Porti i Durrësit më moderni në Mesdhe

Ekonomi

Porti i Durrësit më moderni në Mesdhe

Më: 6 gusht 2009 Në ora: 11:00

Viti 2009 ka qenë një vit transforimesh të mëdha e të rëndësishme për Portin Detar të Durrësit. Drejtori i Autoriutetit Portual, Eduard Ndreu, shprehet se investimet në infrastrukturë po e kthejnë atë në një nga portet moderne të Mesdheut, i cili synon të përpunojë 12 milion ton mallra në vit, ose tre herë më shumë se sa kapacitetet aktuale vjetore të përpunimit si dhe mbi 1 milion udhëtarë me tragete. Vetëm para një muaj është hapur për automjetet pas disa dekadash bllokimi hyrja kryesore e Portit Detar të Durrësit. Sipas drejtorit Ndreu, projekti prej 140 milion lekë, i financuar nga Autoriteti Portual ka mundësuar rifillimin e lëvizjes së automjeteve në hyrjen tradicionale, që nis nga Sheshi 'Liria' dhe vijon me Rrugën 'Tregtare' drejt portit më të madh te vendit. Autoveturat dhe mjetet e lehta motorrike të pajisura me leje hyrjeje elektronike, që vijnë nga Rruga 'Tregtare', rruga 'Skënderbej' dhe ajo 'Taulantia', kanë në dispozicion dy korsi hyrjeje në mjediset e pjesës administrative të portit, e cila është rindërtuar plotësisht dhe është pajisur me sheshe të gjëra parkimi, falë projektit të realizuar. Brenda të njëjtit projekt është rikonceptuar edhe porta nr. 2 e Portit Detar pranë Bankës Tregtare, në të cilën mundësohet dalja e të gjitha automjeteve të tonazhit të lehtë. Investimi i ri ka mundësuar rritjen e sigurisë dhe monitorimin e të gjithë hapësirës portuale, mes të cilave edhe në hyrjen kryesore tradicionale portuale, ku bashkë me kalimtarët mund të hyjnë edhe automjetet.

Pjesa tradicionale e Portit në projektet e Autoritetit Portual

Hyrja kryesore e Portit të Durrësit ka mbetur e bllokuar për disa dhjetëvjeçarë radhazi. Ajo ka shërbyer vetëm për lëvizjen e këmbësorëve, punonjës të portit apo të sektorëve të tjerë brenda këtij territori. Në vitet 1960-1980, ajo shfrytëzohej nga autoveturat vetëm në rastet e vizitave të delegacioneve shtetërore të nivelit të lartë, ndërsa në vitet e para të tranzicionit ajo mbeti e mbyllur për automjetet për shkak të tentativave të eksodit me anije drejt Italisë. Në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të kaluar, territori i Portit Detar dhe hyrja kryesore e tij u vunë disa herë nën ruajtjen e forcave të Policisë, të Gardës dhe të Forcave Speciale të Ushtrisë, por ndërsa gjendja nisi të normalizohej vit pas viti në të gjithë rrethimin portual, hyrja kryesore mbeti e pandryshuar. Ajo përdorej vetëm nga kalimtarët. Pjesa tradicionale e portit është pjesë e projekteve të Autoritetit Portual. Brenda këtij viti, Drejtoria e Autoritetit Portual synon të rikthejë në gjendjen e tyre të parë fasadat e godinave të ndërtuara në kompleksin hyrës të portit në fund të viteve 1920, si dhe të godinave të tjera të ndërtuara pas viteve 1960.

Katërfishohet numri i udhëtarëve në Portin e Shëngjinit

Vetëm një muaj nga vënia në funksionim e tragetit Shëngjin - Bari dhe anasjelltas, numri i personave që udhëtojnë përmes kësaj linje është katërfishuar. Fluksi i pasagjerëve përbëhet kryesisht nga udhëtarë që kanë si destinacion zonat veriore të vendit, Kosovën apo Malin e Zi. Vendosja e kësaj linje, por edhe rruga e re Rrëshen-Kalimash e ka kthyer Portin e Shëngjinit në një nyje të rëndësishme të zonës veriperëndimore, duke shkurtuar në mënyrë të ndjeshme distancat me pjesën tjetër të vendit, por edhe rajonin. Kjo linjë po u shërben më së miri edhe turistëve të huaj, të cilët po vizitojnë çdo ditë e më shpesh plazhet e Shëngjinit dhe Lezhës. Për të përballuar fluksin në rritje, autoritetet kanë parashikuar futjen në pune edhe të një trageti të dytë, masë që sipas tyre do të eleminojë vonesat dhe lehtësojë më shumë lëvizjen e qytetarëve. Trageti i linjës Bari - Shëngjin kryen udhëtime dy herë në javë, por sipas drejtuesve të kompanisë brenda një kohe të shkurtër ky itinerar do të jetë më i shpeshtë. Bileta për një udhëtim të tillë kushton vetëm 35 euro.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat