Hapen zyrtarisht qendrat e votimeve

Kosova

Hapen zyrtarisht qendrat e votimeve

Më: 15 nëntor 2009 Në ora: 09:43

Në Kosovë sot mbahen zgjedhjet lokale, ku marrin pjesë 74 subjekte politike. Mbi 1.5 milion qytetarë me të drejtë vote zgjedhin kryetarët e komunave dhe përbërjet e reja të kuvendeve komunale.

Në zgjedhjet lokale, ku do të zgjidhet kryetari i komunës dhe këshilltarët komunalë, marrin pjesë 74 subjekte politike.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Nesrin Lushta, shpjegon mbi pjesëmarrjen e partive:

“Në procesin zgjedhor të 15 nëntorit po marrin pjesë 74 subjekte politike, të cilat janë akredituar. Në mesin e tyre janë 34 subjekte politike shqiptare, 22 serbe, 7 boshnjake, 4 turke, nga dy ashkalinje dhe të Malit të Zi, një e egjiptasve, goranëve dhe romëve”.

Në zgjedhjet e gjashta me radhë që nga paslufta, të drejtë vote kanë më shumë se një milion e gjysmë qytetarë.

“Numri i votuesve në Kosovë është 1,563,741, ndërsa numri i votuesve jashtë Kosovës - 1,806”, sqaron Lushta.

Ajo po ashtu thotë se listat e votuesve janë të rifreskuara me të dhëna të reja.

Por, për një çështje të tillë, disa nga anëtarët e KQZ-së patën kritikuar institucionet e vendit dhe vetë KQZ-në, se nuk kanë rifreskuar mirë dhe me kohë listën e votuesve.

Ata patën thënë se nga kjo listë nuk ishin larguar emrat e atyre që nuk jetojnë më.

Specifika e zgjedhjeve të sivjetme është se ato po zhvillohen edhe në tri komunat e reja me shumicë serbe: në Graçanicë, në Kllokot dhe në Ranillugë.

Këto komuna u formuan gjatë verës së sivjetme, në kuadër të planit të decentralizimit.

Ndërsa, edhe pse të parapara me këtë plan qenë edhe dy komuna tjera, ajo e Parteshit dhe Mitrovica veriore, ato nuk u formuan për shkak të mosinteresimit të komunitetit lokal.

Institucionet thonë se në këto dy vendbanime, zgjedhjet do të mbahen pas 6 muajve.

Zgjedhjet lokale do të vëzhgohen nga vëzhgues vendës dhe ndërkombëtarë. Koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” ka angazhuar rreth 2,400 vëzhgues.

Nesrin Lushta shpjegon:

“Janë 746 qendra të votimeve dhe 2,256 vendvotime në këto qendra votimi. Zgjedhjet do të zhvillohen në 12 rajone zgjedhore, në 36 komuna të Kosovës. Ndërsa, nga KQZ-ja tashmë janë akredituar mbi 21,300 vëzhgues”.

Nga ana tjetër, zyrtarë të Policisë së Kosovës thonë se janë marrë të gjitha masat që procesi zgjedhor të zhvillohet pa probleme.

Granit Fetahu, drejtor i policisë për planifikim dhe zhvillim pranë departamentit të rendit publik, bën të ditur se për sigurinë janë të angazhuar më shumë se 5 mijë policë.

“Policia e Kosovës është shumë e përgatitur për të ofruar siguri gjatë procesit zgjedhor. Planifikimet kanë filluar shumë herët; të gjitha çështjet janë të planifikuara. Policia e Kosovës ka një numër të madh zyrtarëve policorë të angazhuar, diku më tepër se 5 mijë”.

“Të gjitha qendrat e votimit, të gjitha depot, të gjitha vendet ku do të jetë materiali sensitiv, do të sigurohen nga policia. Nuk do të lejohet lëvizje e materialeve dhe fletëvotimeve pa prezencën e policisë. Po ashtu, po ofrojmë siguri për të gjithë ata që dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre për votë”, thotë Fetahu.

Përfaqësues të misioneve ndërkombëtare u kanë bërë thirrje të gjithë vëzhguesve që të jenë syhapur gjatë procesit të votimit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat