Vizita e Stefanoviqit turp i madh dhe skandal i pashoq

Kosova

Vizita e Stefanoviqit turp i madh dhe skandal i pashoq

Më: 12 maj 2011 Në ora: 11:37

Në kohën kur kryenegociatori serb Borko Stefavoniq pritej të hynte në Kosovë për t’u takuar me zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, ligjvënësit opozitarë në Kuvend e kanë quajtur këtë si një turp dhe skandal të pashoq. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka thënë se çka do që Kosova rrezikon të humbë me Serbinë në këtë dialog në të cilin po zhvillohet, përgjegjëse do të jetë vetëm kjo qeveri e papërgjegjshme.

Konjufca ka theksuar se kryeministrit Hashim Thaçi në seancën e kaluar në inperpelancë, i janë shtruar shtatë pyetje, por në asnjërën nuk ka dhënë përgjigje, ndërkohë, sipas tij, pyetjes nëse Qeveria e Kosovës e njeh Serbinë, Qeveria i është përgjigjur gjatë kësaj jave, duke vendosur që ta pres kryenegociatorin serb Borko Stefanoviq.

“Në seancën e kaluar i kemi shtruar nja shtatë pyetje kryeministrit, por ai nuk është përgjigjur në asnjërën. Ishte një pyetje a e njeh Qeveria e Kosovës Republikën e Serbisë. Por për këtë pyetje kemi marrë përgjegjigje këtë javë, ngase sot Qeveria e Kosovës e pret kryenegociatorin serb Borko Stefavoniq. Ky është një turp i madh dhe skandal i pashoq. Në kohën kur ne jemi këtu në seancë, zyrtarët e Kosovës takohen me Borko Stefanoviqin. Me atë jo që nuk do duhej të takoheshin, por as të lejohej të vinte në Kosovë, sepse Borko Stefanoviq e përfaqëson shtetin serb, i cili vrau e djegu në Kosovë”, ka thënë Konjufca.

Megjithatë, kjo ishte çështje e ngritur gjatë kohës për deklarime të tilla dhe me kaq është përmbyllur çështja e vizitës së Stefanoviqit në Kosovë, ndërkohë deputetët kanë ngritur çështje të ndryshme.

Ndërkohë, deputeti i PDK-së, Berat Buzhala ka ngritur çështjen e zhvillimeve të fundit në komunën e Prishtinës, duke kërkuar që të sqarohet fakti që mbrëmë është dhënë informata se kryetari i komunës, Isa Mustafa ua ka ndaluar zyrtarëve policorë që të hyjnë në komunën e Prishtinës.

“Kjo është në vazhdën e bllokadës nga kryetari i Prishtinës për Policinë e Kosovës që ta kryejnë punën e tyre. Kërkoj nga ministri i Punëve të Brendshme dhe drejtori i Policisë të sqarojnë se çka po ndodhë me rastin dhe a ka rënë policia nën ndikimin e deklaratave politike të Isa Mustafës”, ka thënë Buzhala.

Ndërkaq, deputeti i Vetëvendosjes, Afrim Hoti ka ngritur çështjen e personave të pagjetur, duke thënë se Qeveria e Kosovës, jo vetëm që nuk po bën sa duhet për zbardhjen e fatit të tyre, por madje në mënyrë të pandjeshme e futë këtë çështje në kuadër të bisedimeve e Beogradin.

“Qeveria nuk e ka marrë seriozisht çështjen e ta pagjeturve dhe kjo është parë edhe me rritjet e fundit të pagave nga Qeveria, e cila nuk ua rriti pagat vetëm familjeve të personave të pagjetur. Kaq e pandjeshme është kjo qeveri sa që çështjen e të pagjeturve ka vendosur që ta fus në kuadër të dialogut me Serbinë. Eshtë turp që një çështje thellësisht humane të hidhet në tavolinën e bisedimeve. Merreni me mend, këta po pranojnë të negociojnë për viktimat me vetë ata që e kanë bërë krimin”, ka thënë Hoti.

Por kryeparlamentari Jakup Krasniqi, të cilit deputeti Hoti i ka kërkuar kohë shtesë në fjalën e tij ka thënë se nuk është mirë të lëndohen të tjerët me një çështje të dhimbshme, sikur që është fati i personave të pagjetur.

Ndërkohë, deputeti i PDK-së, Arsim Bajrami, si kryesues i Komisionit për amandamentimin e Kushtetutës ka informuar ligjvënësit për konstituimin e këtij komisioni, ndërkohë ka kërkuar që kryesia të akordojë një buxhet për funksionimin e tij deri në rishikimin e buxhetit.

Ai ka thënë se puna e komisionit ndahet në tri faza: identifikimi i dispozitave kushtetuese që do t’iu nënshtrohen ndryshimeve, identifikimi i amendamenteve për këto ndryshime dhe hartimi i ligjit për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit, në mënyrë që të plotësohet korniza ligjore për implementimin e reformës kushtetuese.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka kërkuar në emër të grupit që institucionet, përkatësisht Kuvendi të punojë në drejtim të rregullimit të statusit të kryetarëve të komunave të Kosovës, në mënyrë që pas përfundimit të mandatit, ata të kenë të ardhura financiare.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat