Berisha: Familja Jashari, kurorë e lirisë së Kosovës

Kosova

Berisha: Familja Jashari, kurorë e lirisë së Kosovës

Më: 7 tetor 2009 Në ora: 11:38

Në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, kryeministri Sali Berisha bëri homazhe te varri i komandantit legjendar, Adem Jashari dhe të rënëve të tjerë të kësaj familjeje.

Takimi i kryeministrit Berisha me Rifat Jasharin

Duke nderuar martirët e lirisë së Kosovës, kryeministri i shtetit shqiptar Sali Berisha, foli me pietet për sakrificën sublime të familjes Jashari, e cila mbetet në kujtesën e përjetshme të brezave shqiptare, duke ruajtur frymën e sakrificës për liri dhe dinjitet kombëtar.Kryeministri Berisha me këtë rast tha se familja Jashari përbënë kuroren e sakrifices në historinë e luftërave të shqiptare. "Martirët e Kosovës e kthyen Prekazin në një Krujë të vërtetë dhe shqiptarët gjithnjë do t'i nderojnë të rënët në këtë vend. Familja Jashari përbën kurorën e sakrificës në historinë e luftërave të shqiptare. Heroizmi i familjes Jashari mbetet sinonim i sakrificës për liri dhe dinjitet kombëtar, i cili do të kujtohet ndër breza. Të kujtosh sakrificën e Jasharajve të kujton shëmbëlltyrën liridashëse të kombit tonë për të jetuar i lirë në trojet e veta autoktone", theksoi kryeministri Berisha në Prekaz.

Homazhe dhe nderime për të rënët

Berisha tha se bashkimi i shqiptarëve do të ndodh me integrimin e Shqipërisë, Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit në Bashkimin Europian dhe struktura euroatlantike.Shqiptarët duhet të përkulen para të rënëve për lirinë e Kosovës, tha sot kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë homazheve pranë varrit të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari. Askush më shumë sesa Adem Jashari dhe familja e tij nuk kanë sakrifikuar për lirinë e kombit shqiptar, tha kryeministri Berisha. Prekazi, shtoi ai, është diamanti i historisë shqiptare, duke e cilësuar Prekazin si Krujën e dytë të historisë shqiptare. “Asgjë nuk kemi më frymëzues se Prekazin, Krujën e dytë të shqiptarëve. Shndërrimi i ëndrrës, i sakrificës në realitet është lehtësimi më i madh për këtë familje, për tribunin legjendar dhe për mbarë shqiptarët”, tha kryeministri Berisha. Më pas, Berisha i bëri një vizitë familjes Jashari. Ai tha se ishte prekur shumë kur kishte parë të gjithë fëmijët e kësaj familjeje që kishin trashëguar emrat e të rënëve për lirinë e Kosovës.Kosova sot është e lirë falë sakrificës së të rënëve për çlirimin e saj dhe të gjithë duhet përkulur para varreve të tyre, tha Berisha. “Ky është një fshat me traditat më të kristalta, më të zhvilluara atdhetare dhe patriotike. Në Prekaz, rezistenca e shqiptarëve ndaj pushtuesit nuk u shua kurrë. Ajo kulmoi me veprën e Adem Jasharit, por ajo është e gjallë në çdo kohë”, theksoi kryeministri shqiptar.

Gjithashtu, Kryeministri Berisha bëri homazhe edhe në varrin e heroit Shaban Palluzha.

Gjatë vizitës së tij dyditore në Kosovë, Berisha ka bërë homazhe edhe tek varri i presidentit Ibrahim Rugova, të cilin ai e quajti arkitektin e pavarësisë së Kosovës.

Ndërkaq, në agjendën e tij politike, Berisha është pritur nga të gjithë udhëheqësit e Kosovës, ka mbajtur fjalim para Parlamentit të Kosovës, si dhe nga presidenti Fatmir Sejdiu atij i është ndarë “Medalja e Artë e Lirisë”, është shpallur “Doktor Honoris Causa” nga Universiteti i Prishtinës, kurse sot, në përmbyllje të vizitës, do të shpallet edhe Qytetar Nderi i Prizrenit. Po ashtu, Berisha zhvillon takime edhe me përfaqësuesit e lartë ndërkombëtarë, me Piter Feith, Përfaqësues Civil Ndërkombëtar, dhe me komandantin e KFOR-it, Markus Bentler.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat