Protestë masive për lirimin e 10 ish-pjestarëve të UÇK-së

Kosova

Protestë masive për lirimin e 10 ish-pjestarëve të UÇK-së

Më: 7 janar 2009 Në ora: 00:09

Në Preshevë sot u mbajt protesta kundër arrestimit të 10 shqiptarëve, të dyshuar për siç thuhet, krime të luftës të kryera në Kosovë në verën e vitit 1999.

Siç njofton korrespodenti i agjencisë së lajmeve INA, protestës pos familjarëve të arrestuarve i`u bashkëngjitën edhe qytetarë të komunave tjera shqiptare të kësaj ane.

Në një deklaratë të përbashkët të partive politike u kërkua lirimi i shpejtë i ish-pjestarëve të arrestuar të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), për shkak të pafajësisë së tyre. Në deklaratën e lexuar u kërkua që bashkësia ndërkombëtare të ndërhyjë në këtë situatë, me qëllim të ndërprerjes së montimeve të skenareve serbe në Luginën e Preshevës.

Kërkesa për lirimin e 10 të arrestuarëve u lexua edhe nga anëtarët e lartë të Shoqatës së Veteranëve të Luftës të UÇPMB-së. Në reagimin e kësaj shoqate u vlerësua qartë se asnjëherë ish-pjestarët e UÇK-së dhe UÇPMB-së nuk kanë qenë të përfshirë në krime lufte dhe se të gjitha skenaret që ngriten ndaj tyre janë procese të montuara nga Beogradi.

Kjo është protesta e dytë, ndërsa në ditët e ardhshme do të organizohet një peticion për lirimin e 10 shqiptarëve të pafajshëm që po mbahet nëpër burgjet e Serbisë.

Dhjetë shqiptarë të Luginës së Preshevës u arrestuan kohë më parë nga forcat serbe, nën dyshimet, se si pjesëtarë të ish Çlirimtare të Kosovës kanë qenë të përfshirë në vrasjen e të paktën 51 civilëve dhe rrëmbimin e 159 të tjerëve midis qershorit dhe tetorit të vitit 1999.

Arrestimet janë dënuar edhe në Kosovë, ku përfaqësuesit politikë thanë se ky veprim i Serbisë synon të provokojë Kosovën, e cila ka më pak se një vit që ka fituar pavarësinë. INA

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat