Vetëvendosja thërret për protesta

Kosova

Vetëvendosja thërret për protesta

Më: 12 shtator 2009 Në ora: 21:47

Në konferencën e sotme për shtyp, Albin Kurti dhe Avni Zogiani, në emër të 23 organizatave që u bënë bashkë për demonstratën kundër protokolleve EULEX-Serbi, njoftuan që kjo demonstratë do të mbahet dy ditë më herët, pra, të hënën, me 14 shtator 2009, në orën 12:00. Marshi protestues fillon nga Biblioteka Kombëtare në Prishtinë.

Me këtë rast, Albini sqaroi që “nuk bën që të fillojë java, të fillojë dita e parë e punës, të ngjajë e hëna sikur të mos kishte ngjarë asgjë të premten. Është interesi i krerëve institucionalë që ta normalizojnë dëmin e Protokollit: meqë nuk e kundërshtuan sinqerisht, ata duan ta paraqesin tash protokollin si jo edhe aq të rëndësishëm.” “Ne nuk mund të jemi assesi të përfaqësuar me kundërshtimin tradicionalisht gjithnjë e më të butë të institucioneve cili në fund shndërrohet në pranim.” – shtoi ai.

Po ashtu, Albini theksoi që “krerët institucionalë thanë që ata janë palë jashtë këtij aranzhmani teknik, mirëpo, Kosova është përbrenda këtij aranzhmani. Institucionet u anashkaluan porse Kosova pësoi. Kjo është dëshmi se ata brengosen për veten e tyre ama jo edhe për Kosovën. Nuk mund të jenë njerëzit në krye të institucioneve të Kosovës më të rëndësishme se Kosova, se qytetarët e Kosovës e se shteti i Kosovës.

Protokolli i bashkëpunimit policor EULEX-Serbi është përfitim i trefishtë i Serbisë. Së pari, Serbia fiton informata shumë të vlefshme të natyrës policore. Së dyti, forcohet Rezoluta 1244 dhe bëhet një hap i madh në zbatimin e 6 Pikëshit. Së treti, eliminohet pengesa kryesore e Serbsë drejt liberalizimit të vizave.

Pas këtij Protokolli do të vijnë së paku edhe dy protokolle të tjera: ai për gjyqësinë dhe ai për doganat. E gjithë kjo është veçse implementim i planit famëkeq 6 pikësh të Ban Ki-moon-it. E, ky plan, siç e dimë, është vetëm një emërtim tjetër për planin e ish ministrit serb për Kosovën Slobodan Samarxhiq për ndarjen funskionale të Kosovës.

Ne nuk jemi kundër BE-së por kundër EULEX-it e protokolleve të tij që i shtojnë dhe i trashin lidhjet e varësisë së Kosovës me Serbinë. Ne e duam të drejtën e Kosovës për anëtarësim në BE e jo misionet policore të BE-së në Kosovë të cilat thirren në sundimin e ligjit por kanë imunitet prej ligjit, thirren në transparencë por funksionojnë edhe në bazë të dokumenteve sekrete, thirren në llogaridhënie por nuk i japin përgjegjësi asnjë institucioni të Kosovës, thirren në demokraci por mbajnë fuqi ekzekutive arbitrare.”

Në anën tjetër, Avni Zogiani potencoi që “politikanët e kosovës janë të korruptuar andaj edhe të shantazhuar dhe për pasojë nuk na i mbrojnë interesat. Ky është shpjegimi pse këta politikanë thonë se nuk e njohin Protokollin por njëkohësisht pohojnë se do ta vazhdojnë bashkëpunimin me EULEX-in, duke e bërë kësisoj absurd kundërshtimin e tyre edhe ashtu vetëm verbal.” Në fund Avniu shtoi që EULEX-i nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur por e njeh Serbinë si palë që duhet të pyetet për Kosovën”.

Albin Kurti dhe Avni Zogiani, në emër të 23 subjekteve shoqërore që janë bashkorganizatore të kësaj demonstrate kundër protokolleve EULEX-Serbi, kundër hipokrizisë së krerëve institucionalë dhe për sovranitet, iu bënë thirrje qytetarëve që masivisht t’i bashkohen demonstratës që mbahet të hënën, me 14 shtator 2009, duke filluar në orën 12:00, e duke u nisur nga vendgrumbullimi – Biblioteka Kombëtare në Prishtinë.

Vetëvendosja

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat