Lëshimi i pasaportave biometrike fillon gjatë verës

Kosova

Lëshimi i pasaportave biometrike fillon gjatë verës

Më: 2 maj 2011 Në ora: 12:15

Lëshimi i pasaportave biometrike do të fillojë gjatë verës, bëjnë të ditur zyrtarë të Ministrisë së Brendshme, duke thënë se është në fazën e fundit procesi i përzgjedhjes së kompanisë që do të prodhojë pasaportat.

Pasaportat biometrike do të fillojnë të lëshohen shumë shpejt, bën të ditur këshilltarja e Ministrit të Brendshëm, Edona Baruti. Ajo tha se procedurat e tenderit që pati shpallur kjo ministri tashmë janë në fazën përfundimtare dhe se kompania fituese që do të prodhojë këto pasaporta do të dihet shumë shpejtë. Në anën tjetër eksperti i çështjeve të integrimit evropian Avni Mazreku vlerëson se me fillimin e dhënies së pasaportave biometrike, institucionet e vendit përmbushin njërin ndër kriteret kryesore të procesit të liberalizimit të vizave.

Kosova ende nuk e ka marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian. Ministri i Brendshëm Bajram Rexhepi në fund të vitit të kaluar pati shprehur zhgënjimin e tij në institucionet evropiane pasi ato bënë të ditur se dorëzimi i udhërrëfyesit nuk do të ndodhë në atë kohë. Megjithatë institucionet e vendit po përmbushin një plan të njëanshëm të kritereve për liberalizimin e vizave.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat