Fitzgerald mburret me komandantin e ri të KFOR-it

Kosova

Fitzgerald mburret me komandantin e ri të KFOR-it

Nga: Besnik Boletin, Bota Sot Më: 8 shtator 2009 Në ora: 14:02

Kosova do të vazhdojë të jetë në qendër të vëmendjes së NATO-s, ndërsa zvogëlimi i pranisë së saj është rezultat i të arriturave në Kosovë. Ruajtja dhe përmirësimi i kësaj gjendje si dhe zvogëlimi i trupave të KFOR-it do të jenë detyrat kryesore të komandantit të ri të KFOR-it, gjenerallejtnanti gjerman Markus Bentler, i cili e mori detyrën të martën në një ceremoni tradicionale ushtarake në selinë e KFOR-it në Prishtinë, në prani të drejtuesve të NATO-s dhe përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës dhe të bashkësisë ndërkombëtare.

Komandanti i Krahut Jugor të NATO-s, admirali Mark Fitzgerald, e falënderoi gjeneralin Gay për kontributin e tij që ka dhënë si komandant i KFOR-it, në kryerjen me sukses të gjitha detyrave, ndërsa i uroj mirëseardhje komandantit të katërmbëdhjetë të KFOR-it, Gjeneral Lejtnant Markus Bentler. “Duke i dhënë lamtumirën njërit prej udhëheqësve tanë më të mëdhenj dhe duke vazhduar prej kohësh traditën ushtarake, i urojmë mirëseardhje gjeneral Lejtnant Markus Bentler, një udhëheqës i vërtetë, i madh ushtarak me një listë të gjatë të arritjeve madhështore dhe përvojave. Ai e njeh mjaftë mirë Kosovën dhe ka përvojë të gjerë meqë ka shërbyer si komandant i një prej brigadave shumëkombëshe”, tha admirali Fitzgerald. Ai foli edhe për reduktimin e KFOR-it, që sipas tij po bëhet për shkak të situatës së mirë të sigurisë, gjithashtu tha se disa nga përgjegjësitë që tani i ka KFOR-i do të kalojnë tek Policia e Kosovës dhe FSK-ja. “NATO-ja po e redukton numrin e trupave që t’i mundësojë Policisë së Kosovës dhe FSK-së, që t’i marrin disa përgjegjësi që NATO-ja i ka marrë më herët, pra ne nuk mund t’i marrin 16 mijë vet dhe t’i lëvizim menjëherë, por është një fazë, një proces dhe kemi gjithashtu një pranim dorëzim të përgjegjësive”, u shpreh Admirali Fitzgerald.

Komandanti i deritanishëm i KFOR-it Gjeneral Lejtnant Guiseppe Gay, në fjalën e tij tha se KFOR-i në vazhdimësi ka krijuar një ambient të qetë dhe të sigurt dhe duke e pas parasysh këtë, KFOR-i është në proces të reduktimit të pranisë në Kosovë. “Të qenit komandant i KFOR-it, do të thotë të komandosh një forcë me rreth 13 mijë trupa të përfaqësuar nga 34 kombe, dhe falë një pune intensive në dhjetë vitet e fundit ka prodhuar paqe dhe stabilitet për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, tha gjenerali Gay. Sa i përket konsolidimit të FSK-së, ai tha së FSK-ja ka përmbushur kapacitet fillestare. “Me katër shtator FSK-ja ka përmbushur me sukses vlerësimin, ushtrimin vlerësues për të arritur kapacitete fillestare operative, duke shkuar drejt këtij qëllimi të rëndësishëm në procesin e ndërtimit të kësaj force. Një punë e jashtëzakonshme është bërë gjatë këtij viti, por mbetet për tu bërë ende”, theksoi Gjenerali Gay.

Ai falënderoi institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare për bashkëpunimin që kanë treguar gjatë periudhës, sa ai ishte komandant, ndërsa nuk fshehu emocionet e tij me rastin e largimit nga Kosova. “Po e lë Kosovën me ndjenja të përziera, me ngazëllim për arritjet e mëdha, dhe me pikëllimin që po e lë Kosovën, miqtë e mi kosovar, përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare dhe ushtarët e KFOR-it”, u shpreh Gay.

Aktualisht në Kosovë janë rreth 13.500 trupa të KFOR-it, ndërsa shumë shpejt ky numër pritet të ulet në 10 mijë ushtarë, ndërsa brenda disa vitesh pritet të reduktohen në 2.5-3 mijë trupa.

Presidenti i Kosovës, Fatmir falënderoi KFOR-in për kontributin e dhënë gjatë periudhës dhjetë vjeçare, në krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt si dhe për bashkëpunimin me institucionet e Kosovës. Presidenti gjithashtu falënderoi komandantin e deritanishëm të KFOR-it Gysieppe Gay, për punën e tij të mirë që ka bërë në Kosovë dhe e dekoroi atë me Medaljen e Artë për Shërbim Ushtarak në Kosovë. “Gjenerali Gay ka kryer me përgjegjësi, me përkushtim dhe me profesionalizëm të lartë detyrën tepër të rëndësishme të komandantit të forcave të NATO-s në Kosovë, KFOR-it. Ai e mori komandën e KFOR-it pikërisht në vitin e parë të Shpalljes së Pavarësisë së vendit tonë dhe ishte këtu, me ne, në të gjitha manifestimet, në përvjetorët dhe në kremtet tona, ashtu siç ishte përherë edhe në ballafaqimet e drejtpërdrejta, me sfidat që na dolën përpara gjatë kësaj kohe”, tha Sejdiu.

Presidenti tha se duke i vlerësuar cilësitë e tij profesionale e njerëzore, si dhe duke u mbështetur në kompetencat që ia jep Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ka vendosur ta dekorojë gjeneralin Giuseppe Emilio Gay me Medaljen e Artë për Shërbim Ushtarak në Kosovë. Gjithashtu ai i uroi mirëseardhje edhe komandantit të ri të KFOR-it Markus Bentler.

“Sot, kur Republika e Kosovës është njohur si shtet i pavarur dhe sovran nga 62 shtete anekënd globit, ne ritheksojmë zotimin tonë të plotë se do të punojmë me të gjitha mundësitë dhe në bashkërendim të përhershëm me vendet mike, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendet e Bashkimit Evropian dhe me të gjithë vendet e tjera të botës demokratike, për ta forcuar shtetin tonë, për ta vendosur rendin dhe sundimin e ligjit në çdo cep të Kosovës”, tha Sejdiu.

Do të vazhdoj punën e deritanishme të KFOR-it

Komandanti i ri KFOR-it, Markus Bentler me marrjen e detyrës në një takim me media tha se do të vazhdojë punën e deritashme, që ka bërë KFOR-i në Kosovë. “Sot e ndjej vetën të privilegjuar, dhe me fat që jam komandat i KFOR-it. Kam qenë edhe më herët në Kosovë, e njoh Kosovën mjaftë mirë, e kam parë progresin që është bërë. Dëshirojmë që të vazhdojmë këtë rrugë që të punojmë në punën e mirë të paraardhësve tanë dhe të vazhdojmë, që të kemi një bashkëpunim të ngushtë me institucionet e Kosovës dhe me praninë ndërkombëtare civile në Kosovë, ky do të jetë edhe qëllimi që të kemi një bashkëpunim të ngushtë me ta. Gjithashtu do të organizojmë një proces të tërheqjes, por që edhe në të ardhmen të mbahet një ambient i qetë dhe i sigurt”, u shpreh komandanti Bentler.

Komandantët e KFOR-it kryesisht kanë qenë, gjerman, francez dhe italian.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat