Evropa, revoltë ndaj planit ekonomik Merkel-Sarkozi

Ekonomi

Evropa, revoltë ndaj planit ekonomik Merkel-Sarkozi

Më: 16 shkurt 2011 Në ora: 20:21

I ashtuquajturi “pakti i kompetitivitetit” i propozuar nga Kancelarja gjermane, Merkel, dhe Presidenti francez, Sarkozi, për integrimin e mëtejshëm të vendeve të Bashkimit Evropian në çështjet ekonomike nuk është pritur mirë. Një valë kritikash ka dalë nga shumë vende të organizatës. Ja arsyet e këtij refuzimi

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, kishte kohë që nuk merrte një duartrokitje më të gjatë në Bruksel. Politikanët europianë kishte javë që e kishin vënë në shënjestër të kritikave të tyre në lidhje me ligjin shumë problematik të mediave. Por të enjten e kaluar, qindra zyrtarë të Partisë Popullore Evropiane e cilësuan Kryeministrin hungarez, një politikan konservator si një hero të vërtetë. Delegatët e EPP, një grup kristiandemokratësh dhe partish të tjera të djathta nga Evropa, u mblodh dhe vlerësoi në veçanti kritikat e ashpra të Orbanit ndaj planeve të Merkelit, dhe ajo një kristiandemokrate, për të krijuar një qeveri ekonomike për të gjithë anëtarët e Eurozonës. Orban deklaroi para audiencës: “Kini respekt për marrëveshjet dhe mos i dekurajoni 10 vendet e tjera që nuk janë anëtare të Eurozonës”. Gjermanët që ishin pjesë e audiencës ata të partisë së Merkelit kristiandemokrate dhe simotrës së saj, bavarezes socialo- demokrate e duartrokitën njëzëri Orban për pozicionin që mbajti.

Kjo ishte në përputhje me pakënaqësitë që edhe vetë politikanët gjermanë kanë me pozicionin dhe propozimin e Kancelares. Merkel synonte që të linte gjurmët e saj të padiskutueshme në reformën financiare europiane këtë vit. Gjatë javëve të fundit, Presidenti francez dhe Merkel shpalosën një plan afatgjatë që ka si objektiv krijimin e një sistemi zgjidhjeje definitiv në lidhje me krizën e Eurozonës. Por shumë vende të tjera të Bashkimit Evropian ndihen të anashkaluara nga aksi i ri Berlin-Paris dhe ndërkohë kanë nisur rezistencën e tyre ndaj një plani të tillë që tashmë ka marrë përmasa shumë të mëdha në të gjitha vendet e bllokut. Komisioni Evropian ka parashikuar një strukturë tërësisht të ndryshme për zgjidhjen e krizës krahasuar me atë të propozuar nga Merkel dhe Sarkozi. Ndërkohë, ky pakt franko-gjerman kundërshtohet fuqishëm edhe nga liderët e Bashkimit Evropian. Plani franko-gjerman ishte parashikuar të ishte i fuqishëm, por pas parashtrimit në takimin e fundit të BE-së, propozimi “u shfry si një ballonë e shpuar”.

Liderët europianë e shijuan shumë kundërshtinë dhe refuzimin ndaj planit të Merkelit për një qeverisje të unifikuar ekonomike të BE-së. Të gjithë kishin arsye për të kundërshtuar duke filluar nga anëtarët e vjetër të BE-së e deri te anëtarët e rinj të organizatës, nga vendet e pasura të veriut e deri te vendet e varfra të jugut të kontinentit të mbytura nga borxhet.

Pavarësisht argumentimeve të ndryshme ata kishin një pikëtakimi të përbashkët, atë të krijimit të një ideje për planin e Merkelit vetëm përmes një artikulli të botuar nga revista e përjavshme gjermane “Der Spiegel”. Merkeli duket se nuk e kishte konsideruar të rëndësishme që të bënte kopje të planit të saj edhe për palët e tjera brenda BE-së. Madje, në lidhje me këtë fakt, Kryeministri çek, Petr Neas tha: “Dokumenti gjerman është enigmatik. Të gjithë flasin për të, por askush nuk ia di me hollësi përmbajtjen”.

Nga 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian 19 vende e komentuan këtë propozim. Gjithsesi, të gjithë paraqitën argumente kritike, sipas tyre për sa i përket përmbajtjes, stilit dhe strukturës së propozimit. Merkel dhe Sarkozi duan që të krijojnë një “Pakt Kompetitiviteti” që do t’i detyronte anëtarët e Eurozonës që të adaptonin politika fiskale dhe sociale të forta përfshi kufizimin e pensioneve që ndihmon vetëm popullsinë e moshuar, e të tjera masa të tilla. Ky plan ka për qëllim që të jetë një shtesë ndaj fondit për krizën e vendeve të BE-së, një element që Merkel shpreson se do të ekspozojë ndaj humbjeve edhe investitorët privatë.

Anëtarët e vendeve që nuk bëjnë pjesë në Eurozonë janë inatosur nga “përçarja” që përcjell një pakt i tillë duke qenë se sipas propozimit vetëm vendet e Eurozonës do të ndërmarrin një politikë të caktuar. “Përse duhet të tregoni një ndarje me këto masa”, e pyeti Merkelin Kryeministri polak, ndërkohë që shprehu dyshime thelbësore në lidhje me propozimin dhe metodën e realizimit të tij. Edhe Kryeministri britanik, Kameron, ka protestuar kundër një Evrope me “dy shpejtësi” duke thënë se sipas tij ky ishte një propozim që i shkaktonte probleme të mëdha tregut të përbashkët të BE-së. Edhe kryeministra të tjerë i dolën kundër. Kryeministri i Belgjikës deklaroi se nuk kishte aspak ndërmend që t’u thoshte bashkatdhetarëve të tij se duhet të punonin për një kohë më të gjatë. Madje edhe vetë Kryeministri i Finlandës, një nga mbështetësit e reformave të thella financiare shprehu shqetësim për propozimin. Mbështetësi i vetëm i Merkelit ishte Sarkozia, Presidenti i Francës, i cili u përfshi në një debat shumë të nxehtë me irlandezët në lidhje me taksën e ulët për korporatat që ekzistonin në Irlandë dhe që është një nga faktorët që e ka bërë vitet e fundit vendin shumë atraktiv për investitorët e huaj. Ajo që është e qartë është se debati shfaqi për herë të parë me një forcë dhe qartësi linjat e reja të betejës brenda Evropës, pra konfliktin mes Parisit, Berlinit dhe pjesës tjetër.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat