Sejdiu vlerësoi bashkëpunimin e mirë të komuniteteve

Kosova

Sejdiu vlerësoi bashkëpunimin e mirë të komuniteteve

Më: 9 nëntor 2009 Në ora: 16:32

Presidenti Sejdiu duke e çmuar punën e Këshillit Konsultativ për Komunitete gjatë vitit 2009, e vlerësoi bashkëpunimin e mirë të të gjitha komuniteteve, përcjelljen e rrjedhave të përgjithshme nga anëtarët e Këshillit, si dhe dhënien e ideve dhe iniciativat e tyre për punën e mëtejshme, e cila, sipas Presidentit Sejdiu, është në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.

Plani i Punës së Këshillit Konsultativ për Komunitete për vitin 2010 është miratuar njëzëri nga anëtarët e Këshillit më 14 tetor 2009 dhe në të përfshihen vizioni dhe misioni, objektivat strategjike dhe prioritetet implementuese, zhvillimi i mëtejshëm dhe qasja menaxhuese.

Ekipi për zhvillimin e Planit të Punës pas analizës SWOT që ka bërë, ka identifikuar nevojën për të përfaqësuar dhe prezantuar interesat dhe nevojat e të gjitha komuniteteve te Qeveria qendrore dhe autoritetet e tjera relevante, nevojën për të shtuar komunikimin në mes të përfaqësuesve të komuniteteve, nevojën për të zhvilluar një pikëpamje dhe qasje të përbashkët ndaj çështjeve të komuniteteve, si dhe domosdoshmërinë e vendosjes së mekanizmave konsultativë në mes të KKK së dhe organeve të tjera relevante.

Gjithashtu, Presidenti Sejdiu i falënderoi edhe mbështetësit e KKK së, që përveç Zyrës së Presidentit, janë edhe vendet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë takim morën pjesë edhe ambasadorët e Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Turqisë, Republikës së Shqipërisë dhe përfaqësues të tjerë nga organizmat e ndryshëm ndërkombëtar të involvuar në çështjet që kanë të bëjnë me komunitetet në vendin tonë.

I pyetur nga gazetarët për thirrjen që Presidenti Sejdiu u ka bërë serbëve të Kosovës për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, dhe, nëse ata nuk marrin pjesë në shumësi, a do të emëronte Presidenti përfaqësuesit e tyre në institucionet lokale, Presidenti Sejdiu u përgjigj:

"Dëshira dhe puna e parë që po e bëjmë është që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhje. Kjo është çështje e interesit të tyre si komunitet, por edhe e interesit të Republikës së Kosovës për të zbatuar politikat e saj të angazhimit në vendimmarrje të të gjithë qytetarëve", ka thënë Sejdiu.

Duke u bërë edhe një herë thirrje atyre që të marrin pjesë në zgjedhje, Presidenti Sejdiu tha se qytetarët serbë të Kosovës duhet ta vënë edhe ata vetë në analizë kërkesën dhe ofertën që të dalin dhe të vendosin vetë për veten apo të dëgjojnë dikë tjetër që dëshiron t'i mbajë peng ata.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat