Ka apo s’ka Kosova naftë?

Ekonomi

Ka apo s’ka Kosova naftë?

Nga: Prof. dr. Bajram Shabani Më: 5 shkurt 2009 Në ora: 14:57

Interesimi për shikimin e mundësive për gjetjen e vendburimit të naftës është shumë i madh. Mundësitë për gjetjen e kësaj nafte në Kosovë datojnë qysh në vitet e gjashtëdhjeta. Hulumtimet e para të kësaj nafte kanë filluar në periudhën 1963-1968 nga “Naftagasi” i Novi Sadit, me financim 51.4 për qind “Naftagasi” dhe 48.6 për qind Kosova. Ma vonë në vitin 1978 kërkohej nga Miniera e Boksitit që të participojë me “Naftagasin” që bashkërisht të jenë bartësit e hulumtimeve ku me disa kontakte të shpejta në atë kohë, në Novi Sad, arritëm që të fillojnë hulumtimet gjeologjike në ndërtimin e terrenit dhe eventualisht të identifikojmë paraqitjet në sipërfaqe të naftës dhe gazit. Po ashtu vazhdohej me hulumtimet e metodave gravimetrike, magnetometrike, gjeoelektrike dhe seizmike.

Gjatë vitit 1978 angazhojmë edhe Ndërmarrjen Kërkimore “Indusriaprojekt” nga Zagrebi për t’i kryer punimet në “Sendimentet strati-metalogjenike” dhe në strukturat foto-gjeologjike, duke përfshirë një sipërfaqe prej 5.650 km2 për hulumtim.

Në kohën kur unë përcillja hulumtimet janë gjetur tri paraqitje të bitumen-asfaltit në fshatin Prapashticë në jugperëndim të Ferizajt dhe në afërsi të fshatit Burnik. Në atë kohë është konstatuar se trashësia e sendimenteve të terciarit është shumë variabile dhe është vlerësuar përafërsisht 1000 m, ndërsa ajo maksimale deri në 2000 m. Shtresat e përshtatshme tektonike dhe format strukturale për hulumtime të mëtutjeshme në hidrokarburet ndahen në rrafshin e Prizrenit, Rahovecit dhe Pellgut qymyrëmbajtës të Dukagjinit.

Hulumtimet po ashtu kanë treguar në mundësitë e gjetjes së kolektorëve te këta shkëmbinj, duke përfshirë mundësinë e ekzistimit të shkëmbinjve, mbrojtjes të cilët kanë penguar daljen e gazit nga hidrokarburet me gjasë nëse kanë ekzistuar akumulime të tilla. Shikimet e bëra për përcaktimin e lokacioneve më precize për dy shpime kanë qenë të nevojshme, që sa më parë të bëhen hulumtime plotësuese gjeofizike si dhe të përfundojë përpunimin stratimetrik dhe fotogjeologjik i përpunuar në pjesën lindore të Kosovës.

Hulumtimet plotësuese gjeofizike janë përpunuar për shkak të disa paqartësive dhe për t’i vërtetuar shënimet e fituara nga teknika e vjetër, për çka është e nevojshme që edhe sot të punohet metoda tredimensionale e mbulesave të shumëfishta shkëmbore (DTA) për të bërë korreksionet e shënimeve në lokacionet më të përshtatshme për të vendosur shpimet kërkimore. Për vlerësimin e perspektivitetit të hulumtimeve të mëtejshme të naftës dhe gazit duhet të punohen programet shtesë dhe të bëhen investime të fuqishme për të ardhur deri te një vëllim i punëve minimale, pa të cilat nuk mund të vijë deri te vlerësimi i këtyre vendburimeve.

Me sigurimin e mjeteve investive, për një kohë të shkurtër mund të vijë te mundësitë reale për udhëheqjen e këtyre punimeve deri në vitin 2015. Bazuar nga pikëpamja e mundësive të tanishme dhe kritereve financiare, kërkimet e bëra deri më tani janë të një shkalle të ulët të perspektives me njohuri të terreneve naftëmbajtese për të cilat në 30 për qind të zonave të hulumtuara nuk mjafton të themi a ka apo nuk ka naftë në vendin tonë. Nëse marrim për bazë nevojat e naftës në tregun botëror dhe krizat ekonomiko-financiare, tani ia vlen që shteti - Republika e Kosovës t’u qaset seriozisht kërkimeve në hulumtimin e gazit dhe naftës duke përfshirë edhe ujërat termale si kompleks i veçantë në zgjidhjen e krizës energjetike në vend dhe jashtë vendit.

Pra, momenti është i duhur, sepse bota është në kërkimin e alternativave të reja të prodhimit të energjisë elektrike, ku nëse ne tani vonohemi, dikur do të bëhet vonë për të ardhur në rend për kërkimin e lëndëve djegëse të lëngëta të një rëndësie të veçantë për shtetin tonë më të ri në botë- Kosovën.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat