Thaçi: Nuk ka status special për veriun

Kosova

Thaçi: Nuk ka status special për veriun

Më: 13 mars 2011 Në ora: 11:36

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështje teknike do të përmbyllet me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë dhe integrimin e të dyja shteteve në strukturat euroatlantike, duke i dhënë kështu fund kapitullit të konfliktit në rajon.

Ai këto komente i bëri të dielën në një konferencë për media para nisjes për vizitë zyrtare në Republikën e Turqisë, ku me ftesë të kryeministrit Rexhep Tajip Erdogan, do të marrë pjesë në Samitin Botëror të Liderëve të Ndryshimeve, që do të mbahet nga 14 deri në 15 mars në Stamboll.

Duke folur për dialogun, rrethi i parë i të cilit është mbajtur më 8 dhe 9 mars në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kryeministri Thaçi ka thënë se ky dialog ka nisur mbarë dhe do të përfundojë me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.

"Bisedimet mes Republikës së Kosovës dhe të Serbisë, apo dialogu për çështje teknike siç e dini ka filluar mbarë. Ky dialog do të përmbyllet me njohjen reciproke të Kosovës për Serbinë dhe Serbisë për Kosovën si dy shtete të pavarura dhe do të përmbyllet me integrimin e Kosovës dhe Serbisë në NATO dhe në BE, dhe përfundimisht do të përmbyllet kapitulli i konflikteve në rajonin tonë, do të ketë paqe, stabilitet dhe frymë euro atlantike", ka thënë kreu i ekzekutivit.

Kryeministri Thaçi ka përjashtuar mundësinë që pjesë e dialogut të jetë statusi dhe integriteti territorial i Kosovës.

"Integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm, është i njohur ndërkombëtarisht. Kosova është një, unike dhe për rregullimin tonë të brendshëm vendosim ne në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet tona", është shprehur ai.

Shefi i Qeverisë së Kosovës ka thënë se Kosova ka agjendën e saj të ecjes përpara drejt integrimeve euroatlantike, ndërsa ka hedhur poshtë mundësinë që veriu i Kosovës të fitojë status special.

"Nuk do të ketë status special. E theksoj për rregullimin e brendshëm ne në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, dhe nuk do të vinë në shprehje në asnjë rrethanë ide të tilla. Kam theksuar edhe më herët dhe e ritheksoj edhe sot se kjo nuk do të jetë kurrë kjo temë", ka thënë kryeministri Thaçi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat