Konfindustria: Të ndërtohet treg i hapur ekonomik Shqipëri - Kosovë

Ekonomi

Konfindustria: Të ndërtohet treg i hapur ekonomik Shqipëri - Kosovë

Më: 6 qershor 2009 Në ora: 23:40

Tiranë, 6 qershor- Konfindustria, shpreh shqetësimin e saj se vonesat në ndërtimin e politikave të përbashkëta ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës për krijimin e Tregut Mbarëkombëtar Shqiptar 7 milionësh do të ulin ndjeshëm në afatgjatë efektivitetin ekonomik të investimeve strategjike me vlerë të lartë, sikurse është rruga Durrës-Kukës dhe investimet në rrjetet energjetike të te dy vendeve.

Në këtë kuptim Gjergj Buxhuku Administrator i Përgjithshëm ka thënë se Konfindustria, i kërkon vendimmarrjes politike në Shqipëri dhe Kosovë, që sa më shpejt të merret nisma për krijimin e një Këshilli të Përbashkët i Nivelit të Lartë, për të bërë të mundur hartimin e politikave të nevojshme për ndërtimin e Tregut Ekonomik Shqiptar të hapur dhe për vendet e tjera të rajonit, sipas përvojës së BE.

Konfindustria sipas Buxhukut e quan kohë të humbur me pasoja të rënda për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të Shqipërisë dhe Kosovës dhe mirëqenies së shqiptarëve, vonesat e krijimit të legjislacionit të nevojshëm për ndërtimin e Tregut Ekonomik të Hapur Mbarëshqiptar, si mundësia më e madhe për të bërë të mundur tërheqjen e investimeve të mëdha strategjike të huaja, fuqizimin ekonomik/industrial të domosdoshëm dhe rritjen e mirëqenies së shqiptarëve.

“Konfindustria, duke përfituar edhe nga afrimi i zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit në Shqipëri kërkon nga vendimmarrja politike e të gjitha ngjyrave të kenë si qëllim parësor në programet e tyre zgjedhore dhe më pas në zbatim, pikërisht përgatitjen e politikave të përbashkëta financiare, fiskale, ekonomike, të tregut të punës, etj., ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, me qëllim që të ndërtohet dhe të funksionoj në një kohë sa më të shpejtë tregu i hapur ekonomik mbarëshqiptar”, është shprehur ai. Me keqardhje vihet re se ndërkohë që investimet në infrastrukturë rrugore, portuale dhe energjetike po ecin me hapa të shpejtë, ndërtimi i politikave për krijimin e legjislacionit të duhur për krijimin e tregut të përbashkët shqiptar është mjaft i ngadaltë. Përjashtim bën sektori i energjetikes në të cilin është përparuar në mënyrë të kënaqshme në harmonizimin e sistemit energjetik të Kosovës dhe Shqipërisë me përfitim të ndjeshëm të dyanshëm.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat