Opozita: Qeveria po e nënçmon popullin e Kosovës

Kosova

Opozita: Qeveria po e nënçmon popullin e Kosovës

Më: 12 maj 2011 Në ora: 14:46

Përfaqësuesit e opozitës në Kosovë e konsiderojnë vizitën e kryenegociatorit serb Borko Stefanoviq në Kosovë si një marketing të politikës serbe për interesat e saj, të cilës po i jep mundësi edhe Qeveria e Kosovës me pritjen e zyrtarit serb. Deputetë nga opozita kanë thënë se Stefanoviq nuk do të duhej të pritej nga zyrtarët e Kosovës, ndërkohë kryengociatorja e Kosovës, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka theksuar se kjo vizitë dhe ky takim është në kuadër të dy shteteve të pavarura dhe sovrane.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri ka thënë të enjten se nga kjo vizitë nuk pret asgjë, pasi që kjo është vetëm marketing politik i Serbisë.

“Kjo është një lloj marketingu politik që Serbia e bën dhe nuk do të dëshironim që të bie në grackën e këtij marketingu edhe vetë Qeveria e Kosovës dhe zyrtarët e Qeverisë së Kosovës. Nuk di pse i kushtohet rëndësi ardhjes së një zyrtari të administratës që për ne është asgjë më shumë se një zyrtar, pavarësisht se e përfaqëson Serbinë në bisedime. Mendoj se niveli me nivelin duhet të takohet dhe jo të ngritet niveli i tij pa e pasur fare nga niveli institucional që Stefanoviq e ka atje. Ne nuk presim asgjë konkrete sikur që nuk kemi pritur as me herët dhe nuk do të ndodhë asgjë e jashtëzakonshme edhe me ardhjen e tij”, ka thënë Beqiri.

Ndërkaq, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, duke mbrojtur parimet për refuzimin e procesit të bisedimeve në tërësi dha edhe arsyetimet pse takimi i Stefanoviqit me zyrtarët e Qeverisë së Kosovës nuk do të duhej të ndodhte fare.

“Kemi të bëjmë me një zyrtar, i cili mbron qëndrimet politike të Serbisë. Serbia neve jo vetëm që nuk na njeh, por ajo për më tepër na lufton duke mos i zgjedhur veprimet dhe mjetet. E dimë financimin e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë, e dimë se Serbia bën fushatë për mosnjohjen e Kosovës, se Serbia e ka vënë para Gjykatës Ndërkombëtare të drejtësisë pavarësinë e Kosovës. Të gjitha këto janë qëllime politike të Serbisë dhe një zyrtar i Serbisë në këtë rast i përfaqëson këto qëndrime. Të ftohet nga Qeveria e Kosovës që ai të shpërndajë propagandë helmuese antishqiptare prej institucioneve tona, kjo është plotësisht e padrejtë dhe kjo nuk është dashur të ndodhë”, ka thënë Konjufca.

Kurse, Ardian Gjini shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, ka theksuar se qasja e Qeverisë së Kosovës ndaj gjashtë pikëshit të Ban Ki-Munit dhe ndaj bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë e ka sjellë një situatë të tillë, kur sovraniteti i popullit nuk po përfaqësohet në mënyrë adekuate dhe të denjë.

“Populli i Kosovës është sovran në shtetin e vet sikur popujt tjerë që janë sovran në vendet tjera, dhe ky sovranitet duhet të përfaqësohet të paktën me reciprocitet në këto takime. Ajo që ne mendojmë është se niveli i pritjes, niveli i takimeve, agjenda e takimeve nuk po përfaqëson sovranitetin e Kosovës. Pra, Qeveria e Kosovës po dështon që ta përfaqësojë sovranitetin tonë. Qeveria po e nënçmon popullin e Kosovës, shtetin e Kosovës”, është shprehur Gjini.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Koalicionit për Kosovë të Re, Ibrahim Makolli, vizitën e Stefanoviqit e konsideron si marketing të Serbisë nga i cili nuk do të fitojë asgjë Kosova, mirëpo ai thekson se Stefanoviqit po i jepet më shumë rëndësi sesa që e ka në fakt.

“Në të vërtetë, kësaj vizite dhe këtij zyrtari të Serbisë as që duhet t’i japim rëndësi, sikurse që po ka tendenca që t’i jepet”, ka thënë Makolli.

Ai megjithatë mendon se nuk do duhej të pritej Stefanoviqi nga institucionet e Kosovës.

Në anën tjetër, homologia e Stefanoviqit, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, këtë vizitë e sheh në kuadër të marrëdhënieve bilaterale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në bazë të kërkesës zyrtare të Stefanoviqit për një vizitë ndërshtetërore në Republikën e Kosovës, atij i është mundësuar ardhja në Kosovë dhe në bazë të lejes, të cilën ai e ka kërkuar, ne e kemi pranuar në vizitë dhe do të kemi takime në kornizën midis dy shteteve të pavarura dhe sovrane. Do të bisedojmë për marrëdhëniet midis dy shteteve të pavarura në të ardhmen si dhe do të bisedohet për mbarëvajtjen e dialogut teknik të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, ka thënë Tahiri.

Sipas saj, edhe vetë Stefanoviq është i vetëdijshëm që vjen në një shtet të pavarur dhe sovran, i cili tashmë është njohur nga 75 vende, të cilat kanë fuqi shumë të madhe në kontekstin global.

Ndryshe, vizita e Stefanoviqit në Kosovë vjen katër ditë para raundit të katërt të bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit që po mbahet në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat