Berisha vizitoi familjen e Rugovës

Kosova

Berisha vizitoi familjen e Rugovës

Më: 6 tetor 2009 Në ora: 23:32

Në ditën e parë të vizitës në Kosovë dhe në kuadër të shumë takimeve me lider institucional dhe politik të vendit, kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe një pjesë e delegacionit qeveritar, ka gjetur kohë që pasdite të bëjë homazhe tek varri i ish presidentit Ibrahim Rugova dhe të vizitojë Familjen Rugova.

Në këtë rast, pas homazheve dhe vizitës, Berisha e vlerësoi lartë figurën e të ndjerit Rugova, duke thënë se ai do të mbetet misionar që ka frymëzuar e do të frymëzojë shqiptarët për një të ardhme më të mirë.

“Ibrahim Rugova mbetet një misionar që ka frymëzuar e do të frymëzojë shqiptarët në të gjitha përpjekjet e tyre për zhvillimin, për integrimin dhe për të ardhmen që meritojnë”, ka thënë ai.

Sipas tij, duke e udhëhequr Kosovën drejt dhe duke e sjell në prag të pavarësisë, Rugova është shndërruar në shtyllë kryesore të shqiptarëve dhe të komunitetit ndërkombëtar për lirinë e vendit.

Berisha vlerësoi se në veprimtarinë e tij ish presidentin Rugova e kanë ndihmuar shumë edhe e shoqja e tij dhe familja, andaj edhe ka ardhur t’i nderoj.

“Erdha për të shpreh nderimin më të thellë zonjës Rugova, për ndihmesën e madhe që zonja Rugova ka dhënë në mbështetjen ndaj presidentit Rugova, burrit të shtetit, unik në historinë e kombit shqiptar, që ja doli të shkrij në një politikanin, shtetarin dhe misionarin”, është shprehur kryeministri Berisha.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat