Fajon, kërkon nismë dialogu për vizat edhe me Kosovën

Kosova

Fajon, kërkon nismë dialogu për vizat edhe me Kosovën

Më: 11 nëntor 2009 Në ora: 18:52

Parlamenti Evropian do votojë nesër për liberalizimin e vizave për tri shtete e Ballkanit perëndimor: Maqedoninë Malin e Zi dhe Serbinë dhe pritet që të votohet edhe për deklaratën ku bëhet thirrje që regjimi i vizave të hiqet sa më parë edhe për Shqipërinë e Bosnjën e Hercegovinën.

Raportin mbi vizat e ka përgatitur eurodeputetja Tanja Fajon, e cila ka përfshirë edhe kërkesën që të nisë dialogu për vizat edhe me Kosovën.

Pritet që ky raport të kalojë gjatë votimit pasi që deri më tani shumica e deputetëve është deklaruar pro të njëjtit. Në prag të votimit të nesërm Komisioni Evropian ka konfirmuar se Mali i Zi dhe Serbia i kanë përmbushur kushtet e mbetura nga udhërrëfyesi i vizave.

Komisioneri për zgjerim Olli Rehn deklaroi të mërkurën se këto dy vende janë në rrugë të mirë dhe të sigurt drejt heqjes së plotë të vizave.

Pas votimit të nesërm në Parlament, pritet mbledhja e ministrave të brendshëm të shteteve anëtare të BE-së, e cila do mbahet më 30 nëntor, ku edhe përfundimisht do vuloset vendimi për heqjen e vizave për 3 shtete të Ballkanit perëndimor.

Ka gjasa reale që regjimi pa viza për këto vende të mos e pret ditën e parë të vitit 2010, por i njëjti të hyjë në fuqi që me 19 dhjetor.

Pala sllovene ka kërkuar që vendimi i ministrave të brendshëm të mos precizojë datën e hyrjes në fuqi. Sipas procedurave evropiane kur një vendim nuk ka datë të specifikuar të hyrjes në fuqi atëherë ai automatikisht bëhet valid, 20 ditë pas marrjes së të njëjtit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat