtuquajturave protesta që synojnë bllokimin e akseve rrugore, që irritojnë nervat e qytetarëve të cilët nuk i lidh asgjë me grevën e me grevistët. Mirëpo durimi i njerëzve të pafajshëm ka një kufi. Mos vallë ëndërrimtarët për një çikë pushtet, për të zezën e tyre, presin të shpërthejë çibani i mahisur?

Edi Rama e kompani do të ishin, ndoshta, disi të justifikuar sikur të kishin guximin ta zhvendosnin fushimin prej qendrës së Kryeqytetit, në mjediset e selisë së Partisë Socialiste, që të çlironin Tiranën nga pengmarrja e tipit terrorist. Ata do të gjenin, ndoshta, mbështetje më të madhe sesa ajo e një grushti njerëzish që konfrontohen me forcat e policisë në pika nevralgjike të akseve rrugore a që ndërrohen me turne përpara çadrave të grevistëve; nëse do të nxirrnin së andejshmi të sëmurët me probleme të pariparueshme për shëndetin e tyre në të ardhshmen, do të nxirrnin nënat e do t’i dërgonin ato pranë fëmijëve pafajshëm dhe, në vend të tyre, të futeshin vetë në grevë urie.

Greva e urisë, duke qenë një e drejtë e çdo individi, është njëherësh simbol presioni politik që nuk ka të bëjë me numrin e të ngujuarve, por me mesazhin politik që i përcillet opinionit përtej vendngujimit. Le të kujtojmë të ndjerin Pjetër Arbnori dhe le të krahasojmë efektin e grevës së tij të urisë me këtë të sotmen, më të pakuptimtën e grevave të urisë në historinë e tyre. Mirëpo ideatorët e fushimit që ka bllokuar trafikun e Tiranës nuk kanë çfarë mesazhi tjetër të përcjellin përveç “Hap kutitë ose largohu!”.

Ajo çka menduan ideatorët e grevës, është përtej kufijve të arsyes. Neve nuk na mbetet veç të presim çmenduri të reja me qëllim përkeqësimin e gjendjes në vend, prishjen e imazhit të Shqipërisë në botë. Që t’i jepet fund marrëzisë, në kushtet e mungesës së një vizioni politik nga ana e atyre që kërkojnë zhbërjen e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, lipset që shteti të ndërmarrë të gjitha masat për të shpëtuar shtetasit e vet nga situata absurde që është krijuar, të vërë në përdorim të gjitha organizmat e mundshme ligjore që të shmangë më të keqen, humbjen e jetëve të njerëzve. Sepse, pas dështimit të grevës, çka tashmë është evidente, pas tensioneve artificiale mes të ashtuquajturve protestues dhe forcave të rendit që po nxiten gjithnjë e më shumë në mbarë vendin, nuk dihet çfarë dreqi do të na mbetet në derë. Kur dikush kryen një akt flagrant në kundërshtim me rendin qytetar, qoftë ky edhe ndonjë deputet i çfarëdolloj formati, ligji duhet të godasë me të gjithë fuqinë e tij. Ky është rregull universal i demokracisë qysh në lindje të këtij nocioni.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat