Qeveria nuk vendos t’i shpallë të pavlefshme zgjedhjet serbe?

Kosova

Qeveria nuk vendos t’i shpallë të pavlefshme zgjedhjet serbe?

Nga: Ismail Shabani e Albulena Neziri Më: 16 gusht 2009 Në ora: 21:08

Prishtinë, gusht – Institucionet e Kosovës, edhe përkundër deklarimeve se zgjedhjet e organizuara nga Serbia në Graçanicë e Gorazhdec, të dielën, janë të pavlefshme dhe ilegale, ende nuk kanë vendosur, nëse do të marrin vendim për shpalljen edhe formale të pavlefshme të këtyre zgjedhjeve. Po këto, “zgjedhje”, të cilat Beogradi vendosi t’i përsëriste, nuk u shpallën me asnjë akt juridik nga qeveria e Kosovës, si zgjedhje të pavlefshme. Po ashtu asnjëherë më parë në 10 vitet e shkuara, asnjë qeveri apo legjislaturë e Kuvendit, nuk kishte nxjerrë ndonjë akt juridik me të cilin do t’i shpallte të pavlefshme. Si të tilla, ato vazhdonin të ruanin dhe forconin strukturat paralele serbe në gjithë Kosovën, ndërsa pohimet e institucioneve për pavlefshmërinë e zgjedhjeve, i merrte era.

Derisa zyrtarë të qeverisë shprehen se nuk janë të sigurt për marrjen e ndonjë vendimi, opozita e quan qeverinë e Kosovës si të dështuar, pasi sipas tyre zgjedhjet tregojnë edhe pasqyrën e vërtet se çfarë institucionesh të pa përgjegjshme dhe jo kompetente ka shteti më i ri Kosova. “Ekzekutivi i vendit do të duhej të parandalonte organizimin e zgjedhjeve të një vendi tjetër në territorin e Republikës së Kosovës”, thonë ata. Por, Ramë Manaj, zëvendëskryeministër i Kosovës, thotë se për qeverinë dhe institucionet më të larta të shtetit të Kosovës, zgjedhjet serbe që po mbahen në Kosovë janë të pa vlefshme e të pa pranueshme. “Janë të organizuara nga një shtet tjetër, dihet me çfarë motivesh për të destabilizuar vendin tonë. Zgjedhjet janë të pavlefshme, apriori, edhe nëse merret ndonjë vendim nga ana e Qeverisë së Kosovës për shpalljen të pavlefshme ato legalizohen. Zgjedhjet serbe janë të pavlefshme, sepse nuk kanë asnjë bazë legale me Kushtetutë, me ligje dhe me akte. Janë në një organizim të një shteti tjetër, i cili përpiqet të minimizoj realitetin e krijuar në Kosovë”, thotë zëvendëskryeministri Manaj. Ndërsa, Naser Rugova, deputet nga radhët e LDD-së, thotë se institucionet e Kosovës jo që duhet të marrin ndonjë vendim për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve serbe që mbahen në Kosovë, por është dashur që të merr vendim për mos lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve. “Duhet që njëherë e përgjithmonë t’i thuhet JO zgjedhjeve, manipulimeve, lojërave të ndyta dhe destabilizimit të vendit tonë me provokime kaq të rënda, sepse vendet më të fuqishme në botë e njohën sovranitetin e Republikës së Kosovës. Është një nonsens diplomatik, politik e juridik që po e bënë Serbia ndaj një shteti të pavarur dhe institucionet tona nuk kanë bërë asgjë, kanë zgjedhur rrugën e heshtjes, rrugën e poshtërimit dhe degradimit institucional që po i bëhet shtetit dhe qytetarëve të Kosovës”, thotë Rugova. Sipas tij, kjo për Lidhjen Demokratike të Dardanisë është e pa pranueshme dhe e dënueshme. “Po ashtu këto zgjedhje tregojnë edhe pasqyrën e vërtet se çfarë institucionesh të pa përgjegjshme dhe jo kompetente ka shteti më i ri Kosova. Jo që do të duhej të merret ndonjë vendim për shpalljen e zgjedhjeve të pa vlefshme, por ato edhe ashtu janë të pavlefshme dhe jo legjitime për popullin e Kosovës”, thotë Rugova. Sipas tij, Qeveria e Kosovës do të duhej të parandalonte organizimin e zgjedhjeve të një vendi tjetër në territorin e Republikës së Kosovës. Ndërsa, marrjet e vendimeve pasi që ky proces do të mbaroj për 4-5 orë janë vetëm lojë me opinionin dhe me ndjenjat e qytetarëve të lodhur të Kosovës nga qeveria pa përgjegjshme”, thotë ai. Po ashtu edhe Ibrahim Makolli, deputet nga AKR-ja, thotë se Qeveria e Kosovës më mirë të kishte marrë ndonjë vendim për parandalimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë, pasi që janë ilegale dhe jo legjitime, sepse në Kosovë duhet të ketë zgjedhje vetëm për institucione të Kosovës dhe jo për ndonjë shtet tjetër. “Qeveria e Kosovës ka dështuar në marrjen e masave për parandalimin e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve”, thotë Makolli. Edhe deputeti Xhavit Haliti, nga PDK-ja, i ka kundërshtuar dhe e ka quajtur ilegale mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Ai theksoi se duhet të analizohet çështja e mbajtjeve të zgjedhjeve dhe vendimet e qeverisë duhet të merren në raport me situatën e krijuar. Vendimet nuk janë të rëndësishme, tashmë zgjedhjet po mbahen. “Por, zgjedhjet duhet të shpallen të pavlefshme dhe nuk duhet të legalizohen”, thotë Haliti. Ndërsa, Ramush Tahiri, analist politik, thotë se institucionet e Kosovës janë deklaruar se këto zgjedhje që po mbahen në Kosovë nuk do të prodhojnë efekt. “Vet kjo tregon se ata i kanë shpallur të pa vlefshme”, thotë ai. Ndërsa, edhe Lëvizja "Vetëvendosje" ka reaguar me rastin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Graçanicë dhe Gorazhdec. Albin Kurti, lider i kësaj lëvizje, thotë se mosveprimi i Qeverisë së Kosovës është hapësirë për veprimin e Serbisë në Kosovë. Sipas tij, heshtja dhe pasiviteti i shtetit të Kosovës është inkurajim dhe leje për zgjedhjet e Serbisë që po mbahen të dielën në Kosovë. “Qeveria e Kosovës po heq dorë nga territori i enklavave serbe. Ata nuk reagojnë atëherë kur cenohet Kosova, por reagojnë atëherë kur cenohen bizneset e tyre dhe iu rrezikohet vota. Strukturat paralele serbe po sforcohen, po zgjerohen dhe Serbia në këtë mënyrë po shkon drejt kontrollimit të Graçanicës, Anamoravës dhe Gorazhdecit. Por, marrja e çfardo vendimit pas mbajtjes së zgjedhjeve është vonesë dhe nuk qon peshë”, thotë Kurti.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat