Rexhepi: Kufiri me Malin e Zi mund të luhet 200 ose 300 metra

Kosova

Rexhepi: Kufiri me Malin e Zi mund të luhet 200 ose 300 metra

Më: 19 korrik 2012 Në ora: 20:16

Vizita e ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, që i bënë qytetit të Pejës ka qenë inkurajuese për zyrtarët rajonalë të policisë së Pejës në luftimin e kriminalitet në këtë pjesë të vendit. Rexhepi dhe Maxhuni kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të ndihmuar Drejtorinë Rajonale të policisë dhe të gjithë qytetarët në aspektin e ngritjes së sigurisë, sigurisë në komunikacion rrugor, sigurisë së pasurisë etj.

Gjatë ditës, Rexhepi e Maxhuni janë takuar edhe me kryetarin e komunës së Pejës, Ali Berisha, me të cilin është biseduar për gjendjen e sigurisë në vend. Me qëllim ngritjen e nivelit të sigurisë për qytetarët dhe performancës më të mirë të policisë, ministri Rexhepi ka prezantuar projektin e ngritjes së një objekti të ri të policisë rajonale që do të jetë më funksional.

“Është e nevojshme ngritja e një objekti të ri të policisë rajonale të Pejës, që do të jetë funksionale dhe do të ndikoj në ngritjen e efikasitetit të policisë ”, ka thënë ministri Rexhepi.

I pyetur nga gazetarët se çfarë sigurie pritet nga policia kur brenda vet stacionit policor vidhet, ministri ka thënë “se në Policinë e Kosovës nuk ka vend për policë të tillë, ata që zihen do të lihen jashtë policisë”. Por ka shprehur bindjen se policia është institucion i besueshëm dhe çdo herë në proces të avancimit.

“Edhe brenda policisë mund të ketë njerëz të tillë, por ata nuk do lejohen t’ia humbin vlerën Policisë së Kosovës”, ka thënë Rexhepi.

Ministri i Brendshëm ka folur edhe për çështjen e kufirit me Malin e Zi. Ai ka garantuar se kjo çështje do të rregullohet, ndërsa për pronarët e tokave do të ofrohen dokumente speciale për kalim të kufirit.

“Çështja e demarkacionit është problem që do të zgjidhet, kufiri mund të luhet 200 ose 300 metra, por ajo nuk do të jetë problem për banorët që kanë tokat në ato pjesë. Ata do të pajisen me leje të veçanta për t’iu mundësuar lëvizja pa ndonjë problem dhe do të punojnë tokat pa pengesa”, është shprehur Rexhepi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat