Censusi në Kosovë një realitet - në Maqedoni një makabritet

Opinione

Censusi në Kosovë një realitet - në Maqedoni një makabritet

Nga: Nga Elida Buçpapaj Më: 15 janar 2011 Në ora: 10:10

Në Kosovë regjistrimi i popullsisë ose Censusi, që siguron informacion për numrin e banorëve si dhe karakteristika të ndryshme të popullsisë së saj, tanimë ka dalë nga suazat e thashethemnajeve dhe premtimeve boshe e të pambajtura të çdo qeverie që jepte fjalën se prioriteti i mandatit të saj do të ishte regjistrimi i popullsisë, gjë që e harronte menjëherë sa merrte pushtetin.

Regjistrimi i popullsisë në Kosovë për dhjetë vjet rresht ka qenë një temë tabu, nga ato që s’guxonte kush t‘i prekte pasi ishte një pikë delikate e Serbisë.

Kosova vendi me lindshmëri më të lartë në Europë dhe me popullsinë më të re në kontinentin plak, gjatë viteve të pushtimit ishte kthyer në paranojë për Milosheviçin, i cili e akuzonte popullin e Kosovës „për genocid demografik“ ndaj Serbisë, ndaj të cilit Milosheviçi vuri në zbatim genocidin dhe spastrimin etnik.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë nga Serbia tridhjetë vjet më parë dhe fakti që ky regjistrim bëhet pas tridhjet vjetësh tregon se mosrespektimi i procedurave kohore ka shërbyer për manipulime statistikore në kurriz të shqiptarëve.

Shteti i Kosovës në kushtetutë sanksionohet si një shtet multietnik, kur në fakt është një shtet me popullsi shumicë homogjene ku minoritetet përbëjnë pakicë, dëshmon për arbitraritete që janë ushqyer nga spekulime statistikore të para tridhjetë viteve.

Por tashmë gjithçka është gati dhe Zyra e Regjistrimit të Popullsisë është inaguruar prej nëntorit të shkuar, ndërkohë që është fiksuar edhe data, e cila paçka se do të jetë 1 prilli, i cili përkon me ditën e rrenave, nuk ka asnjë lidhje me atë ditë. Ky proces do të zgjasë dy javë dhe do të jetë i monitoruar.

Është një ngjarje për Kosovën Censusi i cili do të sigurojë të dhëna të frskëta dhe të rëndësihme statistikore, të cilat pastaj do të përcaktojnë karakteristikat demografike që ka pësuar Kosova këta tridhjetë vjet.

Censusi në Maqedoni rrezikon që t’i diskriminojë shqiptarët

Për koincidencë edhe në Maqedoni do të ketë regjistrim të popullsisë, datat fizike të të cilit si dhe zgjatja përputhet me ato të Kosovës, por ndërsa në Kosovë pritet një respektim rigoroz i pasqyrimit të statistikave, në Maqedoni pritet një përmbysje makabre e realiteteve demografike që sundojnë atje, ku popullsia shqiptare si palë shtetëformuese, megjithëse dihet se përbën gati gjysmën e popullsisë, ka një pasqyrim statistikor që shkon deri pak me shumë se 25 %.

Por shtrëmbërimet nga Censusi i ri në Maqedoni priten dhe ka dyshime se do të jenë shumë diskriminuese kundër palës shqiptare, ku pritet të thellohet racizmi i shtetit maqedon ndaj palës shqiptare, çka e shumëzon me zero Marrëveshjen e Ohrit.

Trishtues është fakti se Ali Ahmeti sot lideri i BDI-së, dje lider i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, që luftoi për liritë e të drejtat e njeriut të shqiptarëve, të cilat ishin shkelur brutalisht nga partia me të cilën sot ka hyrë në koalicion qeverisës, duket sikur është bërë palë me qeverinë e Gruevskit e cila përmes këtij Censusi synon të përjashtojë nga ky regjistrim të gjithë shqiptarët e Maqedonisë të cilët punojnë në emigracion dhe kanë vizat e qëndrimit të përhershëm si “Viza C”, “Green Card”, “Aufenthalt” etj., të cilët pas kësaj nuk do të ekzistojnë më si shtetas të Maqedonisë.

Nga BDI, partia e Ali Ahmetit kanë thënë se do të sugjerojnë ndryshime në projektligj, por deri tani nuk ka asgjë të re, dhe këto iniciativa nuk duhet të jenë vetëm të një partie, por duhet të unifikojnë të gjithë faktorin politik shqiptar në Maqedoni, i cili mjerisht vazhdon të jetë i përçarë.

Pra ndërsa në Kosovë presim një Census që do të hedhë dritë në mënyrë të saktë dhe profesioniste në zhvillimet demografike që kanë ndodhur aty, në Maqedoni zhvillimi i Censusit rrezikon që të kthehet në një bumerang kundër shqiptarëve, gjë që nuk duhet kurrsesi të tolerohet.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat