Organizohen kundër shqiptarëve te “Kroi i Vitakut”

Kosova

Organizohen kundër shqiptarëve te “Kroi i Vitakut”

Nga: Hysni Syla Më: 5 prill 2009 Në ora: 22:13

Mitrovicë - Bazuar në veprimet që janë duke i ndërmarrë ditëve të fundit, ekstremistët serbë të lagjes “Kroi i Vitakut”, në Mitrovicë, tregojnë edhe një herë se janë të vendosur për të krijuar probleme dhe konflikte të rënda, vetëm e vetëm për të mos lejuar kthimin e shqiptarëve në shtëpitë e tyre në këtë lagje. Kështu, në një letër të hapur që ekstremistët serbë të kësaj lagje e kanë shpërnda të dielën në veriun e Mitrovicës, nga serbët kërkohet që përmes alarmit të tubohen, në rast nevoje kundër shqiptarëve që duanë të kthehen në pronat e tyre. “Gjithmonë kemi qenë më të fortë në mbrojtjen e Kosovës e Metohisë, kur kemi qenë unik, andaj kështu duhet të jemi edhe tash. Vetëm bashkimi i shpëton serbët”, thuhet në letrën e shpërndarë në pjesën veriore të qytetit. Si duket, këtë veprim të tyre po e inkurajojnë edhe zyrtarët e UNMIK-ut, të cilët thonë se për ndërtim të këtyre shtëpive duhet të ketë marrëveshje midis serbëve dhe shqiptarëve. Kështu, përfaqësuesi i UNMIK-ut, Jouzas Kazllas, “Nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje, kam frikë se do të ketë konfrontime në këtë pjesë të Mitrovicës midis serbëve dhe shqiptarëve dhe atëherë është e mundur që të ndërhyjë policia e EULEX-it dhe KFOR-i”, ka thënë Kazllas. Shtrohet pyetja: Përse duhet pyetur serbët për rindërtimin e shtëpive shqiptare që ata vet i kanë djegur, kur rindërtimi i tyre nuk i rrezikon fare serbët dhe nuk janë të lidhur fare me vendbanimin e serbëve? Të vepruarit kësisoj nga ana e UNMIK-ut ka bërë që deri tash të mos kryhen punimet as në shtëpinë e vëllezërve Kadriu, që ishin nisur vjeshtën e kaluar, me ç’rast pati eksese të shumta, të shkaktuara mu nga ekstremistët serbë. Megjithëkëtë, Rasim Veseli, drejtor i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë në komunën e Mitrovicës, ka thënë të dielën se punimet në rindërtim e dy shtëpive të vëllezërve Kadriu dhe të Habib Ramës e Halil dhe Sefedin Mehmetit, do të fillojnë diku rreth datës 10 prill, pra në javën që po hymë. Edhe kryetari i komunës, Bajram Rexhepi, tha të dielën se beson se do të fillojë rindërtimi i këtyre pesë shtëpive, pasi që nuk ka asnjë arsye që kjo të pengohet. Ai ka thënë se policia dhe KFOR-i duhet të krijojnë një “tampon-zonë” midis serbëve dhe këtyre të shtëpive, në mënyrë që punët të mos pengohen. “Serbët janë të interesuar për të krijuar konflikte, kurse ne jemi të interesuar që të rindërtojmë shtëpitë e djegura dhe që qytetarët të kthehen të jetojnë në to. Serbët nuk janë të kërcënuar nga shqiptarët që do të kthehen në pronat e tyre, andaj është e pa tolerueshme që ata të vendosin se a do të kthehen shqiptarët në pronat e tyre, apo jo”, tha Rexhepi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat