Qeveria gjermane investon në agrikulturë

Ekonomi

Qeveria gjermane investon në agrikulturë

Nga: Aziz Zuka, BOTA SOT Më: 2 mars 2009 Në ora: 16:38

Kompani të ndryshme të shtetit gjerman, kanë shprehur interesim për investime në fushën e agrikulturës dhe energjisë në komunën e Vitisë. Drejtuesit e kompanive “Agrar-con” dhe asaj “Clivent” nga Gjermania, gjatë vizitës që i bënë kësaj komune shprehën interesimin për investime në krijimin e kooperativave bujqësore si dhe në ndërtimin e një pende që do të shërbente për prodhim e energjisë elektrike dhe për ujitjen e mbi 5 mijë hektarëve të tokës bujqësore. Kryetari i Vitisë, Nexhmedin Arifi, ka takuar investitorët gjermanë, për të cilët tha se kanë plane konkrete për investime në komuna të ndryshme në Kosovë. Kurse Avni Misini, drejtor për bujqësi, shtoi se kompania “Agrar –con” ka plan konkret për krijimin e kooperativave për fermerë, përmes së cilave do të përkrahë fermerët të kultivojnë prodhime të ndryshme industriale, për të cilat prodhime do të ishte i sigurt edhe tregu. Ndërkaq, sa i përket kompanisë “Clivent”, Misini, tha se kjo kompani ka shprehur interesim që në lumin “Morava e Binçës” të ndërtojë një pendë e cila do të mundë të prodhonte 4 deri 5 megavat të energjisë elektrike, do të mundë të siguronte ujë të pijes për gjithë banorët e kësaj komune, si dhe ujitjen e rreth 5 mijë hektarë të tokës bujqësore. Sipas ekspertizave të bëra nga ekspertë të KFOR-it amerikan, kjo pendë mund të ngrihet në lumin “Morava e Binçës”, ku mund të akumulohen deri në 60 kub ujë në sekondë, që llogaritet që është sasi e mjaftueshme për prodhimin e energjisë, sigurimin e ujit të pijshëm si dhe ujitjen e tokës, tha Misini.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat