Kandidati për Prishtinë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Isa Mustafa ka premtuar se të rinjtë e kryeqytetit do të kenë mbështetjen e tij, në rast se arrin të marrë sërish besimin e tyre, për të qeverisur edhe në mandatin e ardhshëm.
Mustafa gjatë takimit që pati të hënën me përfaqësuesit e organizatave rinore, ripërsëriti se programi i tij ka për qëllim që Prishtinën ta shndërrojë në një qendër të rëndësishme ekonomike, në një qendër të rëndësishme të biznesit, në një qendër të rëndësishme kulturore, sportive dhe në një qendër të të rinjve.
Ai po ashtu premtoi ndarjen e më shumë subvencioneve, për përkrahjen e projekteve të ndryshme që kanë të bëjnë me të rinjtë.
“Do të ndajmë më shumë subvencione. Gjatë këtyre viteve kemi ndarë diku 120 mijë euro subvencione, që kanë qenë të lidhura me projektet e të rinjve, që me investime përbëjnë diku gjashtë për qind të shpenzimeve buxhetore që kanë shkuar për këto destinime, për sport dhe rini. Mirëpo ne jemi të interesuar që të shtojmë këtë vlerë”, tha Mustafa.
Kryetari aktual i Prishtinës gjithashtu theksoi se do të vazhdojë ndërtimi i nëntë sallave të edukatës fizike nëpër shkolla, gashtë terreneve sportive të hapura, si dhe ndërtimi i terreneve sportive, në të gjitha lagjet e qytetit.
Më tej, ai premtoi edhe përfshirjen e të rinjve në administratë, veçmas në shërbimet që punojnë drejtpërdrejtë me qytetarët, si dhe punësimin e të rinjve.
Për më tepër, Mustafa pohoi se ata janë të obliguar me ligj që të krijojnë infrastrukturë hapësinore dhe infrastrukturë njerëzore, të cilat do të mundësonin veprimin e organizatave rinore, duke shtuar se kjo do të ishte me mundur pas kthimit të Pallatit të Rinisë në menaxhim të komunës.
“Unë kam planifikuar dhe qëndroj shumë fortë pas këtij plani dhe këtij objektivi, që ne ta kthejmë pallatin e Rinisë në menaxhim të komunës dhe që pastaj hapësirat e këtij Pallati të Rinisë të jenë të destinuara për ju, për të gjitha organizatat rinore dhe për qendrën rinore dhe këtë nuk kemi qare pa e bërë”, theksoi ai.