Reagim i AAK rreth 'rastit të Deçanit'

Kosova

Reagim i AAK rreth 'rastit të Deçanit'

Më: 11 nëntor 2009 Në ora: 20:50

Të mërkurën në Deçan është gjuajtur me mjete të ndryshme eskorta në të cilin ndodhej kryeministri Hashim Thaçi, ku nuk kanë munguar as të shtënat me armë. Ndërsa AAK-ja ka akuzuar PDK-në se ka abuzuar dhe keqpërdorë gjimnazistët e Deçanit dhe kanë përdorur dhunë ndaj tyre në tubimin e sotëm parazgjedhor të PDK-së në këtë qytet.

Në bastionin e AAK-së në Deçan, të mërkurën pasdite është sulmuar eskorta që po e shoqëronte kryeministrin dhe kryetari e PDK-së, Hashim Thaçi, i cili kishte shkuar për fushatë në këtë komunë.

Sipas zyrtarëve të PDK-së, incidenti ka ndodhur pas përfundimit të tubimit parazgjedhor të PDK-së në Deçan, ku në drejtim të eskortës së kryeministrit Thaçi është gjuajtur me mjete të ndryshme, duke mos munguar as të shtënat me armë, por nuk ka pasur të lënduar.

Ndërkaq, AAK ka dënuar abuzimin dhe rrahjen e, siç thuhet, gjimnazistëve nga PDK-ja në Deçan.

“Veprimtarë të Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Deçan, zyrtarë të lartë të saj dhe kandidatë të kësaj partie për Asamblenë Komunale të Deçanit, kanë keqpërdorur dhe abuzuar nxënës të gjimnazit të Deçanit, me moshë të mitur, dhe kanë përdorur dhunë ndaj tyre në tubimin e sotëm parazgjedhor të PDK-së në këtë qytet, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i kësaj partie, Hashim Thaçi”, thuhet në një komunikatë për media.

Sipas AAK-së, zyrtarë të lartë të PDK-së dhe kandidatë të saj për Asamblenë Komunale të Deçanit, kanë përdorur dhunë të shfrenuar ndaj disa gjimnazistëve deçanas, në sallën ku mbahej tubimi, në momentin kur ata kanë brohoritur për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe kryetarin e partisë Ramush Haradinaj.

AAK e dënon ashpër këtë incident dhe kërkon nga organet kompetente që sa më parë t’i zbulojnë personat që përdorën dhunë ndaj fëmijëve, ndërsa fton për fushatë të qetë parazgjedhore dhe vetëpërmbajtje të liderëve dhe të partive të tjera politike, në mënyrë që të mos prishet imazhi i vendit në zgjedhjet e para të lira në shtetin e pavarur të Kosovës.

Ndërkaq, Policia e Kosovës ende nuk është prononcuar në lidhje me rastin dhe sipas zyrtarëve të saj pritet që gjatë mbrëmjes të lëshohet një komunikatë për media.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat