Rritja ekonomike ishte 5.4 për qind në vitin 2008

Ekonomi

Rritja ekonomike ishte 5.4 për qind në vitin 2008

Nga: Blendi Gashi Më: 25 qershor 2009 Në ora: 21:06

Prishtinë, 25 qershor - Ekonomia botërore në vitin 2008 është karakterizuar me krizë të rëndë financiare, efektet e së cilës u transmetuan edhe në sektorin real të ekonomisë, duke shkaktuar rënie në aktivitetin ekonomik në mbarë botën, por ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2008 kishte rritje reale të Bruto Produktit Kombëtar prej 4.5 për qind. Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Hashim Rexhepi, i cili prezantoi raportin e punës së BQK-së për vitin 2008, e cilësoi si vit mjaft sfidues, por me të arritura mjaft të mëdha për Kosovën. “Gjatë vitit 2008 ekonomia e Kosovës u rrit në shkallë prej 5.4 për qind, rritje që i dedikohet rritjes së konsumit dhe investimeve private, rritjes së nivelit të shpenzimeve dhe të investimeve kapitale nga ana e buxhetit të shtetit, si dhe remitancave apo të hyrave nga transferet e punëtorëve tonë në botën e jashtme”, u shpreh ai. Ai tha sektori financiar i Kosovës ka treguar rritje të qëndrueshme, ku asetet e përgjithshme të sektorit financiar kanë shënuar ngritje për 22 për qind, kurse sektori bankar mbetet sektori dominues. Mesatarja e shkallës së adaptueshmërisë së kapitalit ka qenë 16. 5 për qind, shkallë dy herë më e lartë se sa parashihet nga standardet ndërkombëtare, që është tetë për qind. Gjithashtu ai tha se edhe sektori i industrisë së sigurimeve është rritur për 8 për qind, sigurimet vullnetare po ashtu kanë shënuar rritje mbi 65 për qind, transaksionet kanë shënuar rritje në vlerë prej 7 për qind në numër dhe 26 për qind në vlerë. Ai tha se pritet që gjatë muajit korrik të rishikohet ligji për pensionet, dhe të jetë sipas rregullave ndërkombëtare. Remitancat kanë pasur rënie të lehtë prej 5-9 për qindi. Rexhepi kërkoi nga qeveria e Kosovës dhe agjencitë e pavarura që të punojë më shumë sepse janë faktorët dominant drejt zhvillimit ekonomik.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat