Serbia e ka me gjithë mend

Ekonomi

Serbia e ka me gjithë mend

Nga: Ymer Bajra, BOTA SOT Më: 4 mars 2009 Në ora: 15:09

Prej 3 dhjetorit të vitit të kaluar, Serbia nuk ka lejuar qarkullimin e mallrave e prodhuesve tanë, në ‘letrat’ e të cilëve figuronte vula e Doganave të Kosovës. Vendimin e këtillë e mban në fuqi fqinji ynë verior edhe sot e kësaj dite, meqë nuk e konsideron e pranon Kosovën si shtet të pavarur e sovran. Për Serbinë, siç dihet, Kosova vazhdon të jetë territor i saj (sic!). Ajo me kokëfortësi vazhdon të mos e pranojë realitetin e ri, atë që këtu, në Kosovë, është dashtë të ndodhë shumë më herët.

Kjo e papritur, ishte një “dush i ftohtë” për bizneset tona, veçmas për ato që prodhojnë për tregjet e jashtme. Si ata, (biznesmenët), ashtu edhe organet tona më të larta, në njëfarë mënyre me arsye, këtë gjest joparimor të Serbisë, sikur nuk e morën sa duhet seriozisht.

Ky nuk ishte “lluft-ballon”

Fillimisht qe menduar se një veprim i këtillë, (mendohet në ndalimin e qarkullimit të mallrave tona nëpër këtë vend, por edhe në tregun e saj), është farë lloji i “lluft-ballonit”, që ta “preki” pulsin autoriteteve të fqinjit të saj jugor – Kosovës, e cila, atëbotë, me të madhe përgatitej për aktin më madhor në historinë e vet, shpalljen e Pavarësisë.

Me kalimin e kohës, u pa se kjo nuk ishte vetëm ajo që thamë më lartë, d.m.th. bllokada e produkteve tona në kufi ‘fliste’ se Serbia e kishte me gjithë mend. Koha që pasoi, e vërtetoi këtë.

Një ndodhje kësodore, në kushte normale, nuk ishte dashtë të pasonte në asnjë mënyrë. Sepse, fqinji ynë verior, edhe nëse abstrahojmë statusin e Kosovës, ka lëverdh të zhvillojë këmbim mallrash me vendin tonë. Në anën tjetër, të dy vendet janë nënshkruese të Marrëveshjes për Tregti të Lirë CEFTA, akt këtë që e kryen vjet në Bukuresht të Rumanisë.

Mandej, një veprim i këtillë domosdoshmërisht i shti në funksion parimet e reciprocitetit. Po të ndodhë kjo, (e që normalisht duhet të ndodhë), humbëse do të jetë Serbia, kur dihet se si vëllimin i mallrave, ashtu edhe vlera e tyre që Kosova i plason në tregun serb, është shumë herë më e vogël se produktet e Serbisë që më të madhe e më shumë se të tjerët, i kanë mbushur raftet e shitoreve tona. Për këtë flet edhe përqindja e lartë e pjesëmarrjes së Serbisë në importin e gjithmbarshëm të Kosovës. Statistikat tona tregojnë se Serbia merrte pjesë me 12 për qind në totalin e importit gjatë vitit që lamë pas. Kur të kihen patrasysh vendet e rajonit, fqinji ynë verior mban vendin e dytë të plasmanit të produkteve të saj në Kosovë. Më shumë se Serbia, (18 për qind të produkteve të importuara në Kosovë), në vendin tonë eksporton fqinji ynë jugor - Maqedonia.

Reciprociteti – s’ka alternativë

Bllokada e produkteve në etiketat e të cilave është e shënuar “Made in Kosova” nga ana e autoriteteve zyrtare serbe, me të drejtë brengosi tej mase komunitetin tonë të biznesit, i cili një pjesë të mirë të inputeve të produkteve të destinuara për tregjet jashtë Kosovës, i ka marrë (dhe i merr) nga Sërbia, sikundër që, po ashtu, një pjesë të prodhimeve finale, i ka plasuar në tregun e fqinjit verior.

Ndalimi i qarkullimit dhe plasmanit të prodhimeve të Kosovës në Sërbi dhe Bosnje, (këtë të fundit vetëm do përmendur, sepse me të Kosova zhvillon këmbim minor), prodhuesve tanë u shkakton dëme të shumëfishta. Atyre jo vetëm që u vështirësohet realizimi i prodhimeve të destinuara për eksport, por nga kjo bllokadë, ata nuk janë në gjendje t’i përmbushin obligimet e kontraktuara me partnerë të caktuar afaristë, për ç’shkak i humbin ata. Partnerët afaristë shumë vështirë sigurohen, ndërsa humben lehtë. Raportet në mes tyre, i përcakton ligji i tregut, i cili s’di për pardon.

Edhe përkundër situatës së krijuar nga kjo bllokadë, institucionet tona më të larta ekzekutive, (lexo: Qeveria jonë), në mënyrë disi të ngathtë dhe me komplekse(!), nisi të merret me këtë çështje. Në mes tjerash, edhe për këtë arsye, rezultatet përfundimtare, së pakut deri më tash, janë baras me zero.

Sipas bindës së biznesmenëve të Kosovës, reciprociteti, që do të thotë bllokada në të njëjtën mënyrë e qarkullimit dhe plasmanit të prodhimeve serbe te ne, është e vetmja alternative.

Logjika e interesit

Për këtë solucion u përcaktua edhe një pjesë e përfaqësuesve të Qeverisë, por jo e tëra! Në fund sikur rezultoi se organi ynë më i lartë ekzekutiv, problemin mendon ta zgjidhi me masa politike e marrëveshje dhe jo me masa të njëjta. “Qeveria jonë është e mendimit që të zgjidhë çështjet, e jo të krijojë probleme të reja”, deklaroi para gazetarëve zv/kryeministri, Hajredin Kuçi.

Një njohës shumë i mirë i rrethanave tona ekonomike (e politike), në kushte anonimiteti tha se masa e reciprocitetit ndaj Serbisë, vështirë mund të aplikohet, ose kurrë nuk do të ndodhë. Sepse, në këtë mënyrë do të cenoheshin interesat parciale e njerëzve të caktuar, që janë të padukshme, por me ndikim të madh. Ata shumë vështirë do të pranojnë që t’u nxirret “torta” nga goja.

Përkundër kësaj, duhet të pritet edhe ca kohë. Përfaqësuesit e Qeverisë, megjithatë, kanë premtuar se problemi i bllokadës së mallrave të Kosovës nga Sërbia, do të zgjidhet pa vonuar shumë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat