'British Airwyas' ul çmimet 15 përqind në relacionin Prishtinë Londër

Ekonomi

'British Airwyas' ul çmimet 15 përqind në relacionin Prishtinë Londër

Më: 24 shtator 2009 Në ora: 14:02

Vendimi i menjëhershëm i "British Airways" erdhi pas përfshirjes së kësaj kompanie në Programin Nxitës dhe Stimulues për Kompanitë Ajrore nga ana e menaxhmentit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, program i cili ishte miratuar dhe përkrahur disa muaj më parë nga ana e Bordit Drejtues të ANP së. Kjo është hera e parë në historinë e këtij aeroporti që ANP ndikon në mënyrë të drejpërdrejtë në uljën e çmimit të biletave për udhëtarët. Çmimet e biletave janë ulur për 15 për qind në bllok, që shprehur në vlera monetare i bie nga 25 e deri 120 euro, varësisht se sa kushtojnë biletat në afate të ndryshme kohore. "Bordi i ANP së të cilin unë e drejtoj prej më shumë se një vit, ka përkrahur Menaxhmentin në përpilimin e Programit Nxitës dhe Stimulues për Kompanitë Ajrore me të vetmin qëllim që të ofrojmë kushte sa më të mira për kompanitë ajrore që eventualisht do të shpienin deri tek ulja e çmimeve të biletave. Përshëndesim iniciativën e kompanisë 'British Airwyas' për këtë reagim pozitiv dhe të menjëhershëm për uljen e çmimeve. Gjithashtu ftojmë edhe kompanitë ajrore e tjera të reagojnë njëlloj", tha kryetari i bordit të ANP, Bekim Jashari. Drejtori Menaxhues i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Agron Mustafa, tha se ndihet personalisht shumë i kënaqur që erdhi deri të ulja e çmimit të biletave. "Orientimi drejt konsumatorit në këtë rast krijimi i shërbimeve sa më të mira për udhëtarët dhe kompanitë ajrore si dhe lirimi i çimeve, ka qenë caku im që në momentin që kam marrë pozitën e Drejtorit Menaxhues të ANP së. Programi Iniciativ Nxitës dhe Stimulues do të japë efekte jo vetëm të British Airwyas, i cili i ka ulur çmimet por edhe te shumë kompani të tjera që kanë aplikuar dhe kanë përfituar nga ky program", tha Drejtori Menaxhues i ANP së, Agron Mustafa. Sipas tij, ANP pavarësisht që heq dorë fillimisht nga disa të ardhura që do ti realizonte përmes taksës pas aplikimit të programit, ato do ti kthehen në mënyra tjera. Ndërsa menaxheri shtetëror për Shqipëri dhe Kosovë i kompanisë "British Airwyas", Albion Idrizi, theksoi se kjo ulje e çmimeve është e përhershme dhe ka ardhur falë punës së menaxhmentit të ANP së. Për Programin Iniciativ Nxitës dhe Stimulues kanë aplikuar dhe i është miratuar edhe kompanive të tjera ajrore. "British Airwyas" operon me katër fluturime në javë në relacionin Prishtinë Londër dhe anasjelltas ndërsa gjatë vitit të kaluar ka qarkulluar rreth 40 mijë udhëtarë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat