Bullgaria dorëzohet - ‘Kosova e Re’ shpresa e Ballkanit

Ekonomi

Bullgaria dorëzohet - ‘Kosova e Re’ shpresa e Ballkanit

Më: 2 gusht 2009 Në ora: 19:39

Prishtinë, 2 gusht - Eksponentë të rëndësishëm të qeverisë së re të Bullgarisë deklaruan së fundmi se ky vend ka nevojë të rishikojë angazhimet e veta në projektet strategjike energjetike dhe të pranojë realitetin e shifrave.

Lajmi bëhet i ditur nga mediat vendase. Kreu i ri i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Martin Dimitrov, tha se projekti për një central bërthamor me fuqi të instaluar prej 2000 megavat, është tepër i kushtueshëm dhe mund të kërcënoje stabilitetin financiar të këtij vendi.

“Nëse do të ketë një investitor privat të gatshëm për t’u angazhuar në këtë projekt dhe që të mbajë rreziqet përsipër, atëherë ne mund ta diskutojmë. Por, projekti nuk mund të kryhet duke rrezikuar paratë e taksapaguesve bullgarë”, tha ai.

Edhe ministri i ri i Financave, Simeon Dyankov, shtoi se projekti është shumë i kushtueshëm dhe se buxheti i Bullgarisë është shumë i vogël për të përballuar diçka të tillë.

Bullgarisë i kërkohet të japë garanci për kredi prej 3.9 miliardë eurosh që do të merren nga kompania publike përgjegjëse për ndërtimin e termocentralit, por tani për tani, qeveria duhet të mendojë se si do të mbulojë deficitin prej 1 miliard eurosh të këtij viti.

Më herët është krijuar një konsorcium mes kompanisë publike bullgare NEK dhe asaj gjermane RWE për ndërtimin e termocentralit.

Projekti i Bullgarisë ishte parë si shpresë për të gjithë Ballkanin, por tash duke se ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” në vendin tonë do të jetë shpresa e vetme për Ballkanin.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim më 15 korrik për fillimin e projektit për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re. Vendimi parasheh një strategji me pesë pika veprimi, ku secila fazë do të shkojë paralelisht me tjetrën, për të zgjidhur, siç është thënë, problemin kronik të energjisë në Kosovë.

Ky parashihet të jetë projekti më i madh që ka nisur të realizojë deri tash Kosova me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare. Kostoja e këtij projekti, sipas llogaritjeve të tanishme, parashihet të jetë deri në 3.5 miliardë euro.

Vendimi për Termocentralin "Kosova e Re" parasheh edhe dhënien me koncesion të minierës së Sibovcit për 40 vjet kompanisë që do ta fitojë tenderin për ndërtim të termocentralit të ri.

Nevojat e Kosovës mendohet të jenë nga 700 deri në 800 megavat, por Qeveria mendon ta eksportojë rrymën. Qeveria po ashtu ka në plan edhe ndërtimin e një hidrocentrali në Zhur, me kapacitet prej 300 megavatesh.

Rajoni jonë është nën krizë të thellë energjetike dhe në vitin 2012, kriza pritet të përkeqësohet, për shkak se në atë kohe parashikohet që edhe Bullgaria, i cili është vendi i vetëm suficitar në rajon, do të mund të prodhojë më pak se sa kërkesa për konsum.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat