Hillari Klinton sjell vizionin amerikan për Ballkanin

Opinione

Hillari Klinton sjell vizionin amerikan për Ballkanin

Nga: Editoriali Më: 11 tetor 2010 Në ora: 12:53

Prej sot, siç dihet, sekretarja e Shtetit e SHBA-së, Hillari Klinton, e fillon turneun e saj në Sarajevë, në Beograd e në Prishtinë, kryeqytet e tri vendeve ballkanike të cilat përfundimisht duhet të jenë pjesë e sigurisë, e stabilitetit, e rendit, e qetësisë, e integrimeve rajonale dhe perëndimore, nëpërmjet vendosjes përfundimtare të fqinjësisë së mirë midis këtyre shteteve të pavarura dhe sovrane. Natyrisht, konsolidimi i shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, nëpërmjet funksionimit të plotë në gjithë sipërfaqen e tij dhe në kontekstin e një fqinjësie të mirë me Serbinë e cila të heqë dorë përfundimisht nga çdo politikë dhe sjellje armiqësore ndaj shtetit më të ri të botës, është vendimtar për paqen, sigurinë, të ardhmen e rajonit. Vizita e Zonjës Klinton ndodh në prag të fillimit të bisedimeve të mundshme për çështje praktike mes Prishtinës dhe Beogradit, siç komenton lidhur me vizitën Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet e Evropës dhe të Euro-Azisë, Filip Gordon. "Pikëpamja e Shteteve të Bashkuara, -tha ndihmëssekretari Filip Gordon, -është se këto duhet të jenë bisedime mes të barabartësh dhe ky do të ishte një rast që të dyja palët të ecin përpara dhe të zgjidhin çështjet e nevojshme që i ndihmojnë të shkojnë drejt integrimit evropian." Z. Gordon duke nënvizuar se nuk ka ndonjë datë konkrete për bisedimet, theksoi se ka rëndësi që ato të zhvillohen dhe Shtetet e Bashkuara presin që të jenë të angazhuara plotësisht në këtë proces. Z. Gordon më tej tha se kur Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje për dialog mes Prishtinës dhe Beogradit kjo nuk nënkupton bisedime për kufijtë. Pikëpamja e Shteteve të Bashkuara është e qartë, tha ai: “Sovraniteti dhe tërësia territoriale e Kosovës nuk duhet të preken; çështja e statusit nuk duhet të shtrohet për diskutim, as ndonjë ide për ndarje të Kosovës, sepse ndjekja e një kursi të tillë do të ishte një katastrofë për rajonin.” Në Kosovë zonja Klinton do të jetë të mërkurën të mërkurën më 13 tetor, ku do të theksojë me forcë mbështetjen e fuqishme nga ana e Amerikës për pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës. Ndërkaq nënsekretari amerikan i Shtetit James Steinberg në një intervistë në prag të turneut të zonjës Klinton tha se Sekretarja e Shtetit ka dashur prej kohe ta bëjë këtë vizitë. "Ajo është personalisht e interesuar për rajonin, ka qenë atje shumë herë më parë dhe priste rastin t’i vizitonte këto vende dhe kjo kohë është e përshtatshme për këtë qëllim," tha z. Steinberg. Në takimet që do të ketë me krerët e Kosovës, përkatësisht ushtruesin e detyrës së Presidentit, Kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, gjithsesi pritet që këta t'ia theksojnë zonjës Klinton domosdoshmërinë e shtimit sa më të madh të njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, si pjesë edhe e suksesit të bisedime, pasi shtimi i këtyre njohjeve kërkon përfshirjen e drejtpërdrejtë sa më të madhe të diplomacisë amerikane. Një temë që pritet të dalë, në kuadrin e fqinjësisë së mirë dhe dimensionit të pakicave në këtë drejtim, pritet të jenë edhe të drejtat e shqiptarëve të Kosovës Lindore (Preshevë, Medvegjë, Bujanoc) të cilat të jenë në të njëjtat standarde si të drejtat e pakicës së caktuar serbe në Kosovë. Natyrisht, turneu trevendësh i Sekretares së Shtetit të SHBA do të jetë historik për krejt rajonin e Evropës Juglindore. Duke iu dhënë fund ndërhyrjeve të Serbisë në punët e brendshme të Kosovës dhe të Bosnjës, do të konfigurohet përfundimisht në këtë rajon paqja, siguria, fqinjësia e mirë, përshpejtimi i integrimeve evropiane dhe veriatlantike. Vetëm në këtë mënyrë kjo pjesë e kontinentit dhe e botës do të shndërrohet në burim paqeje, stabiliteti dhe përparimi, duke lënë prapa përfundimisht të kaluarën, luftërat, projektet milosheviçiane të cilat do të kthenin rrotën e historisë mbrapsht në rajon dhe në kontinent.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat