Prishtina është shtëpia dhe djepi i LDK-së

Kosova

Prishtina është shtëpia dhe djepi i LDK-së

Më: 13 nëntor 2009 Në ora: 00:04

Me këngë, valle, thirrje në emër të presidentin historik dr. Ibrahim Rugovës, Isa Mustafës, pëlcitje balonash e ndezje të shumë fishekzjarreve dekoruese, kandidati për kryetar të komunës së Prishtinës Isa Mustafa përmbylli fushatën e tij një mujore për të fituar mandatin e dytë si kryetar i kryeqytetit. Sabri Hamiti deputet i LDK-së i ftoi të gjithë prishtinasit që të votojnë për kandidatin e LDK-së Isa Mustafa. “LDK-ja i ka njëzet vjet, ka histori dhe kujtesë, është parti e tre brezave dhe si e tillë është e para në Kosovë. LDK-ja i ka jetuar si protagoniste këto dy decenie e themeluar dhe udhëhequr nga kryetari historik i Kosovës dr. Ibrahim Rugova”, tha Hamiti. Ai u tha qytetarëve të gjithëve, që janë prezentë në sallë, por edhe ata që s’janë në të, se janë trashëgimia e politikës së Ibrahim Rugovës, sepse është kjo që e ka nxjerrë Kosovën nga robëria në liri, është kjo që ka krijuar premise për Kosovën demokratike, të pavarur dhe evropiane. “LDK-ja dhe Prishtina janë nocione të lidhura, sepse Prishtina është shtëpia dhe djepi i LDK-së, ndërsa LDK-ja e ka bërë Prishtinën referencë politike ndërkombëtare”, u shpreh Hamiti. “Me Prishtinën dhe Rugovën, Kosova dhe Prishtina janë të njohura si referencë e rajonit në të gjithë botën, në Evropë dhe në Amerikë, prandaj ekziston kontrata shpirtërore e përhershme ndërmjet Prishtinës, LDK-së, Prishtinës dhe Rugovës dhe kjo do të vazhdojë dhe do ta provoni në zgjedhjet e ardhshme të 15 nëntorit se kontrata vazhdon”, tha Hamiti, të enjten në fushatën përmbyllëse të kandidatit për kryetar të Prishtinës. Ai thoi se LDK-ja ka krijuar modele, dhe modelin e udhëheqësit, përfaqësuesit dhe prijësit të institucioneve, duke thënë se LDK-ja ka dhënë dy burra kulmorë të Kosovës, dy presidentë, presidentin Rugova dhe Sejdiun. Ai shtoi se LDK-ja ka treguar se askush në Kosovë nuk mund të udhëheqë pa votë popullore dhe kjo nuk do të ndodhë më kurrë, sepse e cilësoi si kriterin themelor të demokracisë. “LDK-ja ka krijuar portretin e përfaqësuesit popullor dhe institucional dhe këtij kriteri nuk i ka ikur kurrë dhe nuk do t’i ik as kësaj radhe, në gjithë Kosovën janë prezantuar njerëz që kanë integritetin, profesionalizmin dhe përgjegjësinë”, u shpreh Hamiti. Ndërsa, kandidati i LDK-së për Prishtinën që tenton të fitojë mandatin e dytë Isa Mustafa, u tha qytetarëve se është para tyre për të shprehur dëshirën dhe përcaktimin e qytetarëve dhe të tij për ta ndërtuar një kryeqytet dhe Prishtinë, e cila do të punonte në dobi të qytetarit, një Prishtinë që do të ofronte kushte të punësimit, zhvillimit, një Prishtinë më që do të dukej më mirë për nga pamja urbanistike, një Prishtinë që do të funksiononte në dobi të qytetarit, një Prishtinë që do të krahasohej dhe do t’iu konkurronte qyteteve në regjion, evropiane dhe atyre botërore. “Programi im që e kam punuar me ekspertët më të mirë, ekspertë vendorë por që kanë dije ndërkombëtare është program i cili ofron punësim për të rinjtë, për femra, zgjedhje për të papunësuarit, është program i cili ofron afër 700 milionë euro, investime kapitale në të gjitha fushat, program që ofron perspektivë për të rinjtë, objekte për të rinjtë, fusha sportive, ofron kushte për perspektivë, është një program, i cili nuk i ofron Prishtinës vetëm ndërtesa të larta dhe automobila, por i ofron Prishtinës edhe hapësira të qeta dhe të gjelbëruara në mënyrë që qytetarët të mburren me qytetin e tyre”, tha ai. Mustafa tha se gjatë katër javëve ka zhvilluar një fushatë të civilizuar, korrekte, me të cilën mund të mburren, një fushatë që i kanë ofruar qytetarëve se çfarë do të punojnë për katër vitet e ardhshme, duke thënë se kundërshtarët e tij nuk e kanë bërë të njëjtën gjë, por kanë deligruar që çdo gjë që është punuar në Prishtinë, punën e bërë nga vet ata, pasi që kanë qenë pjesë e punës, dhe atë e kanë bërë për ti fshehur dobësitë e veta, në fushën e korrupsionit tha Mustafa. / Blendi Gashi

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat