Presidenti Sejdiu dënon sulmin ndaj eskortës së Thaçit

Kosova

Presidenti Sejdiu dënon sulmin ndaj eskortës së Thaçit

Më: 11 nëntor 2009 Në ora: 20:48

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka dënuar incidentin në Deçan, ku pas një tubimi parazgjedhor të PDK-së, është sulmuar eskorta e kryetarit të kësaj partie, kryeministrit Hashim Thaçi, duke thënë se për qytetarët dhe institucionet e vendit janë krejtësisht të papranueshme veprimet që bien ndesh me ligjin, që cenojnë jetën apo sigurinë e të tjerëve.

Me këtë rast, presidenti Sejdiu u ka bërë sërish thirrje partive politike, kandidatëve të pavarur dhe të gjithë qytetarëve të vendit që të sillen në mënyrë dinjitoze, të jenë të përmbajtur dhe të vazhdojnë të tregojnë kulturë politike, sikundër deri më sot, në mënyrë që zgjedhjet e para pas shpalljes së pavarësisë së vendit të kalojnë ashtu siç i ka hije një vendi të lirë e demokratik.

“Zgjedhjet e 15 nëntorit janë sprova jonë e parë e madhe e demokracisë së brendshme para botës, si para miqve tanë të shumtë që na kanë përkrahur me shumë përkushtim vite të tëra, ashtu edhe e para kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës dhe integrimit të saj në strukturat euroatlantike. Prandaj, është më rëndësi jetike për vendin tonë, për të ardhmen e fëmijëve tanë, që këto zgjedhje të jenë të suksesshme dhe të ndershme”, ka thënë presidenti Sejdiu.

Po ashtu, presidenti Sejdiu ka kërkuar nga institucionet e rendit që sa më parë ta zbardhin këtë incident, si dhe identitetin e personave të përfshirë në të.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat