Gashi: Deri tash ka pas vetëm bisedime joformale me PDK-në

Kosova

Gashi: Deri tash ka pas vetëm bisedime joformale me PDK-në

Më: 10 shkurt 2011 Në ora: 14:01

Aleanca Kosova e Re zyrtarisht edhe të enjten nuk ka pranuar se ka arrit marrëveshjen për bashkëqeverisje me Partinë Demokratike të Kosovës. Përfaqësues të AKR-së kanë thënë se janë duke zhvilluar bisedime joformale si në raport me partinë fituese, ashtu edhe me faktorin ndërkombëtar, por sipas tyre këto takime janë vetëm në nivel bisedimesh joformale.

Nënkryetari i AKR-së, Ibrahim Gashi në një konferencë për media, i pyetur se a kanë arrit marrëveshje për bashkëqeverisje me PDK-në, ka thënë se ende vazhdojnë të kenë bisedime jo formale me faktorin ndërkombëtar dhe me PDK-në.

“Në një farë mënyrë janë duke u zhvilluar bisedime joformale, si brenda partisë, si në raport me partinë fituese, si në raport me faktorin ndërkombëtar, por ende ato janë në nivel bisedimesh joformale dhe nuk mund të them asgjë”, ka thënë Gashi.

Kurse, lidhur me kushtet e mëhershme që ka vënë kjo parti për një qeveri me duar të pastra, Gashi ka thënë se kusht kryesor e kanë krijimin e hapësirës së mjaftueshme për ta implementuar programin e AKR-së.

“AKR-ja kushtin kryesor e ka krijimin e hapësirës së mjaftueshme për të impelmentuar pjesë të programit të saj, në dikasteret që drejton”, është shprehur ai.

Ndryshe, kjo parti pretendon të ketë postin e presidentit të Kosovës, post për të cilin kanë mandatar kryetarin e AKR-së, Bexhet Pacolli.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat