Diskriminohen nxënësit shqiptarë

Kosova

Diskriminohen nxënësit shqiptarë

Nga: Kushtrim MALIQI Më: 24 qershor 2009 Në ora: 17:57

Preshevë, 24 qershor

Të drejtat e shqiptarëve në Preshevë në krahasim janë më të ngulfatura se sa të atyre të serbëve në Kosovë, sidomos në sferën e arsimimit. Problemet më të theksuara janë në lëndët e historisë, në atë të gjeografisë, të gjuhës shqipe...Këto shqetësime i ka shprehur për gazetën tonë "Bota Sot" z. Abdyrrahman Zylfiu, drejtori i gjimnazit "Skënderbeu" në Preshevë. Qyteti i Preshevës së bashku me fshatrat për rreth në gjimnazin drejtimi përgjithshëm si dhe drejtimet e ndara teknike, së bashku numërojnë rreth tre mijë nxënës. Për një pjesë e madhe, pas mbarimit të shkollë së mesme ia mësyjnë dyerve të universiteteve më të afërta si në Prishtinë, Tiranë apo në atë të Tetovës. Por, ka edhe të atillë që dalin jashtë për të studiuar, këta të fundit varet nga xhepi i tyre. Sa i përket arsimimit dhe teksteve në shkollat shqipe në rajonin e Preshevës, nxënësit bashkë me mësimdhënësit viteve të fundit po ballafaqohen me probleme të larmishme, sidomos me tekstet të cilat janë diskriminuese për shqiptarët.

Nga viti 2002 këshilli i profesorëve të lëndëve përkatëse bënë përpjekje të vazhdueshme për përmirësimin e kësaj gjendjeje, duke përpiluar dhe hartuar alternativa të ndryshme, madje ata kanë arritur edhe deri tek përgatitja e teksteve "ideale" për nxënësit shqiptarë dhe ato tekste i janë dërguar ministrisë së Beogradit, e cila nuk kishte vullnetin e nevojshëm për të marrë në konsideratë këto projekte. Sa i përket lëndës së gjuhës dhe letërsisë shqipe, grupi i cili është marrë me këtë çështje kanë hartuar plan-programin, që nuk përputhet me atë që ka imponuar regjimi i Beogradit.

Abdylrrahman Zylfiu, profesor i historisë, njëherësh edhe drejtor i shkollës së mesme "Skënderbeu" duke shprehur shqetësimet e tij, tha për gazetën tonë: "tendenca e grupit të historianëve ka qenë që në plan-programin arsimor të futet 30 % e njësive mësimore nga historia e popullit shqiptarë". Mirëpo, sipas tij, kjo është mundësuar vetëm pas klasës së gjashtë fillore dhe nga këtu fillon diskriminimi i nxënësve shqiptarë në viset tona.

Kërkesat e arsimtarëve dhe institucioneve lokale të Preshevës janë "të njohura, ku nga autoritetet kërkojnë minimumin, që nga 30 % që do të thotë nga 74 orë gjithsej në javë, rreth 20 orë të jenë dedikuar historisë së popullit shqiptarë, por regjimi i Beogradit ka lejuar vetëm 8 %, shifër kjo që flet për diskriminim total për zhvillimin e kulturës dhe njohjes së historisë së popullit të atij kombi që i takojmë. Përderisa, nxënësve serbë në Kosovë u lejohet të mësojnë për Kral Nikollën dhe jo për Skënderbeun, Ibrahim Rugovën apo Adem Jasharin, shqiptarëve në komunën e Preshevës, jo vetëm që iu ndalohet të mësojnë figurat e tyre të ndritshme kombëtare, por atyre iu imponohet të mësohet Kral Nikolla apo Ivo Andriqi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat