Hetimet duhet të shkojnë deri në fund

Opinione

Hetimet duhet të shkojnë deri në fund

Më: 8 qershor 2010 Në ora: 16:44

Në një deklaratë për media, Aleanca Kosova e Re, konsideron se hetimet e EULEX-it duhet të vazhdojnë deri në fund, pa marrë parasysh pasojat politike që mund të sjellin rezultatet e hetimeve.

Ne besojmë se EULEX-i nuk do të bëjë kalkulime politike, në dëm të vendosjes së drejtësisë për të gjitha rastet që po hetohen në të gjitha nivelet e përfaqësimit institucional.

Institucionet qeverisëse në Kosovë kanë dëshmuar se luftën kundër korrupsionit e kanë vetëm në retorikë. Prandaj kërkojmë nga EULEX-i që të veprojë sa më shpejtë, duke mos lejuar që shantazhet për destabilizim të pengojnë procesin e hetimeve të zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Kosovës.

Hetimet për korrupsion nuk e destabilizojnë vendin, por i japin shpresë të ardhmes së popullit të vuajtur të Kosovës se drejtësia po fillon të vihet në vend.

AKR përsërit edhe një herë kërkesën që hetimet të shtrihen aty ku ekzistojnë fakte reale për korrupsion dhe keqpërdorime duke përfshirë të gjitha qeverisjet.

Keqpërdorimet, korrupsioni, nepotizmi dhe keqmenaxhimi kanë qenë veprimtari ditore edhe të qeverive të kaluara, ku padyshim ka hapësirë të madhe për hetime të ish akterëve qeveritarë, për shpërdorime të skajshme të parave publike, për pasurime brenda natës, për shkelje të vazhdueshme të ligjit dhe mungesë të theksuar të transparencës në dhënien e tenderëve.

Sa i përket deklarimeve të Kryeministrit të Kosovës, z. Thaçi, për gatishmërinë e luftimit të korrupsionit. AKR konsideron se, Kryeministri mund të bëhet pjesë e luftimit të korrupsionit, aq sa ai nuk është i përfshirë drejtpërdrejtë apo indirekt në veprimtari korruptive. Derisa qeveria e tij është subjekt i hetimeve për korrupsion, atëherë puna më e mirë që mund të bëjë Kryeministri për Kosovën, është që t’i lë tërësisht në dispozicion të gjyqësisë hetimet e mëtutjeshme. Duke mos politizuar procesin e hetimeve, duke mos bërë presion dhe sa më pak të paraqitet para mediave me prokuror gjegjësisht me përfaqësues të institucioneve që e luftojnë korrupsionin.

Paraqitjet e përfaqësuesve më të lartë të shtetit, afërsia dhe përqafimet me përfaqësues ligjor institucional që hetojnë korrupsionin në Kosovë, duke u paraqitur si bashkëpunëtorë të tyre, nuk i ndihmon zgjidhjes së drejtë të lëndëve që janë nën hetime. Por kjo është edhe ndërhyrje flagrante në punën e pavarur të gjyqësorit.

Kërkojmë nga Presidenti dhe Kryeministri i Kosovës që t’i lënë hapësirë dhe të mos ndikojnë procesin e hetimeve që EULEX po zhvillon në Institucionet qeverisëse të vendit.

Është koha e fundit që kjo Qeveri të reflektojë për pasojat që ia ka sjellur vendit, me trashëgimin e korrupsionit nga qeveritë e kaluara dhe thellimin e tij, si asnjëherë më pare, në të gjitha sferat e jetës Institucionale në Kosovë. AKR vlerëson se kjo Qeveri ka humbur gjithë kredibilitetin e saj dhe nuk gëzon përkrahjen e popullit. Andaj AKR kërkon edhe një herë dorëheqjen e menjëhershme të kësaj Qeverie, për t’i lënë hapësirë zgjedhjeve të parakohshme.

Është përgjegjësi morale e institucioneve të Kosovës që të japin dorëheqje dhe t’i lënë hapësirë krijimit të një qeverie teknike e cila do ta qeverisë vendin deri në zgjedhje të parakohshme.

Populli i Kosovës sot më shumë se kurrë po reflekton për pasojat që kjo qeveri dhe qeveritë e mëhershme i kanë sjell Kosovës, me korrupsion, nepotizëm dhe mungesë të profesionalizmit në qeverisje demokratike.

Qytetarët e Kosovës, nuk do të presin pafundësisht që morali politik t’u trokas këtyre qeveritarëve në ndërgjegjen për t’i shtyrë ata të japin dorëheqje.

Kosova nuk ka më kohë të presë për të parë ndryshimet eventuale të individëve që njëherë dhe një kohë, në poste publike, kanë dëshmuar se janë korruptuar dhe të paaftë për të qeverisur.

Ne besojmë fuqishëm se Kosova, pavarësisht vështirësive, do ta fitoj betejën me korrupsionin duke vënë para drejtësisë të gjithë ata që kanë shkelur ligjin, për t’i krijuar kështu hapësirë zhvillimit normal të punës brenda institucioneve të Kosovës.

Ky do të ishte hapi i parë në fillimin e përmirësimit të imazhit të Kosovës, si një ndër vendet më të korruptuara në Evropë, ku s’ka dyshim që fajtorë për këtë, janë të gjitha qeveritë nga paslufta e deri më sot.

(P.s. Kjo është Deklaratë e AKR-së lidhur me hetimet e EULEX-it për korrupsion)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat