Deri më tash janë regjistruar afro 500.000 banorë

Kosova

Deri më tash janë regjistruar afro 500.000 banorë

Më: 5 prill 2011 Në ora: 16:24

Edhe në ditën e 5 të fillimit , procesi i regjistrimit të popullsisë, të ekonomive familjare dhe të banesave po shkon mirë. Sipas informacioneve preliminare, deri tash në Republikën e Kosovës janë regjistruar afro 500.000 banorë të përkatësive të ndryshme nacionale.

Këto konstatime dolën në pikën e regjistrimit nr. 75, në rrugën “Zija Prishtina”, ku banon familja e Reshat Kurteshit, në shtëpinë 44/A. Në këtë pikë regjistrimi ishte i pranishëm edhe ministri i MAP-it, Mahir Yagcilar me bashkëpunëtorë, i shoqëruar edhe nga Ibrahim Shabani, u.d. i kryeshefit ekzekutiv të ESK-ut. Kryefamiljarët e kësaj familjeje, Reshat dhe Myrvete Kurtesh, u shprehën të kënaqur me punën që po bëhet në këtë proces, pas një periudhe mjaft të gjatë.

Ishte ky një rast i mirë, për Ministrin dhe drejtuesit e ESK-ut, për të parë për së afërmi si po rrjedh ky regjistrim. Duke veçuar mendimin e vet për procesin e regjistrimit, ministri Yagcilar iu tha gazetarëve se ky është një proces i rëndësishëm shtetëror, i cili po shkon në vijën e duhur. Meqë është i tillë, ne vazhdimisht po u themi qytetarëve se me grumbullimin e këtyre të dhënave nga regjistrimi bëhet një planifikim më i mirë si në aspektin shoqëror, ashtu edhe në atë ekonomik.

Ndaj, kam të drejtë kur them se regjistrimi është në dobi të qytetarëve të vendit tonë, pa dallim, dhe mu për këtë i ftoj ata që të bashkëpunojnë me regjistruesit dhe me zyrtarë të tjerë të regjistrimit, në mënyrë që të kemi të dhëna sa më të sakta. Dua t’ua përkujtoj edhe një herë, tha Yagcilar, se ky regjistrim evidencon banorët rezident, të cilët në 12 muajt e fundit gjenden në Kosovë. Pos kësaj, theksoi ai, regjistrimi bëhet drejtpërdrejt, kurse çdo qytetar nga mosha 15-vjeçare e ka të drejtën të përgjigjet vetë para regjistruesve.

Në këtë proces janë të angazhuar dhe po bashkëpunojnë mirë KQZ-ja, ESK-u/ZRK-ja, UNOPS-i dhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian. Qeveria dhe MAP-i, gjithashtu, po japin kontributin e tyre. Dhe, mbi këtë bazë, tha Yagcilar, ne do të vazhdojmë të sensibilizojmë opinionin për peshën dhe rëndësinë që ka regjistrimi për popullatën dhe shtetin. Edhe u.d. i kryeshefit ekzekutiv, Ibrahim Shabani, u shpreh i kënaqur me punën që është duke u bërë në terren, duke shtuar se çdo ngecje eventuale po eliminohet me sukses.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat