KQZ: Çdo gjë gati për mbajtjen e zgjedhjeve

Kosova

KQZ: Çdo gjë gati për mbajtjen e zgjedhjeve

Më: 14 nëntor 2009 Në ora: 21:19

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Nesrin Lushta, ka vlerësuar se përgatitjet për ditën e zgjedhjeve kanë arritur të bëhen me sukses, duke shtuar se për këtë është punuar në mënyrë intensive, prej momentit kur është shpallur dita e zgjedhjeve.

Në një konferencë për media të shtunën, Lushta ka bërë të ditur se në procesin zgjedhor të 15 nëntorit do të marrin pjesë 1.563.741 votues të rregullt dhe 1.806 votues me kusht.

“Të ju jap si informatë sa është numri i votuesve që gjendet në listën e votuesve të rregullt në Kosovë. Ky numër është 1.563.741 votues, ndërsa sa i përket votuesve që do të votojnë me kusht është 1.806. përndryshe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dërguar aplikacionin në 26 shtete dhe ky është numri final i aplikacioneve të atyre që janë regjistruar dhe dje ka qenë dita e fundit për personat që jetojnë jashtë Kosovës që të votojnë. Do me thënë dje më datën 13 nëntor të pranohen të gjitha këto fletëvotime nga jashtë”, ka thënë Lushta.

Ajo po ashtu bëri të ditur se një aktivitet shumë i rëndësishëm i KQZ-së ka qenë akreditimi i 22.098 vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë, në mesin e tyre 3 mijë vëzhgues nga OJQ të ndryshme, të cilët kanë vëzhguar tërë procesin e zgjedhjeve, si dhe ditën e zgjedhjeve.

Kryetarja e KQZ-së për më tepër theksoi se materiali i quajtur josensitiv është dërguar në vendvotime, ndërsa materiali sensitiv do të dërgohet nesër në orët e mëngjesit.

“Sa i përket hapjes së vendvotimeve dhe dërgimit të materialit, të cilin e quajmë sensitiv dhe josensitiv më lejoni të ju jap informatë se materiali i quajtur josensitiv është dërguar në vendvotime, ndërsa ai që quhet sensitiv do të dërgohet nesër në orët e mëngjesit, herët nëpër vendvotime”, tha ajo.

Për sa i përket qendrave të votimit në komunat me shumicë serbe, Lushta vlerësoi se kanë përfunduar të gjitha përgatitjet dhe ato kanë qenë identike sikur në komunat tjera, përveç në Mitrovicën e Veriut dhe në komunën e Parteshit, në të cilat për momentin nuk do të ketë zgjedhje.

“Vetëm në komunën e Mitrovicës së Veriut dhe në komunën e Parteshit për momentin nuk do të ketë zgjedhje, mirëpo edhe ajo do të jetë proces i këtyre zgjedhjeve, por pak më vonë, ndërsa sa i përket të gjitha komunave tjera përgatitjet janë bërë njësoj sikur në komunat tjera edhe atje janë emëruar komisionet komunale të zgjedhjeve, këshillat e vendvotimeve, është dërguar materiali josensitiv dhe ai sensitiv do të dërgohet nesër, andaj i kemi trajtuar njësoj si në komunat tjera dhe presim që edhe atje votimi të shkoj në mënyrë normale”, u shpreh kryetarja e KQZ-së.

Më tej, ajo pohoi se do të ketë edhe mundësi të votimit me kusht, meqë ky lloj i votimit është i paraparë me ligj, duke shtuar se qytetarët mund të votojnë edhe me kusht dhe këto vota bashkë me votat që vijnë nga operacioni i votimit jashtë Kosovës do të numërohen në qendrën e numërimit të rezultateve.

Lushta përmendi edhe projektin e informimit të votuesve për mënyrën e votimit, i cili është realizuar në bashkëpunim me IFES-in dhe USAID-in.

KQZ ka themeluar 746 qendra të votimit dhe 1.256 vendvotime

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat