Gjermania - investuese e madhe në Shqipëri në fushën e farmaceutikës

Ekonomi

Gjermania - investuese e madhe në Shqipëri në fushën e farmaceutikës

Më: 21 maj 2009 Në ora: 22:59

Me një përvojë të suksesshme 20 vjeçare në Gjermani dhe vende të tjera të Europës, Dermafarma gjermane është investitori më i madh që vjen në Shqipëri në fushën e prodhimeve farmaceutike. Hans Georg - Feldmeir, anëtar i bordit dhe përfaqësues i kësaj kompanie në Shqipëri tregon se Dermafarma ka blerë 100% të aksioneve të Profarmës, kompanisë së vetme shqiptare për prodhimet farmaceutike. Investimi do të fillojë së shpejti me ngritjen e një fabrike të re në Tiranë, pikërisht atje ku dikur kinezët ndërtuan fabrikën e Antibiotikut, tani të dalë jashtë përdorimit. Fabrika e re do të quhet përsëri "Profarma".

"Qëllimi ynë është të forcojmë prodhimin e Profarmës në Shqipëri. Kemi sjellë prodhime të reja nga Gjermania për t´u regjistruar në Ministrinë e Shëndetësisë në Shqipëri. Synojmë që prodhimi i këtyre medikameteve të bëhet në Tiranë, sipas standarteve gjermane të cilësisë", thotë Hans -Georg Feldmeier.

Projekti i fabrikës së re ka përfunduar. Deri në fund të vitit investimi prej 4 milion eurosh i Dermafarmës për ta ndërtuar fabrikën do të ketë përfunduar fazën e tij të parë. Të gjitha makineritë do të sillen nga Gjermania. Krahu i punës dhe specialistët do te jenë vendas, kryesisht ata që kanë punuar tek Profarma. Kriteret kryesore të prodhimit: cilësi e lartë, çmime të mira.

" Në industrinë farmaceutike ne flasim për GMP "good manufactering practices" Ky është një standart evropian, që tregon cilësinë në kuptimin e gjerë të fjalës: në prodhim, mjediset ku ai kryhet dhe ku punojnë punëtorët, menaxhim, procedurat brenda kompanisë farmaceutike për të arritur cilësinë më të lartë. Ky është një rregullim europian, që synojmë ta sjellim në Shqipëri për të qenë të sigurtë që prodhimi ka cilësinë më të mirë europiane," thotë Hans Georg - Feldmeir.

Produktet e deritanishme të Profarmë-s kanë qenë të vetmet medikamente vendase. Gjinofeva Gurga, farmaciste në Farmacinë qëndrore të Tiranës, thotë se cilësia dhe çmimi i tyre është i mirë dhe njerëzit i blejnë duke i preferuar ato, në vend të medikamenteve greke apo indiane.

"Aspirinën e Profarmës klientët e marrin kudo që shkojnë. Edhe ilaçet e tjera janë të mira. Cilësia me çmimin përshtaten. Njerëzit janë mësuar dhe i blejnë," thotë Gjinofeva Gurga.

Por investimi gjerman do të hapë një faqe të re në imazhin e farmacistëve dhe klientëve shqiptarë për Profarmën. Shumëllojshmëri medikamentesh, cilësi e lartë gjermane, çmime të arsyeshme.

"Jemi në fazën e diskutimeve me autoritetet e shëndetësisë për të futur medikamnetet tonë në listën e rimbursimit. I kemi bërë të ditur kësaj Ministrie çmimet e këtyre produkteve. Dhe ato rezultojnë të jenë më të lirat në tregun shqiptar. Dhe kjo është shumë interesante, sepse kemi të bëjmë me një produkt gjerman me cilësi gjermane. Futja e rreth 40 medikamenteve te Dermafarmes në listën e rimbursimit do t'i sjellë kompanisë të ardhura, të cilat do të përdoren për të zgjeruar investimin po në Shqipëri. Edhe sistemi shqiptar i sigurimeve do të përfitojë nga hyrja e medikamenteve gjermane në listën e rimbursimit, pasi çmimi i tyre është më i ulti në tregun shqiptar, " thotë Hans Georg - Feldmeir.

Ambiciet e investimit gjerman ne industrinë farmaceutike në Shqipëri janë edhe më të mëdha se shumëllojshmëri produktesh, cilësi e lartë, çmim i ulët. Dermafarma gjermane synon të kthejë Tiranën në prodhuesen kompetente të një tregu rajonal.

"Synimi ynë është të rritemi këtu, në tregun shqiptar si qendra e një tregu më të gjerë që përfshin Kosovën, Maqedoninë. Nga Tirana drejt rajonit duke zhvilluar Profarmën si një kompani farmaceutike rajonale", përfundon Hans- Georg Feldmeir.

Ani Ruci/ Tiranë

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat