U hap panairi i gjashtë i teknologjisë informative

Ekonomi

U hap panairi i gjashtë i teknologjisë informative

Më: 24 mars 2009 Në ora: 15:20

Qeveria e Kosovës është duke punuar për hapjen e një institucioni për studime në arsimin e lartë të teknologjisë informative dhe, po ashtu, ekzekutivi është duke punuar që qytetarëve dhe bizneseve t’u ofrohen shërbime më efikase për mes qeverisjes elektronike, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi, në hapjen e panairit të gjashtë me radhë të teknologjisë informative, organizuar nga Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit.

Kryeministri Thaçi tha të martën se Kosova ndodhet para sfidave të mëdha në shumë fusha, por prioritet i punës së kësaj qeverie është zotimi dhe përkushtimi për një zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik.

Thaçi u ka premtuar biznesmenëve të teknologjisë informative se Qeveria e Kosovës do t’i ndihmojë ata në lehtësimin e punës dhe do t’i përkrahë deri në fund.

“Faza aktuale e zhvillimit të teknologjisë informative në Kosovë për mendimin tim është mjaft bashkëkohore, por megjithatë duhet të kërkojmë angazhimin e komunitetit tuaj, një komunitet i fuqishëm pasi që Kosova ka potenciale praktike profesionale për një zhvillim edhe më të madh në këtë lëmi. Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për ta përkrahur këtë sektor”, tha Thaçi.

Ai me këtë rast ka përmendur disa nisma konkrete që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës rreth avantazheve në teknologjinë informative.

“Në kuadër të programit të Qeverisë së Kosovës 2008/2011 është paraparë qeverisja si politikë parësore në drejtim të përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë së shërbimeve qeveritare. Qytetarëve dhe bizneseve do t’u ofrohen shërbime edhe më efikase përmes qeverisjes elektronike”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri Thaçi tha se qeveria do të angazhohet që edhe në fushën e qeverisjes elektronike dhe teknologjisë informative të jetë pjesë me rëndësi në Evropë dhe rajon.

Ndërsa, ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj panairin e teknologjisë informative e ka cilësuar si shumë të rëndësishëm për Kosovën. Ai ka shprehur bindje se ky panair në të ardhmen do të bëhet panair tradicional.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë së bashku me partnerët tanë privatë që edhe në vitet tjera në vijim ky panair të kthehet dhe të bëhet ashtu siç ka filluar, por jo vetëm panair për Kosovën, por jam shumë i bindur që edhe në përpjekjet dhe mbështetjen e qeverisë së Kosovës ky panair do të kthehet në një panair tradicional”, u shpreh Limaj.

Panairi i gjashtë i teknologjisë informative, i cili u hap nën përkujdesjen e Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, do të zgjasë deri më 26 mars. KP

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat