Formimi i Këshillit Nacional, domosdoshmëri

Kosova

Formimi i Këshillit Nacional, domosdoshmëri

Më: 11 tetor 2009 Në ora: 16:03

Gjatë dy javëve të cilat i lamë pas, koordinatorët e partive politike në Luginën e Preshevës, janë angazhuar në maksimum për mbledhjen e nënshkrimeve të cilat do të ndihmonin formimin e Këshillit Nacional, me anë të të cilit, qytetarët presin t’i zgjidhen shumë probleme, si në aspektin politik, social, arsimor e kulturor. Rreth kësaj çështje si dhe mbi rrjedhën e punës gjatë dy javëve të kaluara, këtë fundjavë u mbajt një konferencë për media, ku pjesëmarrës ishin koordinatori i partisë për Veprim Demokratik, z.Mentor Nuhiu, i partisë Demokratike Shqiptare, z.Shukri Ymeri, si dhe i partisë së Bashkimit Demokratik të Luginës, z.Atulla Rexhepi. Ata, precizuan numrin e saktë të qytetarëve të cilët kanë dalë dhe kanë dhënë firmat e tyre dhe këtu u vërejt një, nëse mund ta quajmë e papritur, pasi që në komunën e Bujanocit, ka qenë një numër më i madh i qytetarëve. Në Preshevë, në gjithsejtë njëzet e shtatë qendra votimi, kanë dalë 1563 qytetarë, kurse në komunën e Bujanocit, në pesëmbëdhjetë pika votimi, kanë dalë 1817 qytetarë, ndërsa në atë të Medvegjës gjithsejtë 110 qytetarë, që do të thotë gjithsejtë 3490 sish në tërë luginën. Sigurisht se kjo do të jetë e pamjaftueshme për formimin e Këshillit Nacional, për të cilin kërkohen të grumbullohen 24659 nënshkrime qytetarësh. Për këtë subjektet politike kanë një program të cilin mendojnë ta realizojnë në periudhën e ardhshme, katër mujore, e cila do të fillojë prej 12. XI. 2009 dhe të përfundojë më 12. III. 2010 të vitit të ardhshëm. Në emër të të gjitha subjekteve politike, foli Mentor Nuhiu, i cili u shpreh optimist se do t’ia dalin këtij misioni shumë të rëndësishëm për qytetarët shqiptarë dhe megjithëse nuk u tregua inferior ndaj vështirësive që do të shfaqen, mirëpo shprehi besimin tek qytetarët të cilët do të dinë ta gjejnë rrugën e drejt.

K. MALIQI

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat